Janaq Paço, si mund ta shkatërrojë sistemi komunist një artist - Arbëria News

Janaq Paço, si mund ta shkatërrojë sistemi komunist një artist

SUZANA VARVARICA KUKA

Mendimi se nuk është folur e shkruar për artistët shqiptarë të shek. XX nuk është i drejtë. Është folur, shkruar dhe shpesh janë përkujtuar, janë bërë dokumentarë, por si çdo tjetër fenomen në Shqipëri, situata të tilla iniciohen nga individë të pasionuar apo familjarët. E kjo duhej të ndodhte si iniciativë e GKA-së, komisioneve bashkiake të kulturës dhe, kur bëhet fjalë për një personalitet si Janaq Paço, do të ishte nder të iniciohej nga Komisioni Parlamentar i Kulturës. Mendoj se nuk është folur qartë se si ndikonte sistemi komunist në psikologjinë e një artisti dhe se cilët ishin dëmet që i shkaktoi.

Një mendim i tillë dhe trajtesa të tjera duhet t’i qëndrojnë krah rishkrimit dhe ridimensionimit të figurës së artistit të periudhës komuniste, si dhe veprës së tij. Në një shprehje të përgjithshme, Janaq Paço, për historinë e shkurtër të historisë së artit në fushën e skulpturës monumentale, është një nga skulptorët më të rëndësishëm të saj, një nga skulptorët që duhet studiuar, edhe për arsyen e lartpërmendur jeta e tij krijuese pësoi ngritjet dhe rëniet e veta.

Ai u lind në 14 mars 1914, në Konicë. Krijimtaria e Paços i përket të gjithë gjysmës së dytë të shek. XX. Ai bëri një jetë krijuese në komunizëm, që nis në 1942-n, kur u kthye nga diplomimi dhe deri në 1992, kur u nda nga jeta. Edukimi i tij nis në vitet ‘30 në shkollën Politeknia të Athinës, që ishte asokohe shkolla kryesore e arteve plastike të atij qytetit. Janaq Paço u kthye në atdhe dhe u njoh si skulptor dhe si pedagog i skulpturës në Liceun Artistik “Jordan Misja”. Arsyeja e këtij shkrimi nuk është aspak të rikujtojmë vijën standarde të kronologjisë së jetës dhe të veprës së tij, por për të evidentuar disa fakte, që nuk i njohim dhe sesi ata kanë ndikuar në sistemin e jetës së tij. Paço erdhi në atdhe si artist me dy kahe njohurish në modelimin skulpturor.

Së pari, diploma e tij “Kokë vajze”, pronë e GKA-së, na informon për ndikimin gjithëpërfshirës mbi edukimin me metodologjinë dhe programet helene të shkollës së Athinës. Së dyti, bocetet e para të skulptorit, të cilat janë figura të ndryshme, na informojnë rreth intuitës së artistit të ri për të përqafuar dhe për të lejuar të ndikohej nga plazmime ekspresiviste të impresionit skulpturor të profesorit të tij, që ishte edukuar në shkollën franceze. Paço kaloi një periudhë disavjeçare në studion e tij, deri sa u kthye në vendlindje. Kjo lloj tipologjie shfaqet në skulpturat që i kushtoi portreteve të Fan Nolit, Vangjush Mio etj..4545454

Formimi i dyportretizuar figurativ është njohja me fillimet e artistit, që sistemi metodik i realizmit socialist i shkatërroi në përbërje të vet dhe nuk iu dha shanse të rriteshin. Gjithsesi, edhe pse nuk mundi të zhdukte gjenezën e tyre, shënoi goditjen e parë për deformimin krijues të artistit, sepse bëri që fillimi krijues i Janaq Pacos të mos lulëzonte dhe të mos njihej në publikun e gjerë. Ai, në kushte të tilla të reja të paparashikueshme, anashkaloi me dhimbje, duke injektuar vetëkontrollin në disa veti të përbërjes së individualitetit konceptual mbi formimin e skulpturës. Kjo do të thotë se helenizmi dhe impresionizmi ishin të detyruar t’i përshtaten një fryme të re që ideologjia dhe propaganda komuniste kishte përgatitur për artin dhe artistët e vendeve socialiste. Një mendim i njëtrajtshëm na tregon se çdo artist ka një fillesë të çastit të krijimit dhe ky çast është i lidhur ngushtësisht me tërësinë e elementeve që përbëjnë aftësinë për të krijuar në art.

Te skulptori Janaq Paço nuk u përjashtua ky çast dhe herë pas herë krijoi skulptura, të cilat mbartin në deje atë fillim të tijin të vërtetë e cilësor artistik dhe që në shumë prej tyre ky fillim shmangej dhe harrohej që në hedhjen e parë të volumeve të përcaktuara, sepse artisti kontrollonte aftësitë e veta, duke ia përshtatur skulpturën formës realiste e frymës socialiste. Kjo ndihet te disa skulptura të portreteve të punëtorëve, të realizuara në Uzinën e Traktorëve, ku e çuan të vuante dënimin pas thyerjes së Nudove, ndihet te disa skulptura të porositura me tema të përcaktuara si historike, ashtu dhe sociale të kohës. Thyerja e nudove ishte një goditje shumë e rëndë dhe i shkaktoi traumën më të madhe të jetës së tij, pasi filloi të kishte ndjesinë e përndjekjes dhe ndjesi që e ndau vetëm me familjen e vet.

