Guguftuja, gruaja dhe vajtimi - Arbëria News

Guguftuja, gruaja dhe vajtimi

 

ÇAPAJEV GJOKUTAJ ÇAPAJEV GJOKUTAJ

Pa hapur mirë sytë, dëgjoj guguftunë që këndon në pishën përbri dritares. Kam rënë në shtrat pas mesnate dhe kam bërë gjumë të keq, ndaj sot kënga e guguftusë nuk më ngjan si gazmend mëngjesi. Anon më shumë nga vajtimi, them me vete, dhe vetiu më vijnë në mend disa mëngjese vere në mesin e viteve ’50.

Kisha shkuar për disa ditë në fshat dhe agimeve, pa dalë ende dielli, më zgjonte vajtimi i hallës. Gjysmë përgjumësh dëgjoja vargjet dhe e kuptoja se qante të motrën dhe të vëllain. Kishin vdekur pa i mbushur të dyzetat, në një interval disamujor nga njëri-tjetri.

Kur u ktheva në shtëpi, ime më më shpjegoi se ashtu ishte zakoni. Gratë që kishin humbur të afërm vajtonin mëngjeseve gjatë gjithë kohës që ishin në zi. Dhe zija për të afërmit zgjaste minimumi një vit.

Nuk mbaj mend që në atë kohë të kem pasur ndonjë qëndrim ndaj këtij zakoni. Gjithsesi, zëri i hallës që vajtonte me ligje kishte lënë vragë në kujtesën time, ndaj do të më përhihej gjatë gjithë jetës. Vajtimi shfaqej njësoj, por qëndrimi im ndaj tij ndryshonte, madje kthehej edhe në të kundërt.

2. Fillimisht e kujtoja thjesht për atmosferën gotike: vajtimi në gjysmerrësirën e shtëpisë përdhese, ku hijet e natës bënin betejën e fundit me dritën e agut; halla që fliste me të dashurit e vdekur dhe u përcillte lajme për familjet, vëllazërinë, fshatin. Errësirë dhe dritë, të gjallë e të vdekur, frikë dhe dhembshuri, të gjitha përzier bashkë si në këngën e Dhoqinës.

Më pas, në mesin e viteve ’60, në rininë e hershme, i etur për vëmendje e afirmim, do t’i hyja dhe unë ‘kryengritjes’ kundër autoritetit, zakoneve, mendësive tradicionale. Kjo periudhë e zhvillimit vetjak përkoi me fushatat për emancipimin e gruas, ndaj vajtimet e hallës nuk do t’i nëpërmendja më për frymën gotike.

Do t’i kujtoja si dëshmi e diskriminimit të gruas. S’mjaftonte që lodheshin e rropateshin gjithë ditën në punë sfilitëse, mes skamjes e paragjykimeve, por duhej edhe ta helmonin ditën duke vajtuar qyshkur hapnin sytë. Zakoni, thosha me vete, diskriminon gratë; pse nuk ua ka lënë një pjesë të hidhërimeve dhe sfilitjeve fizike e shpirtërore edhe burrave?

Më vonë akoma, shumë më vonë, do të mësoja nga burime serioze shkencore se e qara, në një pjesë të mirë të rasteve, i bën mirë shëndetit fizik e mendor të atij që qan. Zbut stresin, lehtëson dhimbjet shpirtërore dhe ato fizike, përmirëson humorin etj..

Dhe të gjitha këto nuk thuhen me hamendje, as thjesht mbi bazën e vetëndierjes së atij që porsa ka qarë, por mbi bazë analizash laboratorike që matin sasinë e oksitocinës apo endorfinës, shkallën e aktivizimit të sistemit nervor parasimpatetik, si dhe elemente të tjera që sjellin relaks dhe përmirësojnë vetëndierjen.

Kështu, parë nga të dhëna laboratorësh bashkëkohorë, vajtimet e grave nuk do më rezultonin më diskriminim, por një veprim i zgjuar, praktik e jetëdhënës. Në mëngjes, pa nisur ferri i punëve dhe shqetësimeve të ditës, gjenin disa minuta të qanin të afërmit, të ndiheshin mirë në raport me ta dhe me zakonin, por njëkohësisht edhe të gjeneronin hormone, që sidokudo zbusnin streset dhe qetësonin trurin dhe trupin. Vërtet ishin të pashkolla, por qysh nga kohë që s’mbahen mend, gratë dhe nënat kanë pasur prirjen të jenë më pranë jetës, të mësojnë prej saj, ta mëkojnë dhe përmirësojnë përmes prakticitetit, përkushtimit dhe dashurisë.

