“Flamurizimi” i opozitës - Arbëria News

“Flamurizimi” i opozitës

HAMDI JUPE

Ai ngrihet nëpër tribuna, ai flet, ai i bën thirrje turmës të shkojë andej a këndej, me megafon në dorë, Flamuri: “Më ndiqni mua!” Në protestën në bulevard ai u ngrit në një tribunë të vogël atje e mbajti një fjalim të zjarrtë dhe i bëri thirrje turmës të shkojë pas tij përreth qeverisë.

Ky ishte një skenar i paparashikuar dhe i kapi në befasi edhe mediat, edhe policinë, edhe vetë opozitën (analistët, po se po). Flamuri para e turma pas, anash e anash qeverisë. Në popull ka një shprehje që thotë: I vjen anash diçkaje apo dikujt. Ose ndryshe: i merr të keqen; ose, më shqip akoma: i rruan bishtin diçkaje.

Flamuri në bulevard, Flamuri te Kryeministria; Flamuri te Parlamenti, Flamuri te Policia. Flamuri këtu, Flamuri atje; Flamuri poshtë, Flamuri lart; Flamuri majtas, Flamuri djathtas; Flamuri para, Flamuri prapa. I kudondodhur Flamuri. Cili je ti, more burrë, që kërkon vulat e mia? Jam Flamuri i partisë, prapa më vjen qeveria, bashkë me të, edhe prokopia. Në gusht o, në gusht, do na bëhen rrushtë, se na pihet mushtë. Në vjeshtë o, në vjeshtë, do na rriten deshtë, që t’ju marrim leshtë. Ja, edhe pak akoma, duroni. Kështu pra, opozita e udhëhequr nga Flamuri, i erdhi “anash e anash” qeverisë tri herë rresht (Pse tri herë e jo dy? Pse tri, e jo katër? Këtë nuk e kuptova, ndoshta duhet hapur Kurani, apo Kodi i Da Vinçit, (se mos gjendet atje ndonjë shpjegim i kriptuar për këtë). Mbase është ndonjë simbolikë që nuk e kuptojmë ne të sotmit.

Dhe pastaj prapë te Parlamenti, për të hedhur ca shashka tymuese atje, “anash e anash”. Çdo javë kështu. Gjithnjë e më pak njerëz mblidhen në protesta, se ka edhe dron tani, që e tregon nga lart sheshin, edhe e nxjerr kokoshin e protestës thelë, si te protesta e fundit. Domosdo, njerëzit kanë edhe punë të tjera, nuk kanë vetëm hallin e protestës. Paf-puf e çaf-çuf atje, me tymuese e kapsolla, me llastiqe e pisqolla, që nuk trembin dot as Braçen e qeverisë, jo më Parlamentin. Gjithnjë, nën tingujt e uverturës së filmit “Skënderbeu” dhe me bojë të zezë në duar, duke katranosur muret e ministrive. “Live” te Televizioni i Moskës katranosja. Ndërkohë, deputetët rishtarë të PD-së po hyjnë në Parlament, tre e nga tre e pesë e nga pesë çdo javë, të mbrojtur nga Policia prej shashkatarëve të partisë së tyre.

Ngjitet Kuvendit varg përpjetë, çeta me shtatë deputetë, gjithë petrita, djem të lehtë. Atje i pret me krahëhapur Myslim Murriz tradhtari vetë. Kërkon të bëjë grup “armiqësor” parlamentar brenda partisë Murrizi. Po si nuk doli një njeri atje, te partia e Flamurit, që të kërkonte ndjesë për këtë fenomen të pashembullt ndërkombëtar që po ndodh, ku kandidatët po “tradhtojnë” masivisht partinë? Kush i futi në listat e partisë këta kandidatë “tradhtarë”? Mos i futa unë, apo mos i futi Arta Dade?

