FRONTEX: sinjal i integrimit të Shqipërisë në BE - Arbëria News

FRONTEX: sinjal i integrimit të Shqipërisë në BE

 

Komisioneri për Migrim, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësi, Dimitris Avramopoulos, gjatë ceremonisë së nisjes së punës së FRONTEX në Tiranë, u shpreh se “dëshiron që Shqipërinë ta shikojë në familjen europiane”.

Është për t’u theksuar se FRONTEX është Agjencia për Kufijtë Europianë dhe Rojën Bregdetare, dhe është formuluar në këtë mënyrë nga frëngjishtja “Frontières extérieures” – “Kufij të jashtëm”. Kjo nënkupton se tashmë kufijtë shqiptarë janë kufij të njohur de jure nga Bashkimi Europian (qoftë edhe të jashtëm), gjë që nënkupton më tej – tashmë politikisht – një hap më përpara drejt Europës, për Shqipërinë.

Avramopoulos shton se ky është “një hap më tej drejt sfidave të sigurisë dhe emigracionit … siguria është në qendër të vëmendjes sonë …” dhe “… ajo çfarë ndodh në Shqipëri dhe Ballkanin Perëndimor ndikon në Bashkimin Europian dhe anasjelltas”.

Vihet re se Bashkimi Europian po e tejkalon gradualisht dilemën e mënyrës së integrimit të Shqipërisë së Unionit, duke theksuar sigurinë përpara avancimit përmes kritereve. E thënë ndryshe, Europa po kupton se Shqipëria – me këtë klasë dhe kulturë politike – e ka të pamundur njësimin me pjesën europiane të kontinentit. Komisionieri e bën të qartë se “Shqipëria është pjesë e familjes europiane. Sfidat tona janë të zakonshme. Ato nuk njohin kufij. Progresi që po dëshmojmë sot, është një tjetër veprim konkret dhe dëshmi e angazhimit tonë për të na afruar. Për të na bërë më të fortë”.

Pikësëpari, t’i referohemi kësaj dileme. Unioni është konfuz në lidhje me integrimin e Shqipërisë: përmes përmbushjes së standardeve apo përmes një vendimi politik si pasojë e marrjes në konsideratë të dimensionit të sigurisë.

Shqipëria, përtej dëshirës së banorëve të saj, është larg së qenë vend europian. Në këtë kuptim, reformimi për në Europë, sipas shumë analistëve, ka gjasë të ndodhë rreth vitit 2050. Por duke iu referuar sfidave aktuale të sigurisë rajonale dhe europiane, Shqipëria mund të bëhet më parë pjesë e Unionit, përmes mbikëqyrjes: duke u përfshirë plotësisht në infrastrukturën e sigurisë europiane. Përmes këtij dimensioni do të integroheshin edhe sektorë të tjerë të shoqërisë shqiptare.

Janë vërejtur edhe më parë masa për disiplinimin e fushave të ndryshme dhe tani, ky operacion, është një hap konkret drejt një zgjerimi më të afërt: jo përmes progresit të një vendi, por përmes politikës “ekspansioniste” të Unionit.

Kjo mbetet të zgjidhet pas zhbllokimit të vendimmarrjes së organeve të BE-së (ndryshe nga vendimi i 26 qershorit 2018, për moshapjen e negociatave me Shqipërinë; në këtë rast, rezultoi se vendet sovrane qenë më të fuqishme se institucioni supranacional – BE). Junker në atë kohë deklaronte se “do të ishte e rrezikshme që të linim vendet aspirante për në BE në një pasiguri strategjike, pavarësisht sfidave në Union” dhe “inkurajoj Perëndimin të marrë vendime të rëndësishme strategjike”.

Në kuadër të misionit të FRONTEX, komisioni u detyrua të merrte masa, për shkak të krizës së emigracionit të vitit 2015, me qëllim që të përmirësonte sigurinë e kufijve të jashtëm të Unionit. Sipas BBC-së (15 dhjetor 2015), është demonstruar se kjo agjenci ka mandat të kufizuar, staf të pamjaftueshëm dhe mungesë autoriteti për realizimin e operacioneve të menaxhimit të kufijve. Më tej, disa qeveri e konsiderojnë mandatin e kësaj agjencie si dhunim të sovranitetit kombëtar, kryesisht Polonia dhe Hungaria. Por ky i fundit është problem i brendshëm i Unionit.

Sigurisht, mbrojtja e kufijve shkon më tej sesa kriza humanitare e refugjatëve. Në lidhje të drejtpërdrejtë me Shqipërinë, ka të bëjë edhe me dy faktorë të tjerë.

Faktori i parë lidhet me stabilitetin e brendshëm të vendit. Në raportin për mjedisin e sigurisë (Security in the Western Balkans, hartuar nga Raynell Andreychuk, raporteri për nënkomitetin e partneriteteve të NATO-s), theksohet se “NATO dhe BE duhet të jenë të angazhuar për të inkurajuar vendet e rajonit në vazhdimin e procesit të reformave”. Mungesa e stabilitetit të brendshëm krijon vakuume, të cilat, sipas raportit, “mund të mbushen nga forcat me axhendë antidemokratike dhe antiperëndimore”. Një krizë në Ballkanin Perëndimor do të shkaktonte pasoja të rënda për sigurinë dhe stabilitetin europian.

Kjo na çon te faktori i dytë që ka të bëjë, pra, me stabilitetin rajonal dhe europian. I njëjti raport thekson se “prania ushtarake e vazhdueshme e NATO-s me vendet partnere të Ballkanit Perëndimor është thelbësore për stabilitetin rajonal”. Ky kontekst shtron pyetjen: Do të vazhdojë Europa të mbajë këtë status quo në suazën e sigurisë apo do të marrë vendim strategjik?

Aleanca Euroatlantike gjendet në një moment kur ka krisje të forta me SHBA-në në lidhje me vetë ekzistencën e NATO-s. Është një moment kur, sipas amerikanëve, nuk ka një kërcënim të drejtpërdrejtë për Europën. Por jo për vendet që mund të jenë në shënjestrën e Rusisë. Siç thekson George Friedman në artikullin “Anakronizmi i NATO-s”, “amerikanët kanë interes për t’u përballur me rusët, por nuk kanë nevojë për një plan luftarak të NATO-s për të bërë një gjë të tillë”. Pra, jemi në një realitet kur BE-ja duhet të marrë vetë në dorë fatet e veta.

Dhe këtë tenton ta demonstrojë edhe në periferinë e saj, ku i druhet Rusisë, e cila e konsideron Ballkanin si fushëbetejë në përplasjen e saj politike. I druhet Turqisë, e cila me sa duket nuk e ka shpalosur tërësisht axhendën e saj në Ballkanin Perëndimor, ndërkohë që, ndryshe nga Rusia, i ka ndërtuar mekanizmat në terren. I druhet edhe Kinës, e cila po tregohet “predatore” e suksesshme, kudo ku ka vakuum.

Si përfundim, bazuar në nismën e Juncker për marrjen e një “vendimi strategjik” për Shqipërinë, por edhe nga mënyra se si BE-ja ushtron tashmë politikën e jashtme, tentohet të kapërcehen kufijtë e vendimmarrjes së Këshillit Europian. Kjo është e shprehur qartë në strategjisë aktuale të BE-së, ku thuhet se “nuk duhet të kundërshtohen sfidat e jashtme që ndikojnë Unionin nga brenda”.

Blendi Lami

/ Gazeta Liberale/

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

19 + seventeen =