3. Kjo puna e vajtimit ngjan se i kalon caqet e një dukurie të vetme dhe priret të marrë vlera përgjithësuese. I njëjti veprim, vajtimi i gruas për të afërmit e vdekur, ka marrë në mendjen time vlera e kuptime të ndryshme.

Dhe nuk ka qenë thjesht mosha që ka përcaktuar këto shndërrime, kanë ndikuar edhe formimi, gjendja emocionale e momentit, informacioni që kam pasur, ideologjia mbizotëruese në çastin e perceptimit etj.

Duke ecur këtij monopati të meditimit, më shkreptin një mendim i çuditshëm: mirë vajtimi që ndryshon e shndërrohet, është dhe s’është i njëjti, po vetja ime, a ka qenë dhe mbetet e njëjta?

Sa herë vras mendjen për veten, d.m.th. për personin që shtatë dekada fle e zgjohet me mua, rrezikoj të hyj në qorrsokak. Më dalin më shumë pyetje sesa përgjigje. Në një kuptim është si puna e njeriut dhe e trurit.

Njeriu ka dalë në kozmos e ka vajtur në hënë, eksploron gjithësinë me anije e sonda, por akoma nuk ka arritur të eksplorojë tërësisht trurin e tij, këtë gjithësi brenda vetes që një ditë do zhvishet mbase nga vellot e misterit.

4. Për të mos hyrë në qorrsokakun e pyetjeve për veten, nis të meditoj për një kundërthënie tjetër. Dualiteti këngë-vajtim në gugatjen e guguftusë është dhe s’është real. Përqasja e këngës me vajtimin ndodh vetëm në përjetimet tona. Në realitet, d.m.th. në jetën e zogjve, s’është as këngë e as vajtim, por diçka tjetër, thonë ornitologët.

Në pranverë e në verë, kur shtohet drita e ngrohet moti, ndryshojnë proceset jetësore të zogjve, shtohen hormonet që nxisin dëshirën seksuale dhe shpendët, përgjithësisht në çifte, nisin maratonën e ngritjes së çerdheve, klloçitjes së vezëve dhe rritjes së të vegjëlve.

Në këtë stinë jete intensive shtohen këngët e meshkujve, që më shumë se harmoni, gëzim apo trishtim, përcjellin nevoja jetike. Mashkulli këndon a çirret që të joshë femrën a të pretendojë një territor. Tingujt që gjeneron u thonë meshkujve të tjerë: qëndro larg hapësirës ku dëgjohet kënga ime dhe mos guxo t’i afrohesh zonjës së jetës sime.

Por ne jemi qenie të vetëdijshme dhe shumicën e herëve, tejet të sigurt në vete…, ndaj kemi një prirje të fortë antropomorfizuese, na vjen mbarë që gjithçka ta matim me kutin tonë dhe ta fusim në kallëpet njerëzore. Kështu edhe cicërimat, gugatjet a krokatjet e shpendëve i përfytyrojmë si këngë, si vajtim, si gëzim a si dhimbje. E lehtëson këtë përfytyrim thuajse arbitrar fakti që shpendët prestojnë për simbolika të fuqishme.

Ashtu si njeriu, shpendët mund të ecin në stere, disa edhe të lahen në det, por shumica e tyre kanë edhe një mënyrë plus: zhvendosen dhe lëvizin nëpërmjet fluturimit. Në ëndrrat e stërlashta të njeriut, fluturimi s’është thjesht zhvendosje, simbolizon lirinë dhe transhedencën, aq të domosdoshme për të zbutur sadokudo frikërat dhe ankthet që krijonte vetëdija e kufizimit, fundit, vdekjes.

Kjo mbase është një nga arsyet pse pothuajse gjithë popujt kanë krijuar folklor e mitologji të tëra me zogjtë. Por duket se shpendët e kanë ngashënjyer nëpër kohëra njeriun edhe për një fakt tjetër: ka të ngjarë që janë familjarët më të mirë mes gjithë frymorëve. Dhe si të tillë, përbënin një model gati-gati ideal edhe për njeriun, për ta ndihmuar në luftën e gjatë, të vështirë, por edhe të domosdoshme për ruajtjen e familjes monogame.

5. Përqasja ‘këngë e guguftusë-vajtim i gruas’ përmban edhe një kundërthënie tjetër. Në botën e shpendëve gugat a cicëron përgjithësisht mashkulli. Femrat, thonë ornitologët, rrallë këndojnë. Kurse në botën e njerëzve vajton përgjithësisht gruaja. Se burrit nuk i ka hije vajtimi. Kështu ka qenë të paktën qysh nga kohët antike. Hektorin tek “Iliada” e qan Andromaka, gratë vajtojnë edhe në operën “Arianna” e Monteverdit njëzetë e pesë shekuj më pas, edhe te “Dasma e Figaros” e Moxartit akoma më vonë.

