Korça çdo orë e më shumë popullohet nga njerëz të rinj, nga turistë që dëshirojnë të jenë pjesë e Festës së Birrës.

Në natën e dytë të saj, shumë prej tyre i janë bashkuar atmosferës festive në qytet. Ata janë bërë bashkë, duke shijuar e festuar me Birrën Korça, birrën e parë shqiptare.

Atmosfera festive ka vijuar deri në orët e para të mëngjesit, në të gjitha pikat ku bashkia ka ngritur stendat e birrës. Duke shijuar birrën Korça në tavolinat e tyre, turistët shprehen tepër të kënaqur.

I pranishëm në Festën e Birrës ka qenë edhe Kryetari i Komunës së Ulqinit, Loro Nrekiq. Pas vizitës në fabrikën dhe restorantin e Birrës Korça, të cilën e vlerësoi shumë, ai iu bashkua Festës së Birrës në sheshin e pazarit të vjetër.

“Po kalojmë një natë fantastike, shumë të bukur në ambientin e qytetit të Korçës. E kemi vizituar Fabrikën e Birrës, pastaj u ulëm në restorant, ku ka qenë një atmosferë interesante me plot njerëz. Birra e parë shqiptare Birra Korça është me të vërtetë e shijshme, sepse edhe uji në Korçë është i shijshëm”, tha ai.

Si në dy netët e para të Festës së Birrës, edhe sot priten mjaft surpriza të bukura, që do të mbajnë zgjuar mijëra turistë, të cilët kanë zgjedhur të argëtohen në këtë event të mrekullueshëm, që këtë verë shënon 13 vite jetë e sukses./BW/