Faktet që vërtetojnë se po ushqehemi me grurë serb e bizele kroate për kafshët - Arbëria News

Faktet që vërtetojnë se po ushqehemi me grurë serb e bizele kroate për kafshët

Prej korrikut të vitit të kaluar, e deri në fund të vitit të kaluar, Kompania “Devolli”,  ka importuar nga Serbia në Kosovë mijëra tonelata grurë të dedikuar për kafshë. E njëjta ka përfunduar në sofrat e shqiptarëve, në Kosovë dhe Shqipëri. Na bëftë mirë. Kush është përgjegjës për ketë? Korporata “Devolli” më së paku. Shqiptarët edhe më tutje nuk kanë Qeveri…

Ajo çfarë dje ka deklaruar në një intervistë dhënë për gazetën “Express”, Misin Voci, Kryetar i Shoqatës së Mullisëve të Kosovës, duket se nuk është as gjysma e të këqijave që realisht janë duke ndodhur në relacionin Dogana – Qeveri – Devolli.

Ashtu siç ka paralajmëruar gazeta “Express” në ketë shkrim do të sjellim fakte konkrete për mënyrën se si është duke u realizuar njëra prej skemave më të trishtueshme korruptive në Kosovë, përmes importit të grurit për në vendin tonë, nga Republika e Serbisë. Aktualisht “Express” është i vetëm në ketë betejë.

Partitë politike dhe mediat tjera kanë zgjedhur heshtjen përballë kësaj situate alarmante. Në anën tjetër “Express” është duke u përballur me një numër enorm të materialeve, prej burimeve që në kushte anonimiteti po flasin për ketë gjendje. Siç do do ta shihni edhe nga një grafikon ilustrues, vetëm prej korrikut të vitit 2014 deri me 24 dhjetor 2014, janë importuar nga Kompania “Devolli” për në vendin tonë mbi 10 mijë tonë grurë dhe bizele, nga Serbia dhe Kroacia. E gjithë kjo sasi është paraqitur në regjistrat e doganës si “ushqim për kafshë”.

* Titulli i shkrimit është i “arberianews”.

 

“Kjo është një shkelje e rende, duke e lejuar që grurin merkantil, e lejojnë të futet si ushqim për kafshë. Në këtë mënyrë malli i importuar lirohet nga dogana pa paguar, gjoja se gruri është i thyer dhe përdoret vetëm për kafshë”, thotë një burim i gazetës, i cili nuk dëshiron të identifikohet për shkak të ndëshkimeve dhe hakmarrjeve të mundshme. Sipas këtij burimi, kjo nuk është shkelja e vetme që bëhet, në favor të Kompanisë “Devolli”.

Shembulli i mëposhtëm, ndonëse mund të jetë i vështirë për t’u kuptuar për shkak të natyrës profesionale, paraqet skandal në vete. Dogana e Kosovës, importuesve të grurit u lëshon “Autorizime për përpunim nën kontroll doganor”. Një autorizim të tillë për kompaninë “Devolli” e ka siguruar gazeta “Express”.

Tash çfarë ndodh, pas posedimit të një të tillë autorizimi? Në rastet e kompanive tjera, kur lëshohen autorizime të tilla, të njëjtëve, bazuar në cilësinë e grurit u caktohet nga Dogana i ashtuquajturi “normativ”. Për shembull, kur MS Sillosi ka qenë me pronar turq, nga Dogana e ka pasur të caktuar normativin se nga gruri do të prodhojnë 78 për qind miell dhe 22 për qind hime (krunde). Kjo është tepër e rëndësishme për t’u trajtuar, sepse kompanitë obligime doganore paguajnë vetëm për miell, e jo edhe për krunde. E tash, në bazë të autorizimit që ka siguruar gazeta “Express”, kur Sillosi ka kaluar në pronësi të Devollëve ky normativ është hequr fare.

Pra është lënë në besim të kësaj familjeje sesa do ta deklarojnë miell e sa krunde. Sipas burimeve të sigurta të “Express”, kompania “Devolli”, në bazë të analizave të saja i ka paraqitur 60 – 70 për qind miell – 30 – 40 për qind krunde Me këto shkelje të rënda ligjore i mundësohet edhe një përparësi e madhe Kompanisë “Devolli”.

 

Express

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

12 + 18 =