Guvernatori Sejko: Katër sfidat e sistemit bankar - Arbëria News

Guvernatori Sejko: Katër sfidat e sistemit bankar

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, kërkoi nga bankat që të rrisin kreditimin ndaj bizneseve dhe qytetarëve.

Gjatë fjalës së mbajtur në konferencën e tretë të Shoqatës Shqiptare të Bankave, Guvernatori tha se treguesit e deritanishëm favorizojnë kredidhënien. Duke e renditur këtë si një nga katër sfidat parësore të sektorit bankar, Sejko tërhoqi vëmendjen edhe për sektorët që do të mbështeten financiarisht. Është me rëndësi, sipas tij, që bankat fillimisht të identifikojnë drejtë sektorët rentabël, pra, sektorët që sjellin fitime, të cilët mund të garantojnë vlerë të shtuar në ekonomi dhe punësim dhe më pas t’i mbështesin ato me fonde.

“Sektori bankar duhet të përmbushë më mirë rolin e tij të ndërmjetësuesit të fondeve në ekonomi. Përmirësimi i treguesve të shëndetit, reduktimi i rrezikut të kredisë dhe konsolidimi i sektorit bankar, duhet t’i hapin rrugë një përqasjeje më aktive të bankave në kredidhënie. Potenciali financiar i vendit duhet të pasqyrohet më mirë në kreditimin e bizneseve dhe familjeve shqiptare”.

SFIDAT

Ky apel vjen në një kohë kur edhe portofoli i kredive me probleme ka njohur rënie. Nga ana tjetër, vuri në dukje Sejko, edhe sistemi bankar është maturuar mjaftueshëm sa për të dalluar midis kreditorëve të mirë dhe të këqij. “Sektori bankar duhet të jetë më i vëmendshëm në alokimin eficient të fondeve, drejt sektorëve produktivë dhe me potencial të lartë afatgjatë. Sistemi bankar, në përgjithësi, është maturuar mjaftueshëm për të dalluar midis kreditorëve të mirë dhe atyre të këqij, duke minimizuar problemet e rrezikut moral dhe të asimetrisë së informacionit.

Megjithatë, financimi i vazhdueshëm dhe rialokimi i kapitalit janë baza e zhvillimit dhe e ristrukturimit të ekonomisë”. Si sfidë të tretë, Guvernatori parashtroi përmirësimin e aksesit në financë, i kombinuar me iniciativa konkrete për edukimin financiar të popullatës. Dhe së fundmi, me rëndësi, sipas Sejkos, është modernizimi i sektorit bankar. “Modernizimi dhe inovacioni duhet të jenë një prioritet i rëndësishëm afatgjatë i sektorit bankar. Evoluimi i vazhdueshëm do të siguronte një sektor konkurrues, eficient dhe në pararojë të zhvillimit teknologjik në vend. Duke faktorizuar ndikimin e qenësishëm që sektori bankar ka pasur mbi avancimin dhe përhapjen e novacionit në sektorë të tjerë, ky investim nuk do të ishte i nevojshëm dhe fitimprurës vetëm për industrinë financiare, por edhe për shoqërinë shqiptare në tërësi”, vuri në dukje Guvernatori i Bankës së Shqipërisë.

EKONOMIA

Në udhë të mbarë, sipas Sejkos, është edhe ekonomia. Ky progres është reflektuar edhe në përmirësimin e gjendjes financiare të bizneseve dhe familjeve. “Banka e Shqipërisë gjykon se ekonomia shqiptare është në një udhë të qëndrueshme përmirësimi të pozicionit të saj ciklik. Zgjerimi i kërkesës agregate ka sjellë përshpejtimin e rritjes ekonomike, rritjen e punësimit e të pagave, shfrytëzimin më të mirë të kapaciteteve prodhuese dhe përmirësimin e gjendjes financiare të bizneseve e familjeve”.

/panorama/

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

13 − 2 =