Fiks Fare/ Shqipëria vendi i fundit në Ballkan për certifikimin e hotelerisë, bizneset i vendosin vetë yjet - Arbëria News

Fiks Fare/ Shqipëria vendi i fundit në Ballkan për certifikimin e hotelerisë, bizneset i vendosin vetë yjet

Në Maj të vitit 2018 me një VKM, në zbatim të ligjit për turizmin u miratuan kriteret apo standardet që duhen të kenë hotelet, në bazë të pikëve që grumbullojnë për t’u certifikuar më pas me yje.

E gjitha kjo për të njohur jo vetëm standardet e hoteleve të cilat operojnë në vendin tonë, por për të ofruar edhe një shërbim akoma më cilësor duke bërë më pas që turisti i vendit apo i huaj të zgjedhë në bazë të kategorisë dhe po në bazë të kategorisë të paguaj, për të mos lënë vend për abuzime.

Por pavarësisht se standardet janë miratuar, certifikimi i subjekteve akomoduese, duke filluar nga bujtinat e vogla e deri tek resortet me pesë yje është ndaluar. Ministria pretendon se ky proces është ndaluar për t’i lëne kohë subjekteve për të plotësuar standardet, por nga ana tjetër kjo sjell një mos vlerësim apo ndarje të atyre që vërtet i meritojnë yjet dhe atyre që mashtrojnë duke vendosur yje mbi godinat e tyre.

Në vitin 2005-2008 ka qenë hera e fundit që është bërë certifikimi i disa hoteleve me yje, yje që i mbajnë edhe sot pavarësisht se standardet kanë ndryshuar apo nuk është bërë një rivlerësim për të parë nëse i kanë ruajtur standardet për yjet që kanë të vendosura.

Pavarësisht se nuk ka nisur ende certifikimi, edhe hotelet e reja, kanë vendosur mbi godina yje. Yje të cilat i vendosin siç mendojnë vet, por kjo sipas ministrit nuk mund të ndalet. Ata mendojnë se atë standard kanë, por nuk janë të certifikuar. “Unë nuk mund të ndalojë vendosjen e këtyre yjeve, ai që vuan është konsumatori i cili mund te mashtrohet në bazë të yjeve qe vendosen dhe shërbimit që merr” shprehet ministri Klosi.

Fiksi bëri një vëzhgim nëpër Tiranë, ku pavarësisht se nuk janë bërë certifikimet, yjet nëpër hotele nuk mungojnë. Madje edhe në hotele që janë ndërtuar së fundmi. Kryetari i Shoqatës së Hoteleri-Turizëm, ku aderojnë mbi 250 hotele pretendon se certifikimi është i domosdoshëm, pasi do të bënte përfundimisht ndarjen e drejtë, shërbim- pagesë që merr konsumatori.

“Do të merrnin fund edhe abuzimet me çmimet e larta pasi me vendosjen e yjeve do të vendosej standardi edhe çmimi do të përkonte me shërbimin, ndaj do të shmangte kështu mashtrimin që i behet turistëve vendas apo të huaj” shprehet Zak Topuzi për Fiksin.

Ndërsa Ministri i Mjedisit dhe Turizmit Blendi Klosi, përdor fjalën “stopim” kur vjen puna tek mos nisja e certifikimit. Duke pretenduar që i duhet lëne kohë subjekteve për të plotësuar standardet, por nga ana tjetër kjo sjell një mosvlerësim apo ndarje të atyre që vërtet i meritojnë yjet dhe atyre që mashtrojnë duke vendosur yje mbi godinat e tyre.

Top Channel

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

18 − seven =