Krasitja e populistit - Arbëria News

Krasitja e populistit

Nga bashkimi kombëtar dhe kundërshtitë e dialogut Kosovë-Serbi, tek reciprociteti në vend të taksës me fqinjët dhe bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë, për normalizimin e marrëdhënieve, por edhe për të luftuar korrupsionin. Një ditë pas fitores, Albin Kurti ka nisur të flasë si kryeministri i ri i Kosovës, duke latuar edhe tezat populiste që i dhanë popullaritet e mbështetës. Bashkimin me Shqipërinë nuk e lejon Kushtetuta dhe  simbolet e Kosovës nuk janë në përparësitë e qeverisë së re, që është zotuar të luftojë korrupsionin dhe kapjen e shtetit.

Suadela Balliu

Në vend të tezës së njohur e të artikuluar prej vitesh tashmë prej tij për bashkim kombëtar,  në sheshin “Skënderbej” të Prishtinës mesnatën  e së dielës mbështetësit e zjarrtë që kishin dalë të festonin fitoren ende pa u shpallur rezultati final, do të dëgjonin liderin e Vetëvendosjes të fliste për bashkëpunim me ShBA dhe BE-në.  “Aleat me aleatët dhe miq me miqtë, për të cilët Kosova ka nevojë”, deklaronte Albin Kurti në të parin fjalim si kryeministër i ardhshëm i Kosovës,  pasi partia e tij fitoi zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, emri i të cilës u ngjiz pikërisht nga thirrjet e dikurshme “Jo negociata, vetëvendosje”, të cilit nuk i pëlqente fort flamuri i shtetit të Kosovës, do të niste transformimin e ngadaltë duke deklaruar së pari se i njihte simbolet dhe Republikën e Kosovës. Megjithëse me tezat e tij nacionaliste të bashkimit kombëtar me Shqipërinë apo ato socialiste për më shumë barazi dhe rol më të madh të shtetit në ekonomi, fitoi zemrat e mbështetësve andej e këtij kufirit – përvojat e mëhershme ku edhe pse si njeriu apo partia e vetme më e votuar mungesa e kompromisit e la jashtë qeverisë -, Kurti e di mirë se në qeverisje i duhet të latojë të paktën tezat që tingëllojnë edhe më radikalet.

Fjalimi i tij i së dielës, megjithatë, nuk doli jashtë tingëllimit të një misionari që predikon një botë më mirë, me doza utopie, ku Kurti premtonte se tani e tutje “jeta e ndershme do të jetë e kollajshme, jeta e kriminelëve do të jetë e vështirë deri në humbje të lirisë”. Por në intervistat e para, do të fliste me terma disi më konkretë duke prekur së pari temën më të nxehtë, që do të gjejë në shkrimoren e zyrës së kryeministrit, atë të taksës njëqind për qind ndaj mallrave serbe dhe rifillimin e procesit të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit.

“Nuk e heqim taksën, por e zëvendësojmë me parimin e reciprocitetit”, deklaron kryeministri i ardhshëm i Kosovës, megjithëse formimi i qeverisë sipas analistëve vendas pritet të jetë i vështirë dhe jo krejt i shpejtë. Me të kremtuar fitoren, Kurti  tha se menjëherë do t’i kërkonte koalicion LDK-së, e cila u rendit parti e dytë në zgjedhjet e 6 tetorit, por ende nuk ka pasur një ftesë zyrtare të liderit të VV-së, kanë bërë të ditur nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Edhe nga kandidatja për kryeministre e LDK-së, flitej për heqje të taksës vetëm kur Serbia ta respektonte Kosovën.

Ndonëse Kurti është shprehur se prezantimi i taksës nuk ka qenë ide e Vetëvendosjes e megjithëse thotë se nuk është për politikën e tarifave 100 përqind, deklaratat e tij ngjajnë bishtnuese nga thelbi, pasi reciprociteti për të cilën e ka fjalën ai, do të thotë që Serbia të pranojë certifikatat e prodhimit të mallrave kosovare si edhe targat e regjistrit, të cilat aktualisht nuk i njeh. Kjo, thotë Kurti, është e patolerueshme.

Që në javën e parë të punës si kryeministër i vendit, Kurti ka zbuluar se do të nisë dialogun. Por ndryshe nga ai zyrtari me Beogradin Zyrtar, me homologen Brnabiç apo presidentin Vuçiç, thotë se do ta nisë me serbët e Kosovës. “Dialog prej poshtë lart dhe përveç kësaj dialog për zhvillim  e për integrim, jo për pajtim”, është shprehur Albin Kurti, ndërsa thotë se pajtimi do të vijë kur Serbia të pranojë  pavarësinë e Kosovës  dhe të paguajë dëmet e luftës.

