Intervistë me aktorin Xhino Musollari: Suksesin ja dedikoj Zotit - Arbëria News

Intervistë me aktorin Xhino Musollari: Suksesin ja dedikoj Zotit

Intervistoi: Blerta Papadhima

I talentuar dhe mjaft i pashëm, Xhino Musollari, është një ndër aktorët më të kërkuar të skenës shqiptare dhe sukseset e tij janë të shumta. Disa nga shfaqjet që aktori ka shpalosur fuqinë e tij skenike dhe ka mbushur sallat e teatrit të Kryeqytetit dhe jo vetem, jane:
‘Martesa e avokatit’
‘Të gjithe me huqe’
‘Tradhëtia bashkëshortore’
‘Udha e gjate e kthimit’
‘Mbretëresha e Atlantikut’
‘Kloe’
‘Burri gruas sime’
‘Vdekja dhe virgjëresha’
‘Hamleti’
‘Lukrecia Borgia’
‘ Dama me kamelie’
‘Armiqtë’,
‘Macbeth’
‘ E mbesa e krahinatit’
Antigona’,
‘Sot tete ditë’, etj
Filmografia: ‘Shakaja’
‘Blood is a prisioner’
‘Përtej detit’, produksion Franko-Zviceran.
Xhino Musollari, vjen me një intervistë,  për Arbëria News, ku na tregon për jetën e tij, vendlindjen, fillimet në fushën e artit, bashkëpunimet dhe projektet për të ardhmen.
1. Jetëshkrimi juaj.
– Kam lindur në Athinë, në 28 shtator të vitit 1992. Në ato vite prindërit e mi që në moshë të hershme, emigruan për një jetë më të mirë përtej kufirit, pasi në ato kohë Shqipëria nuk ofronte asgjë tjetër vec kaosit. Fëmijërinë e kalova rrugëve të Greqisë, që për çdo shqiptar e di mirë se ç’do të thotë kjo. Në familjen time flitej gjithmonë shqip dhe në moshën 6-vjeçare mësova të shkruaj dhe të lexoj shqip. Në fund të vitit 1999 vendosëm të rikthehemi në Shqipëri. Këtu përfundova studimet në shkollën e mesme ‘Ismail Qemali’. Në vitin 2015 u diplomova, pranë Universitetit të Arteve, dega aktrim. Që prej diplomimit e deri me sot numëroj mbi 6 role, si profesionist, ne teatrot e Tiranës.
2. I suksesshëm në rolet dramatike po dhe kaq i suksesshëm në komedi. A ka një rol qe e keni luajtur dhe që e reflekton më tepër personalitetin tënd?
– Kam bindjen që çdo aktor vendos në një karakter skenik që interpreton një dozë të madhe të vetvetes, prandaj i njejti personazh merr ngjyrime të ndryshme nga aktor të ndryshëm. Do të vecoja rolin e Xhenaros në shfaqjen ‘Lukrecia Borxhia’, si një nga karakteret ku kam derdhur plotësisht unin tim.
3. Çfarë ju inspiroi që të beheshit aktor?
-Emblemat botërore të aktrimit kanë qënë një spunto shumë e rëndësishme në subkoshiencën time. Por, si i rritur e konsideroj aktrimin një forcë për tu folur turmave, nëpermjet çdo personazhi ti përçon një mesazh për gjithkënd.
4. Na tregoni për fillimet tuaja në fushën e aktrimit.
– Fillimet në fushën e aktrimit kanë qënë çështje pasioni. Studimet i fillova në vitin 2010 dhe i kam ndjekur në mënyrën më rigoroze të mundshme. Si në fillim e deri më sot aktrimin e konsideroj një profesion të shenjtë dhe e bëj me seriozitetin maksimal.
5. Cilin bashkëpunim do quani të paharrueshëm dhe qe keni nostalgji?
-Kam pasur bashkëpunime shumë të çmuara që i kujtoj me nostalgji dhe e ndiej veten me fat për mundësitë që më janë dhënë. Por, do veçoj ‘Lukrecia Borxhia’ dhe bashkëpunimin me Luiza Xhuvanin,dhe Viktor Zhustin. Në film, do vecoja bashkëpunimin me Drita Pelingun. Nga keto bashkëpunime jam pjekur shumë profesionalisht.
6. Me shfaqjen ‘Lukrecia Borgia’ keni qenë pjesëmarrës ne festivalin TND, në Renes të Francës. Cfarë mund të na thoni për këtë eksperiencë? -Mund të them që ka qënë një hallkë shumë e rëndësishme për rritjen time profesionale. Të jesh pjesë e një festivali kombëtar francez gjithsecili e kupton çfarë sfide dhe përgjegjësie që është. Lavdi Zotit shkoi shumë mirë.
7. Ku e gjeni më tepër veten në film apo në teater?
– Filmi është një terren ende i pashkelur mirë për mua edhe pse disa eksperienca i kam pasur. Veten e gjej më shumë në teater ose të paktën kështu kam bindur veten.
8. Cilat janë projektet tuaja për të ardhmen?
– Për momentin kam fatin të jem pjesë e kastit për shfaqjen “Ëndrra e një nate vere” William Shakespeare, shfaqje e cila do të jepet se shpejti në teatrin Metropol. Pas këtij angazhimi projekte të tjera interesante na presin.
9. Kujt ja dedikoni sukseset tuaja?
– Sukseset e mia ja dedikoj së pari Zotit dhe së dyti personave më të afërt të jetës time. Përtej kësaj mendoj se sukseset janë shtysa motivuese për gjithsecilin në art.
10. Si e kaloni kohën e lire?
– Koha ime e lirë është kaotike, nuk jam artisti tipik në tavolinë me miqtë e mi. Gjëja që më pëlqen më shumë është të kaloj kohë me persona të afert.
11. Cili është mesazhi juaj për të gjithë të rinjtë që duan të ndjekin rrugën e artit?
– Mesazhi im për të rinjtë që duan të ndjekin rrugën e artit është që pavarsisht zhanrit artistik, duhen jashtëzakonisht shumë orë punë vetmohuese, pak orë gjumë dhe shumë besim.
12. Doni të falenderoni dikë nëpërmjet kësaj interviste që ka qënë apo vazhdon të jetë pjesë e inkurajimit tuaj
– Ju falenderoj juve për hapësiren dhe vëmendjen që keni ndaj artistëve dhe artit.

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

seventeen + nineteen =