Fluturimi i çmendur - Arbëria News

Fluturimi i çmendur

Nga Agim Shehu

Ditën e përvjetorit të Aviacionit i thashë Zanës të na bënte një ëmbëlsirë të veçantë si nga Shqipëria. Ajo më pa në sy, për të mësuar arsyen. Festa e aviacionit shqiptar, i thashë unë.Sado pak, unë jam pjestar i forcave luftarake ajrore (fjalët e fundit i thashë me zë krenarie për t’u bërë më bindëse e për të përfunduar te ëmbëlsira. Zana qeshi me butësi femre. E kam me dokument, e në rast alarmi kuadro të tilla thirren në front, shtova unë. Ti e ke parë „dokumentin“…e ia tregova fotografinë e largët.

Kjo foto është nga më të çuditëshmet e disi më aventureskja në jetën time. Më saktë, fotografi me çmënduri.. Qe muaji i prillit 1971, festa e Aviacionit. Siç shihet, jam bërë gati të fluturoj me avjonin luftarak reaktiv. Ai mban vetëm dy vetë, pilotin dhe shoqëruesin. Unë jam ushtarakisht shoqëruesi. Kur lutesha për këtë dëshirë që të fluturoja në qiell si luftarak, s’më shkonte në mënd se nuk qe shëtitje e gëzueshme si vajtja në dasmë. Ndaj para nisjes kam dhe një pamje disi triumfale me rrënjë në tokë e sytë në qiell! Po e botoj siç e kam në kujtesë, dhe si nderim të veçantë për Festën që aviacioni pati këto ditë (pavarësisht se është dhimbje e thellë, të kesh festë pa pasur si duhej atë që feston, si të kesh dasëm pa nuse, por kjo është punë tjetër).

Gjërat që fluturojnë i kam dashur shumë që në vegjëli. Shpesh isha bërë ndjekësi këmba këmbës i zogjve, ndërsa ata më kishin armik. Më duket më njihnin dhe sa më shihnin, pasi më shanin me gjuhën e zogjve, ia mbathnin fluturimit nga të qe më i shpejtë. (Njëherë në muzg, kur zogjtë mblidhen në shtëpi të tyre, zura një zog te streha e çatisë së Mekamit tonë përballë. Kur ia tregova nënës vëndin, ajo e shqetsuar më foli me inat „ik, lëre shpejt ku e more, mos hyr në gjynah…Shpejt! »..Vajta te vëndi, e lëmova zogun, e putha, i dhashë dhe ca thërrime, po për to s’e hapi sqepin (siç duket dhe zogjtë kanë dinjitetin e tyre!) pastaj e lëshova në ajër drejt folesë së tij. Ai ia dha vrapit në qiell dhe humbi në muzg…

Adhurimin për fluturimin e rrënjosa në shpirt sidomos në humnerën e thellë e të frikëshme buzë fshatit. Aty venim me shokë më të rritur. Shikonim honet e errëta ku na dukej se fshiheshin gogolë e lugetër të prrallave…Më të rriturit ecnin përpara si të qenë zogj në vijat e shkëmbinjve. Poshtë në thellësitë e errëta ndihej si jehonë shushurima e fshehtë e ujvarave. Unë rrija më tepër pas me shokun tim të një moshe e shumë të dashur familjarisht Çobo Skënderi. Zogjtë e vegjël dilnin vrullshëm nga një ferrë e futeshin te tjetra më tutje, larg nesh. Shpesh, disa prej tyre fluturonin te bregu tjetër i lekdushëve, për t’u thënë se matanë s’të lënë rehat të çmëndurit e Progonatit! Më e adhurueshmja jonë, e më e paharruara ish fluturimi i pëllumbave. Ndiqnim me sy udhën e tyre – niseshin me radhë që nga Gurra në krye dhe bënin harqe të bukura si në valle të fisme princash që na i tregonin gjyshet në përralla. Ndiqnin njëra tjetrën sikur bënin një lojë harmonie duke e zbutur disi pamjen e frikëshme të humnerës ndërsa malet rreth i bënin më të shoqërueshme.

Ngriheshin lart me shpejtësi të re, i dhuronin ca harqe të bukura qiellit, pastaj uleshin prapë në tokë mbi buzë, si për t’u thënë njerëzve se fluturimi nga toka në qiell nuk ka ndonjë shqetësim të frikshëm…Janë kaq të mirë e të butë pëllumbat, mendoja unë i vogël, po pse u rri dëshira të fluturojnë mbi humnerë…Ja tek ka fusha..Cila është arsyeja! Shoku im mblidhte buzët prej fëmie që të thoshte se nuk e di!…Pëllumbat fluturimin e kishin një dashuri të tyre prej zogu të veçantë. Ndaj vinin rrotull ik e eja, pa u lodhur, thua e kishin valle që lidhte tokën me qiellin. « Pse-në» e spjegimit– nuk e di. Di vetëm që mendimtari romak Ovidi përmënd në shkrimet e tij „Pëllumbat e Kaonisë“ (Kaoni është Labëria, ku humnerat e Progonat-Lekdushit dhe e Nivicës kanë sundimin e tyre sa të frikshëm aq dhe madhështor). Përballë u rri Këndrevica që madhështinë e thellësisë e plotson me atë të lartësisë. Njëra zgjatet poshtë me ëndër qendrën e tokës, tjetra vështron lart, me fantazi kupën e qiellit. Kur s’e arrijnë dot vetë, ua lënë detyrë gjysheve që t’i arrijnë në përralla për fëmijët e tyre.

Mikun tim të veçantë të vegjëlisë, Çobon , e takova një ditë në Tiranë. Ish rritur, e si pilot dukej shumë i hijshëm. U takuam si gjithmonë me mall e dashuri të përherëshme. Ai tanimë qe pilot ushtarak i shkallës së parë. Për të flisnin gjithandej si për një mjeshtër zbritur nga Perëndia.

Një ditë, duke e lavdëruar me gëzimin tim, i thashë se ishte ngritur aq lart pasi kish bërë dhe shkollën e fluturimit të pëllumbave mbi humnerë. Qeshi me zemër si ahere i vogël. Më tha më tej, se kur fluturonte me avionin e tij luftarak, takonte që kalonte mbi Progonat, e ulte ca avionin të shihte më mirë, ndërsa fshatarët poshtë brohoritnin me sytë lart e thirrnin se ky është djali ynë ! Gjyshja e tij nga nëna, Mirua, që i thoshnim me adhurim « Dadja e shenjtë » e pyeste nëse e kish parë Zoti

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

6 + twenty =