Kambanat që po ulërijnë - Arbëria News

Kambanat që po ulërijnë

Selami Xhepa

Të gjithë sot po shohim dhembshëm me sytë tanë që vendi po rrëshqet drejt së panjohurës së frikshme të së nesërmes. Juristët flasin me shumë zëra çdo natë në ekrane dhe kufizohen vetëm në analizën gramatikore të Kushtetutës, duke krijuar më shumë konfuzion se duke qartësuar situatën; analistë, ku disa janë qartazi të rreshtuar në kampe politike dhe flasin jo sipas interesit qytetar (dhe atdhetar, në këto momente), por po përpiqen të duken sa më mirë përpara shefave të tyre, që mbase iu kanë lidhur ndonjë shpërblim të majmë; (parantezë: respekt të gjithë atyre, edhe pse etiketohen me emra shpotitës “kadrinj”, që vërtet qëndrojnë prej kohësh në mbrojtje të vlerave të demokracisë dhe shtetit ligjor); përfaqësues dhe eksponentë të lartë të kampeve politike që shohin pozicionet e tyre si llogoret që duhen mbrojtur me çdo kusht dhe pa asnjë tërheqje, përndryshe “shefi madh” nuk i fut në lista deputeti; udhëheqësit e lartë të politikës, që fatet e tyre personale i kanë verbuar duke mos parë humbëtirën ku po vithiset (sërish) vendi!

Telenovelat e përgjimeve të botuara nga mediat botërore mbi manipulimet e zgjedhjeve dhe një sërë reportazhesh, që për fat të keq janë shkruar e transmetuar prej kohësh në mediat më serioze europiane e botërore për fenomenet më negative që kanë marrë gjallëri vitet e fundit në Shqipërinë tonë, po zbulojnë realitetin dramatik të shëndetit demokratik të shoqërisë sonë. A ka ndonjë vend të dytë në planet ku “udhëheqësit e qendrës” dhe “bajraktarët e periferive” flasin në telefon me njerëz të botës së errët të krimit duke i angazhuar ata në procesin që është themeli i demokracisë – zgjedhjet!; që vjedhin hapur paratë e taksapaguesve në projekte të hartuara dhe të kostuara në vlera të denja për librin guiness – dhe ku asnjë zyrtar qeveritar nuk del të japë shpjegime të hollësishme që të bindë publikun për të kundërtën që shkruhet nëpër “kazanë”; ku prona e qytetarit është përditë në rrezik dhe e cenueshme nga interesa oligarkësh dhe mafiozësh që nuk po dinë më të përmbahen duke kërcënuar dhe katastrofa ambientale. Dhe, si për t’i vënë kapak, “banaliteti estetik” që shkruan Bushati për serinë e fundit të përgjimeve, na ngjalli dhe neverinë e krupën për këta injorantë banalë e të papërgjegjshëm që po na drejtojnë. Pas tridhjetë vitesh (gjoja) demokraci, kemi përfunduar në një vend qesharak edhe në sytë e fqinjëve. Vetëm kjo që nuk është Shqipëria që duam! Të paktën kështu nuk e duan Shqipërinë të gjithë ata që e duan vërtet, si vendin që duan të ndërtojnë ndershmërisht të ardhmen e tyre dhe ta trashëgojnë brezat që vijnë. Shqipërinë kështu e duan vetëm ata që e shohin si plaçkë për ta grabitur dhe varfëruar.

Për të qenë të ndershëm, nuk është vetëm qeveria në pushtet që po na katandis kështu. Kontribut për ta rrënuar prestigjin e vendit dhe dërrmuar demokracinë dhe shtetin ligjor kanë në vijimësi të tria forcat politike në qeverisje gjatë këtyre viteve. Arritjet pozitive që ato kanë shënuar në mandatet e tyre dhe që janë të vërteta e reale (heqja e vizave, anëtarësimi në NATO, progresi për integrimin në BE, përmirësime thelbësore të infrastrukturës, transformimet e qendrave të qyteteve dhe fshatrave etj.), nuk mund të shërbejnë si strehë për të justifikuar dështimet spektakolare të tyre në ndërtimin e shtetit ligjor dhe pavarësinë e gjyqësorit si një shtyllë fondamentale e ndarjes së pushteteve dhe funksionimit të jetës së vendit, përhapjen endemike të korrupsionit në nivelet më të larta të pushtetit, mungesën totale të llogaridhënies, si mekanizmi thelbësor i përgjegjshmërisë së një qeverie ndaj qytetarëve të tij për shpenzimin e taksave që kontribuojmë në buxhet çdo ditë. Mjaft është mjaft! Shoqëria është realisht e traumatizuar. Varfëria, degradimi psikik dhe psikologjik, zvetënimi moral dhe etik i shoqërisë, po përhapen në mënyrë frikësuese.

Shqipëria që duam kërkon sot, nesër është vonë, të reflektojmë me përgjegjshmëri dhe pa pasione për rrugëzgjidhjet që duhet të ofrojmë, të cilat nuk janë të lehta dhe të thjeshta. Udhëheqësit e partive politike dhe establishmenti i lartë politik e ka humbur të drejtën morale të udhëheqë kauza. Opsioni i qeverisë teknike deri në kryerjen e reformës së sistemit zgjedhor në vend, mbetet më i miri dhe më pak traumatiku për shoqërinë. Moralisht në fakt qeveria ka rënë dhe besoj se këtë e lexon edhe çdo socialist. Por, edhe opozita ka mëkatet e veta të së shkuarës, prej së cilës duhet të pastrohet. Kontributi që mund t’i bëjnë vendit tani partitë është angazhimi i tyre parimor në një reformë të madhe të sistemit politik. Sistemi zgjedhor në vend të bëhet me lista të hapura që qytetarët të vendosin për deputetët e tyre dhe jo “shefat e mëdhenj”. Presidenti të zgjidhet nga populli në votim të drejtpërdrejtë, duke filluar nga presidenti aktual. Koalicionet parazgjedhore të mos lejohen, në mënyrë që të mos kemi parti fantazma që mbledhin vota fisesh dhe lider qesharak partiçkash. Të dizajnohet një reformë që të krijojë kushtet e nevojshme që nga kjo garë të afirmohet një lidership i ri politik për vendin.

E di se këto që po shkruaj ngjajnë si ëndërrime dhe traktate patetike prej rilindësi, por të paktën po ngushëlloj dhe unë veten se po i them gjërat që mendoj teksa e shoh dhembshëm vendin që po humbet prapë shansin historik për t’u bërë një vend normal demokratik, i banueshëm nga qytetarët e vet dhe të respektueshëm nga të tjerët./ Gazeta Liberale

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

one × one =