Po t’i kishim futur ne, do të vetëvareshim kokëposhtë në degë të pemës para Parlamentit. Por ata i futi në listë Lulja e partisë. Dhe kjo Lule nuk gjen dot kohë tani as të kërkojë ndjesë e të thotë: “Gabuam, shokë, me braktisjen e Parlamentit! Ç’u bë, u bë. Prandaj, le ta hamë turpin me bukë dhe të vazhdojmë punën, duke i quajtur ‘tanët’ edhe këta deputetë të rinj, se tanët janë. Pa bërë pajtimin mes vedit, nuk mund të flasim për pajtim kombëtar”. Pa le më, larg qoftë, t’i bjerë mendja Lulit e të japë dorëheqjen për këto hatàra që po i ndodhin në parti, se pastaj mbetemi pa kryetar. “Ç’më duhet mua, se çfarë bëj unë!” – thoshte Zhvejku. Lumi që mori Vunonë, pse nuk mori partinë tonë. Vetëm Lulit mos i preket qimja, ju lutem shumë. Flamuri sot është një qytetar i zakonshëm. Ka qenë ministër e deputet. Mund të jetë prapë në të ardhmen. Por më vret sytë një fakt: ku është katandisur opozita e sotme, përsa i përket lidershipit të saj.

Cili është ky lidership? Ku janë intelektualët e kësaj partie, që nesër mendohet se do të marrin në duar qeverisjen e vendit? Përse nuk dalin ata në krye të protestave e të punëve të tjera të Partisë? Kanë mbetur tribunat e mitingjeve vetëm me flamurët, me një fjalor politik kockë e lëkurë. Kë ka në krah të djathtë të tij ky lideri i opozitës? Ka Flamurin e Nokajve. Po në të majtë, kë ka? Ka plakun Mere. Po tjetër, tjetër, kë ka? Ka Faten e Gërdecit. Të tjerë shokë, a ka ky? Po ja, ka edhe Dashin, kandidatin legjendar të Bashkisë së Tiranës. Të tjerë, të tjerë, më thuaj, a ka? Ka “Kaçin e Zi” të PS-së. Aha, të tjerë, të tjerë! Të tjerët i kemi shpallur armiq të brendshëm e të jashtëm. Po Xhozi, mo, ajo shkodranka, nënkryetarja e partisë, a është më në parti ajo? Jo, jo. Ajo është vetëpërjashtuar me kohë. Epo, me këta që më the, nuk ma mbush dot mendjen për të votuar që të më qeverisë Luli. (Vetëm në mars të vitit 1992, Partia Demokratike ka fituar shumicën e votës popullore. Kurrë më, kurrë!) Më thuaj me kë rri, të të them se cili je. Kur thua ti: “Unë jam me Flamurin, rri me Flamurin ditë e natë, luftoj e sakrifikoj me Flamurin”, unë nuk besoj se kjo i shton pikë Partisë Demokratike.

Jo, Flamuri nuk i shton vota asaj partie. Flamuri e “flamurët” e tjerë e lenë atë parti te shifrat që tregon sondazhi i fundit, pra, aty te tridhjetë përqindëshi, përjetësisht. Mirëpo, me tridhjetë për qind të votave, i vjen “anash” pushtetit. Nuk e kam fjalën për njeriun, e kam fjalën për idetë. Kush janë ata që udhëheqin dhe frymëzojnë sot opozitën shqiptare? Ku janë ata, ku flasin, kush i dëgjon, kush i duartroket, kush i kundërshton, kush i miraton? Nëpër faqet e shtypit edhe mund të gjesh ndonjë të tillë, por vetëm kaq, në faqet e shtypit, jo në vendimmarrje.

Këtu gjërat mbeten pa përgjigje. Opozita ka plot anëtarë dhe simpatizantë të saj nga radhët e intelektualëve (natyrisht, jo aq shumë sa ka pasur dikur, në fillime). Por ata nuk ngjiten nëpër tribuna, nuk dalin në krye. Ata kanë drojë, pse jo, edhe frikë. Kanë frikë nga flamurët e partisë. Ata nuk mund të katranosin muret me bojë. Jo, nuk mund ta bëjnë këtë. Ata shkruajnë ndonjë artikull në gazetë, apo flasin në ndonjë televizion dhe kaq, sa për të thënë që: “Jemi edhe ne, mos na anashkaloni, please!” Ata presin e presin (më kot) që kryetari i partisë t’i verë ata në krye të listave shumemërore për deputetë në zgjedhjet e ardhshme, se kështu është bërë kjo punë: kryetari ta vë, kryetari ta heq emrin nga lista. Dhe kryetari i opozitës, nuk del ta denoncojë  mënyrën, aq të kritikuar, të zgjedhjes së deputetëve, sepse ashtu i pëlqen atij që të mbetet ajo edhe më tej, e pandryshuar, monopol i kryetarëve. Ia ka lënë Myslimit të Murrizëve ta bëjë një gjë të tillë në Parlament. Po KOP, a keni ju të opozitës? Urdhëro! KOP, KOP, Komitet të Orientimit të Politikave, ashtu siç kishte partia në vitin 2005, para se të vinte në pushtet dhe ku ishte anëtar edhe Luli? Jo, KOP ne s’kemi, po kemi Flamurin sa për njëqind KOQ(P)-e.