Rolet sociale janë të kundërta: meshkujt te shpendët, femrat te njerëzit. Megjithatë, në esencë vepron e njëjta logjikë, synohet i njëjti funksion: forcimi dhe ruajtja e pushtetit të mashkullit. Gruaja mund e duhet të qajë, por burri jo, se e qara është çast molisjeje e dobësie dhe burrit ia do puna të shfaqet i fortë, të mbisundojë e të kontrollojë ndjenjat, madje për hir të pushtetit të dalë edhe kundër të vetvetishmes, spontanes, që janë pjesë e natyrës njerëzore, sidomos kur është fjala për emocione e ndjenja.

Gjithsesi, koha duket se i ka dhënë të drejtë qasjes burrërore ndaj të qarës. Vajtimet tradicionale me të bërtitura, lebeti, çjerrje faqesh e shkulje leshrash, pothuajse kanë perënduar. Por edhe vajtimet me ligje, dialog e kor mbijetojnë vetëm në disa pjesë të vendit, zakonisht krahina të thella e më të lidhura me tradicionalen. Në qytete dhe rrethina duket se po fiton terren vajtimi individual, nën zë, secila për vete, më pranë ndjenjës e më larg spektaklit të ritit.

Është prirje e natyrshme e njeriut që në përjetimet emocionale të thellohet te vetja, të synojë lirinë dhe spontanitetin përpara disiplinës, rregullit dhe detyrimit të ceremonialit. Zhvillimet në teknologjinë e komunikimit kanë bërë të mundur që njeriu sot të jetë më i vetëmjaftueshëm në përjetimet emocionale dhe të konsumojë art e spektakël në liri të plotë, pa pasur nevojën e komshiut a të bashkësisë.

Gjithsesi, kurrë mos thuaj kurrë. Disa qytete në Japoni kanë hapur ‘klube vajtimi’, ku njerëzit mblidhen për të qarë bashkërisht, sipas modës së dikurshme. Për të nxitur lotimin përdorin filma sentimentalë a muzikë të trishtuar. Dhe të gjithë këtë e bëjnë se mendojnë që vajtimi në bashkësi lehtëson trupin dhe përmirëson gjendjen shpirtërore, aq të stresuar nga ritmet e jetës moderne.

6. Përzierja e këngës me vajtimin në rastin e guguftusë duket se ka edhe një sfond estetik. Në pamje të parë ngjan se kjo përzierje i ka rrënjët te lloji i melodisë: diçka e trishtuar dhe e shtrirë mes këngës dhe vajit, diçka që i kalon kufijtë dhe bëhet ‘edhe… edhe…’. Por realiteti është shumë më kompleks dhe i ndërlikuar sesa klasifikimet dhe kategoritë që përdorim ne për ta njohur dhe analizuar. Gjërat e prera dhe të pastra ekzistojnë më shumë në përfytyrimet tona, shumëshumë në laborator, por rrallë, fare rrallë, në jetën reale.

Vajtimi tradicional ka qenë, veç të tjerash, edhe një akt transhedence, akt kalimi kufijsh, ikjeje. Duke vajtuar, gruaja bëhej pjesë e ritit, hynte në marrëdhënie aktrimi me të pranishmit, bënte që temperatura emocionale të rritej dhe në këtë atmosferë, të arrinte të pabesueshmen: shkrirjen e kufijve mes botëve, mundësimin e bisedës me të vdekurin dhe pastaj edhe me vetë Hyun.

Është e vështirë dhe mbase e pamundur të ikësh nga kufijtë e reales dhe të hysh në hapësirat e së përjetshmes a të hyjnores. Për ta realizuar këtë kalim të vështirë s’mjaftonte një art i vetëm, thirreshin në ndihmë disa lloje: edhe vajtimi, edhe kënga, edhe poezia, edhe muzika, edhe aktrimi. Dhe ky lloj sinkretizmi është i stërlashtë. Ndër perlat e poezisë zënë vend kreu disa vajtime, si ai për qytetin Ur tek asirobabilonasit apo ato për shkatërrimin e Jerusalemit në Psalmet e Testamentit të Vjetër.

Forcën gati-gati çudibërëse të vajtimit duket se e mban parasysh edhe gjuha, kur në thënie të tipit ‘e qan gatimin’, ‘e ka qarë me lot përkthimin’ etj., procesi i të qarit merr kuptimet ‘bën në mënyrë të përkryer diçka’, ‘ka aftësi jo të zakonshme’, ‘është virtuoz’. Kështu, vajtimi jo vetëm ka hyrë në art, është bërë pjesë e tij (e qarë me klarinetë, elegji etj. ), por edhe është kthyer në model harmonie e perfeksioni, si mëtim për artin e kulluar.

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

11 + eleven =