Ndërsa duhet theksuar se disa herë të tjera, në shkas të përmbajtjes dhe personazhit të modeluar e shpëtoi veprën e vet të kahut helen të frymëzimit, siç është shtatorja e Aleksandër Moisiut në rolin e Hamletit, e vendosur në qytetin e Kavajës, mbi të cilën skulptori derdhi elegancën e plotësisë së pastër të volumit dhe detajoi pikat kulminante të portretit që pyet “të rrosh a të mos rrosh” me vështrimin drejt kafkës njerëzore. Kjo shtatore përfaqëson disa nga cilësitë më të mira të skulpturës shqiptare të exsterierit. Gjithashtu, ai krijoi dhe portretin e fshatares “Zadrimorja”, që është një mrekulli e skulpturës së asaj kohe, ku ndihet ekspresivizmi i fortë dhe impresioni i çastit, ku realizmi socialist me formën e tij difensive është përjashtuar plotësisht, por krijoi dhe portretin me tipik ekspresiv “Ushtari”, ku realizmi befasues i rri në deje, edhe pse fryma e figurës skulpturore reflekton qartë realizmin socialist. Janaq Paço hyri në artin shqiptar me shumë siguri e paqe në vete dhe me të tjerët. Është autori i parë i skulpturës monumentale të gjinisë së ekuestrit, që do të thotë se ai realizoi për herë të parë figurën e kalorësit gjeneral mbi kalë. Skulpturë e llojit të tillë gjendet në disa sheshe kryesore të Europës. Ai në vitet ‘50 përfundoi me sukses ekuestrin “Skënderbeu mbi kalë”, të vendosur në Krujë, si dhe në kushte urbane shumë të vështira.

Ai kompozoi një kalorës, i cili u bë shumë i veçantë, pasi ky monument nuk krijoi shesh, por është edhe sot një monument me sfond malor. Për Janaq Paçon dhe për skulpturën e këtij lloji ishte një sfidë e kaluar me përpjekje dhe pasion. Sfidë e cila i dha të drejtën të ishte edhe bashkautor në ekuestrin e dytë të “Skënderbeut mbi kalë” në Tiranë. Siguria dhe paqja e tij shpirtërore humbte dalëngadalë. Dhe arsyet e lartpërmendura u ndoqën edhe nga të tjera.

454554

Shkolla e Athinës ishte pasuria skulpturore e tij dhe e përdori gjatë mesit të viteve ‘70, kur ideoi dhe kompozoi dy figura: “Gladiatorët”, që qëndrojnë përballë njëri-tjetrit tashmë në Durrës, por fatkeqësisht të deformuara keqas nga një restaurim joprofesional. Ajo ishte përsëri një vepër me subjekt të veçantë dhe madhësi mbi natyralen. Vepra, së pari, lindi si një bocet i skulptorit, i cili ka dëshiruar gjithmonë që sheshet dhe mjediset e rëndësishme të vendit të ishin të pasura me plastika figurative. Më pas, vepra mori karakterin e një skulpture dekorative, ku LSHASH vendosi të zmadhohej dhe më pas të derdhej në bronz. Vendi i parashikuar ka qenë hyrja kryesore e Amfiteatrit të Durrësit. Skulptori ka punuar rreth tre vite, nga 19771-‘74. “Gladiatorët” u lanë të përfunduara prej tij, pra, të modeluara dhe të derdhura në allçi në përmasën mbi 3 m secili. Sa ishte gjallë artisti, vepra nuk arriti të vendosej për dy arsye.

E para, për dënimin moral dhe artistik që i bëhet Janaq Paços, në vitin 1974, pasi zbulohen nudot dhe, së dyti, “Gladiatorët” u cilësuan një temë e tejkaluar dhe që nuk i shërbente edukimit të masave përmes metodës së realizmit socialist. Duhej figura e punëtorit, fshatarit dhe intelektualit komunist, që çapëlehej këmbëve dhe duarve të ngritura lart me flamur, kazmë, lopatë e yll. Këto goditje të njëpasnjëshme edhe e lodhën artistin, por nuk e shkëputën nga arti i skulpturës.

Ai gati në fundin e tij krijoi duke e moderuar frymën e shkollës së Athinës “Vajzën me rruaza”, një nga skulpturat më të bukura të artit të viteve 1989, për fat të mirë, pronë e GKA-së. Sakaq kam shprehur është shumë pak, pasi Janaq Paço ka një dosje, për arsye të miqësisë me Edison Gjergon, artistin dhe mikun e të gjithë artistëve të tjerë, që e tradhtuan dhe e lanë në baltë. Paço nuk ka dosje bashkëpunëtori dhe informatori kundër tij, por dosje përndjekjeje për të gjitha arsyet e lartpërmendura.

 

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

2 × 3 =