Pastaj, për KOP-in, shohim e bëjmë, të marrim frenat njëherë, pastaj e gjejmë. Zotërinj (apo vëllezër, apo shokë, apo miq, apo armiq, merreni si ta doni) demokratë! Nuk merret pushteti duke mbajtur si flamur të kauzës Flamurin dhe flamurët e tjerë si ai. Partia Demokratike erdhi në skenën politike shqiptare me figura të shquara intelektualësh. Profesor doktor Sali Berisha, profesor doktor Neritan Ceka, profesor doktor Aleksandër Meksi, profesor doktor Gramoz Pashko, profesor doktor Kolec Topalli, profesor doktor Ylli Vejsiu… Pastaj mund të vazhdoja me listën e pafundme të shkrimtarëve, artistëve, gazetarëve etj.. Përse tani kjo parti po thahet nga mendimi intelektual, si dega e krimbur e pemës në vjeshtë? Kur vë në krye të opozitarizmit flamurizmin, atëherë hyn në konflikt edhe me SHBAtë, edhe me BE-në, edhe me OSBE-në. Partia Demokratike erdhi në skenën politike si simboli i perëndimit demokratik. Ju kujtohet ambasadori amerikan Rajerson, që nuk mungonte në asnjë tribunë të mitingjeve të Partisë Demokratike në fillimet e saj? Tani, as Orbani i Hungarisë nuk ia fërshëllen opozitës shqiptare. Sot ajo është kthyer pak a shumë (të vjen keq ta thuash) në çetën e Haxhi Qamilit, që nuk pyet as për Europë, as për SHBA. Si nuk e kuptojnë në atë parti që, pa mbështetjen e Europës dhe të SHBAve, nuk vijnë dot kurrë në pushtet, xhanëm, edhe sikur t’ua dhurojë Edi Rama në tepsi?

Nuk ka atje një mendje të zgjuar që t’ua thotë këtë? Kaq keq është “flamurosur” partia kryesore e opozitës? (Sa për kujtesë: Haxhi Qamilin e varën në litar për zullumet që kishte bërë). Edhe një fakt tjetër nga historia e Partisë Demokratike. Në vitin 1996, pas manipulimit të zgjedhjeve të 26 majit të atij viti, SHBA-të i kërkuan Sali Berishës përsëritjen e zgjedhjeve në dyzetë zona elektorale, sepse Berisha i kishte “dhuruar” opozitës vetëm dhjetë deputetë, nga njëqind e dyzetë që kishte Kuvendi. Berisha nuk i dëgjoi amerikanët dhe atëherë ata i “hoqën vizën”, domethënë i hoqën gurin e themelit, e lanë për tetë vjet në opozitë. Të tjerat dihen. Tani ishte Arvizu që tha: “SHBA-të janë të zhgënjyera nga Lulzim Basha”. Mirë e tha, more mirë e tha, po kujt ia tha! Doni më për flamurët? Deklarata e ambasadës së SHBA-ve para protestës së 16 marsit, ishte shumë e qartë dhe shumë e hidhur për opozitën shqiptare. A mos dëshiron opozita që SHBA-të t’i shpallin “persona të padëshirueshëm” të gjithë ata ish-deputetë, që kanë dorëzuar mandatet? Edhe këtë mund ta ketë bërë, por do ta mësojmë kur ata të kërkojnë ndonjëherë vizë për në Amerikë. Larg qoftë, të ndodhë një gjë e tillë! Se, na rroftë Flamuri dhe flamurizmi pastaj! Opozita do vazhdojë kështu, t’i fryjë bilbilit të protestave përjetësisht.

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

nine − five =