Kalldrëmet e Pazarit të Vjetër në Gjirokastër restaurohen nga mjeshtrat e zonës - Arbëria News

Kalldrëmet e Pazarit të Vjetër në Gjirokastër restaurohen nga mjeshtrat e zonës

Mjeshtrit e kalldrëmeve Spiro Bezhani ose papu Pilo e Drini Gjoni, me duart e tyre kanë hijeshuar kalldrëmet dhe suvatë e shumë ndërtesave në Pazarin e Vjetër të Gjirokastrës.

Ata kanë shumë për të treguar, sepse zanati nuk ka fund. Puna për shtrimin e kalldrëmeve po kryhet sipas metodës së mjeshtërisë/zejtarisë lokale të përdorur në vitet ‘70, duke angazhuar mjeshtra lokalë të punimit të gurit dhe shtrimit të kalldrëmeve.

Materialet që po përdoren për plotësime gjatë punimeve restauruese si gurë kalldrëmi, pllaka trotuari, veshje me gurë trotuari, rëra për kalldrëmet etj., do të nxirren nga guroret përkatëse në mënyrë që ato të jenë të njëjta me materialet ekzistuese që janë çmontuar. Ky është një nga hapat më të rëndësishëm, të realizimit të suksesshëm të këtij projekti.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit aktualisht është në proces zbatimi të rehabilitimit dhe restaurimit të rrugëve prej kalldrëmi të Qafës së Pazarit, që përfaqëson zemrën e qendrës historike të qytetit të Gjirokastrës. Kjo zonë është një nga destinacionet më të vizitueshme dhe të preferuara në Gjirokastër, e konsideruar si porta hyrëse drejt qendrës historike.

Në kuadër të këtij projekti, FSHZH gjithashtu do të ndërhyjë edhe në rehabilitimin e 6 shesheve/hapësirave publike të ndodhura gjithashtu në zonën e projektit dhe të lidhura në mënyrë integrale me rrugët e kalldrëmit që do të restaurohen. Ndërhyrja do të jetë specifike për secilën nga këto hapësira publike, duke konsistuar në pastrimin nga mbetjet inerte, sistemim të lehtë urban me qëllim kthimin e tyre në përdorim nga banorët dhe turistët./Javanews

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

five × 5 =