'Industria e riciklimit dhe e plastikës, drejt falimentimit' - Arbëria News

‘Industria e riciklimit dhe e plastikës, drejt falimentimit’

Industria e riciklimit dhe industria e përpunimit të plastikës e presin vitin 2019 me pesimizëm.

Sipas zotit Vullnet Haka, president i Shoqatës së Konvertuesve të Plastikës në Shqipëri, sektori pret reduktim të aktivitetit, pakësim të të punësuarve dhe falimentim të kompanive në varësi të marzhit të fitimit.

Ndryshimet që prekin sektorin në Paketën Fiskale 2019 nuk pritet që ta lehtësojnë situatën.

Disa vendime, sipas zotit Haka, i japin goditjen finale. Problemi kryesor për industrinë e riciklimit mbetet ligji për menaxhimin e integruar të mbetjeve.
Në qoftë se ky ligj do të zbatohej, mbetjet e gjeneruara nga familjet dhe bizneset në vend do të ndaheshin që në burim dhe kompanitë e riciklimit do të kishin lëndën e parë. Kompanitë që operojnë në Shqipëri kanë kapacitete të larta, por ato po përdorin vetëm 25% të tyre. Në 2019-n pritet të mbyllen sërish fabrika të riciklimit. Menaxhimi i mbetjeve po drejtohet drejt incenerimit. Aktualisht është në funksionim vetëm inceneratori i Elbasanit, por pritet që të vihen në punë edhe inceneratori i Tiranës dhe ai i Fierit.

Flet Vullnet Haka, përfaqësues nga industria ricikluese dhe e përpunimit të plastikës

2018-a ka qenë një vit i vështirë për industrinë e riciklimit. Si e prisni këtë vit?
E presim me pesimizëm. Gjërat kanë ndryshuar për keq dhe qeveria ka përmbysur sistemin e tre R-ve dhe i ka dhënë përparësi asgjësimit të mbetjeve nëpërmjet djegies. Lehtësitë fiskale që janë propozuar në Paketën Fiskale 2019 nuk do të na sjellin zhvillim në industrinë tonë.

Mund të them se sektori është në ditën më të keqe, arsyeja kryesore është sepse nuk është investuar në ligjin për menaxhimin e integruar të mbetjeve.
Qeveria po i jep përparësi inceneratorëve, ku bashkë me mbetjet që janë për t’u djegur, shkojnë edhe mbetjet e riciklueshme. Kompanitë që kanë marrë të drejtën për incenerim, kanë marrë dhe të drejtën ekskluzive për grumbullimin, transportin dhe madje edhe riciklim mbetjesh. Për mendimin tim, kjo është në kundërshtim me çdo lloj logjike ekonomike për të mos krijuar monopole.

Nëse do të flasim për sektorin e prodhueseve të plastikës, në ndryshimet që bëri qeveria, duke vendosur taksë mbi importin e plastikës dhe lëndës së prodhuar të plastikës në vend, taksa e importit u vendos 35 lekë/kg, ndërsa për prodhimin, 25 lekë/kg. Kjo është një diferencë e papërfillshme që diskriminon industrinë vendase të përpunimit të plastikës.

Për më tepër, lëndët e para të plastikës klasifikohen në Kodin Doganor 39, ku çdo prodhim merr 25 lekë për kilogram. Ndërsa importet, për shkak të funksionit dhe materialeve të tjera, janë klasifikuar me kod tjetër doganor, që nuk e marrin këtë tarifë dhe do të hyjnë në tregun vendas të pataksuara. Kjo është një thikë pas shpine për përpunuesit vendas të plastikës. Ne kemi pasur bisedime dhe e kemi sqaruar situatën e industrisë, por asgjë nuk u mor parasysh.

Propozimi ynë kryesor ishte që taksa për përpunimin vendas të plastikës, nga 25 lekë të bëhej 10 lekë për kilogram. Asnjë produkt vendas nuk do të shpëtojë pa taksë. Po ju sjell një shembull. Në qoftë se marr një karrige me skelet metalik që ka ulësen plastike, ulësja nuk do të taksohet. Por në vend do të ndodhë e kundërta. Pra, nëse karrigia do të prodhohet në E njëjta gjë ndodh nëse vjen një këpucë me shollë plastike dhe për shumë mallra të tjera të importuara që kanë plastikë, por që nuk bëjnë pjesë në Kodin Doganor 39. Këto ndryshime pritet të reduktojnë aktivitetin dhe vendet e punës në sektor.

Taksa e vendosur 25 lekë për kilogram mbi lëndën e parë, duke marrë çmimin që ka në bursë, është sa 20% të vlerës. N.q.s. një ton lëndë e parë është 1000 euro, ndërsa si produkt i gatshëm vlera përllogaritet rreth 1800 euro, niveli i taksimit do të jetë rreth 14-15%. Ministria e Financave e ka marrë këtë vendim pa i bërë mirë llogaritë.

/GazetaExpress/

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

two × 5 =