Ekskluzive / Shahisti i ri shqiptar që thur ëndrra dhe muzikë! (FOTO+VIDEO) - Arbëria News

Ekskluzive / Shahisti i ri shqiptar që thur ëndrra dhe muzikë! (FOTO+VIDEO)

12065841_1076957709011418_3910615250652264722_n

Nga: Valon GASHI

“Merr një biçikletë, ampoule vendos kufjet në vesh dhe harroje botën. Ose shumëzoje me zero!”

Është një pasdite e ftohtë janari dhe acari ka pushtuar çdo qoshe të Tiranës, që regjistron prej disa ditësh temperatura nën zero. Në një prej bar-eve më interesantë, atmosfera është krejt ndryshe nga ç’ndodh jashtë. Bën ngrohtë, në sfond dëgjohet muzikë e lehtë dhe çajin jeshil ta shërben një djalosh 22-vjeçar, aspak i ngjashëm me kamerierët që shërbejnë përditë, nëpër kryeqytetin shqiptar.

I veshur nën një kostum që të shpie shumë herët, ndryshe nga bashkëmoshatarët e tij, rreth një ambienti që të sjell vrik në kujtesë periudhën e realizmit socialist, Olti Vata na tregon më shumë për veten.

“Pra, një biçikletë, kufjet, mos harrove kutinë e shahut?!”- e pyesim me buzëqeshje dhe biseda vazhdon aty ku nisi.

“Po, po”,- shton ai me shpejtësi, si të kapej mat në fushën e shahut, çka nuk i ka ndodhur shpesh, për hir të së vërtetës.

Olti ka qenë kampion kombëtar i shahut prej tre vjetësh dhe e ka përfaqësuar Shqipërinë në gara ndërkombëtare.

“E kam nisur shahun qysh në moshën 12 vjeçare, në qytetin e Kukësit, ku edhe jam lindur. Krejt rastësisht, duke luajtur me shokët zbulova se kisha talent në këtë sport. Kështu nisi, për të vazhduar më pas me më të mëdhenj se mosha ime”.

Gara e parë për të do të ishte ajo e vitit 2010, në kampionatin e shahut për të rinj, që u zhvillua në Tiranë. Që nga viti 2011, deri në vitin 2013, Olti ka përfaqësuar vendin në dy kampionate botërore: në atë Ballkanik dhe Europian. Pjesëmarrës në shumë turne ndërkombëtare, ai ka garuar me emra të njohur të shahut. Dhe ia ka dalë… Ka triumfuar si kampion për kategorinë U18. Në garat e mëtejshme është shkëputur, dhe kur e pyesim pse, na thotë si nëpër dhëmbë:

“I kam lënë që nga qershori i vitit të shkuar. Mungesë donatorësh”!

1977225_1002239666483223_7917684140072965252_n 10509511_1001590303214826_2092265515749683036_n

 

12289585_1093446914029164_8316055119098866429_n

Mirëpo, një dërrasë e ndarë në gjashtëdhjetë e katër katrorë të vegjël, e tridhjetë e dy figura mbi të, nuk mund të jetë kurrsesi i vetmi pasion për një shpirt që herë pas here arratiset në liri. Ndaj, përpos shahut, atë e tërheq edhe muzika. Olti luan me veglën tradicionale të çiftelisë, e përmes saj prodhon miksime me këngë të huaja, disa prej të cilave i ka publikuar në youtube.

Olti është pjesë e orkestrës ndërkombëtare “Balsika”, që ka anëtarë nga i gjithë Ballkani, e më gjerë: Franca, Gjermania, Amerika dhe shumë shtete të tjera.

Deri më tani ai ka luajtur në Mal të Zi, Bosnje, Gjermani dhe Francë. Koncerti i Parisit dhe ai i Strazburgut i janë rrënjosur thellë në kujtesë.

“Në Strazburg, koncerti u zhvillua në katedralen e qytetit, për nder të 1000-vjetorit të ndërtimit të saj. Kanë qenë eksperienca që më kanë mësuar shumë…”

Për t’u veçuar është fakti që ndonëse ai ka luajtur në shumë koncerte mbarë Europës, nuk ka performuar ende në vend të vetë. Kjo, sepse në Shqipëri sipas tij, nuk zhvillohen aktivitete të tilla.

Ëndrra e Oltit ngelet që këtë talent t’ua prezantojë gjithë shqiptarëve.

“Si do të mundësohej kjo dëshirë?”- e pyesim.

“Duke performuar në një nga televizionet kombëtare të Shqipërisë”,- përgjigjet ai.

Koha kalon shpejt nën biseda të tilla, të ngrohta, mes të rinjsh shqiptarë që shohin ëndrra. Dhe, në fakt, presin që t’u realizohen.

Shqipëria ofron pak hapësira që gjithkush të mund të gjejë veten, dhe për këtë, Olti është i ndërgjegjshëm. Ndaj, nuk rri e vëzhgon, por në vend të kësaj ngre tabakanë dhe u drejtohet klientëve më të rinj në bar.

Çdo ditë, pa harruar të veshë bashkë me kostumin edhe një buzëqeshje, për çdo tavolinë e klient, derisa të mund të shpalosë talentet e tij, Olti, një as e ka nën mëngë:

“Merr një biçikletë, vendos kufjet në vesh dhe harroje botën. Ose shumëzoje me zero!”

12002818_1051458048228051_2385656974069260605_n 12033231_1055216294518893_5259945497116480365_n

 / Arbëria News/

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

16 − 5 =