Klosi flet për protestat e opozitës: Duan trazira, për mandatet janë penduar, Berishën nuk e dëgjon më njeri - Arbëria News

Klosi flet për protestat e opozitës: Duan trazira, për mandatet janë penduar, Berishën nuk e dëgjon më njeri

Ish-kryetari i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi i sheh si të dështuara protestat e opozitës. Të shtunën PD-LSI u organizuan sërish në një tubim masiv para Kryeministrisë e më pas para Parlamentit, por për Klosin, kjo protestë ngjau më shumë me një marshim absurd.

Gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”, Fatos Klosi deklaroi se kjo rrugë që ka zgjedhur opozita nuk të çon drejt përmbushjes së qëllimit.

“Tubimi i të shtunës ishte si gjithë të tjerat, asgjë ndryshe, përveç disa akteve të dhunës. Kam përshtypjen se edhe zgjedhja e darkës si orar ishte tamam për këtë punë për t’u dhënë garanci militantëve ekstremistë që nuk do të merresh vesh, nuk do të shiheshin. Mu duk absurde që nisnin për të ikur, pastaj ktheheshin prapë, një marshim absurd. Opozita me këtë rrugë nuk arrin dot asgjёkundi. Pushteti nuk merret më me dhunë. Protesta e fundit ishte pa një lloj organizimi, populli priste fjalën e Bashës, ai i niste një herë këtej, pastaj një herë andej. Basha duket që është në pozicion të vështirë, ka përdorur llafe shumë të mëdha dhe tani që nuk po ja del dot, po e sheh që nuk të çojnë gjëkundi protestat. Kështu si po vijohet deri tani, nuk do të shkojnë gjëkundi”, tha ish-kreu i SHISH. Për të, zgjidhja e vetme është dialogu mes palëve dhe testimi i PD-LSI në zgjedhjet lokale. Sipas Klosit, dorëzimi i pushtetit ashtu siç kërkon opozita krijon dhe precedent të rrezikshëm dhe ndërkombëtarët nuk do ta lejojnë. “Natyrisht kërkohet një zgjidhje, është një situatë jo normale. Mua më duket në rregull ai propozimi i kryeministrit që të futen një herë në zgjedhjet lokale dhe më pas nëse shihet se kanë shumicën, atëherë hajde të bëjmë edhe zgjedhjet e përgjithshme. Ndërkombëtarët po e ndjekin situatën dhe nuk është kollaj të premtohet dhe të mos mbahet fjala më. Më duken absurde kërkesat e opozitës që të ikë Rama, duam qeveri pa Ramën, etj. Kjo është e rëndë. Krijohet një precedent shumë i rrezikshëm”, theksoi ai.

Pendim për djegien e mandateve

Në optikën e Fatos Klosit, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim janë penduar për aktin ekstrem që ndërmorën, djegien e mandateve.

Sipas tij, duke qenë se dorëzimi i mandateve nuk i çoi asgjёkundi, tani opozitarët po shpresojnë që përmes protestave të krijohet destabilizim.

“Opozita e ka zgjedhur vetë, ishte zgjedhja e tyre djegia e mandateve, më duket sikur janë penduar. Ata tani po shpresojnë që do të ndodhë ndonjë çudi, edhe të shtunën po shpresonin që të ndodhte ndonjë përplasje e rëndë, por unë i heq kapelën policisë që ka vajtur pa armë, që nuk ka asnjë gërvishtje ndaj protestuesve. Ata po ankohen për gazin lotsjellës, por një kundërpërgjigje do të ketë sepse ai u përdor kur tentuan të futeshin në Parlament. Ata shpresojnë që të ndodhë ndonjë çudi që pastaj të filloj diskutimi. Por destabilizimi nuk mund të arrihet. Shumë qytetarë e mbështesin opozitën, por edhe më shumë janë nëpër rrugët e Tiranës duke bërë punët e tyre. Kështu që nuk ka rrezik destabilizimi”, u shpreh ish-kreu i SHISH. Fatos Klosi komentoi edhe rolin e ish-kryeministrit Sali Berisha në Partinë Demokratike dhe në protestat e opozitës. Sipas tij, Berishën tani nuk e dëgjon më njeri sepse demokratët njohin si lider Lulzim Bashën. “Thirrjet e Berishës janë gjithmonë për revolucion demokratik dhe këtë e kërkon përmes dhunës, por kjo është absurde. Ai tani ka dalë nga loja dhe nuk e dëgjon njeri. Ai sigurisht komandon shumë njerëz në PD, por masa njeh Bashën si kryetar, atij i shkojnë nga mbrapa. Berisha shfaqet 10 minuta, ikën gjëkundi, shfaqet prapë, edhe ai është në siklet”, nënvizoi Klosi.

Ai nuk mohoi që ish-kryeministri Berisha t’i ushtrojë presion Bashës për të ekstremizuar protestat, por theksoi se nëse e bën diçka të tillë, nuk shpëton dot më kollaj si më parë sepse gjërat kanë ndryshuar.

/Shqiptarja/

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

15 + ten =