Por kjo do të ishte veçse një shmangie nga presioni ndërkombëtar që bën thirrje prej kohësh për  rifillimin e dialogut mes dy vendeve. Ndërsa Kurti ka folur për vendosjen e kontakteve me shefin e ri të Politikës së Jashtme në BE, Josip Borell, ky i fundit ka lajmëruar së shpejti një vizitë në Prishtinë, të parën si Përfaqësues i Lartë i BE-së, për ta trajtuar me seriozitet çështjen e dialogut. Borrel ka kërkuar nga Kosova pezullimin e taksës, një kërkesë kjo edhe e ShBA-së, që ia vinte si detyrë qeverisjes së re heqjen e saj dhe rifillimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Borell, ministër i Jashtëm i Spanjës, do të zërë kështu vendin e Mogherini-t edhe si kryenegociator mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa dialogu pritet të jetë edhe më i vështirë kur zyrtari i lartë vjen nga një shtet që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Nuk kanë munguar skeptikët për rolin e Borell, si një katalunjas  i cili është kundër pavarësisë së Katalunjës, ndërsa ka pasur edhe sugjerime që ai të dërgonte përfaqësues specialë për çështjen Kosovë-Serbi, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Dialogun gjashtëvjeçar ne nuk e kemi shumë të qartë çka është zbatuar, pse nuk është zbatuar ajo që nuk është zbatuar dhe cili ka qenë ndikimi dhe thelbi i këtyre marrëveshjeve në jetën e qytetarëve të Kosovës”, është shprehur Kurti, i cili ka premtuar se do të udhëheqë ekipin negociator, të cilin do ta krijojë së bashku me opozitën dhe ka lajmëruar se do t’i shtojë kërkesa Serbisë.

Kurti dhe partia e tij VV është shprehur kundër idesë së shkëmbimit të territoreve, e cila u përfol si shtegu ku po shkonte marrëveshja mes presidentëve Thaçi e Vuçiç dhe kjo për ekspertin gjerman të çështjeve të Ballkanit, Bodo Ëeber, është një pikë pozitive. Sipas analistit, ka elementë që e bëjnë Vetëvendosjen të duket më parimore në dialog, por gjithashtu ka edhe elementë të cilat do ta bëjnë më të vështirë procesin e bisedimeve.

Weber thotë se Perëndimi nuk do ta ndalojë formimin e qeverisë së re mes VV dhe LDK-së, që sipas tij ndodhi më 2014-ën dhe që sipas tij dëmtoi zhvillimin demokratik të Kosovës. Zërat gjatë fushatës zgjedhore flisnin për një favorizim të PDK-së nga ShBA, të cilat ambasada amerikane në Prishtinë i mohoi përmes një deklarate, ndërsa Vjosa Osmani u pa si e parapëlqyera e Gjermanisë. Por megjithëse Kurti është parë si radikal dhe jo i preferuar i ndërkombëtarëve, kryeministri i ardhshëm i Kosovës e ka zbutur qëndrimin e tij me partnerët ndërkombëtarë, duke premtuar bisedime veçmas me ShBA, me BE, Gjermaninë, Britaninë e Madhe dhe vende të tjera.

Qeverinë e re e presin detyra të rëndësishme, ka deklaruar në një reagim  zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Koçijançiç, duke renditur mes tyre  zhvillimin ekonomik dhe shoqëror, sundimin e ligjit dhe angazhimin për rifillimin e dialogut me Beogradin.

“Kjo është në dobi të qytetarëve të Kosovës dhe tërë rajonit. BE-ja do të vazhdojë punën dhe bashkëpunimin e saj me Kosovën dhe do të promovojë pajtimin, bashkëpunimin rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë në Ballkanin Perëndimor”, është shprehur Koçijançiç.

Zhvillimi ekonomik dhe lufta kundër korrupsionit, për të cilin kanë akuzuar koalicionin qeverisës PAN, ishin dy nga tezat kryesore të fushatës zgjedhore të Albin Kurtit, i cili duket se e la më poshtë në prioritetet e qeverisjes së tij të ardhshme, bashkimin kombëtar.

“Megjithatë, referendumi nuk lejohet, kështu që unë do ta respektoj Kushtetutën derisa një ditë të jemi në gjendje që ta ndryshojmë atë në mënyrë paqësore  dhe demokratike. E kjo nuk pritet të ndodhë shpejt”,  është shprehur Kurti për gazetën vjenezë  “Der Standard” . Kështu në plan të parë, Kurti do të ketë luftën ndaj korrupsionit, premtim me të cilin mori votat e kosovarëve, të lodhur e të zhgënjyer nga qeverisja e vjetër e me këtë ka shmangur edhe pyetjet rreth simboleve kombëtare.  

“Njëherë duhet ta shpëtojmë shtetin e kapur”, zotohet kryeministri i ri i Kosovës, i cili do të konfirmohet zyrtarisht vetëm pas arritjes së koalicionit qeverisës me LDK-në.

Kohëve të fundit, ka thënë Kurti, politikanët që qeverisën Kosovën ishin të gatshëm t’i shkatërrojnë edhe raportet me Amerikën vetëm e vetëm për të shpëtuar politikën e tyre të korruptuar. “Kur është fjala për paratë dhe pasurinë e tyre, atëherë ata bëhen të padëgjueshëm edhe ndaj Shteteve të Bashkuara. Çfarë befasie…”. Për të luftuar kapjen e shtetit nga korrupsioni, Kurti ka pranuar se i duhet  përkrahja e bashkësisë ndërkombëtare.

Dialogun Prishtinë- Beograd, temën më të nxehtë në Kosovë, Kurti para pak kohës e shihte si kërkesë e ndërkombëtarëve për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve jo normale, që për pasojë do të prodhonte një dialog anormal. Por së fundi e sheh se marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë të rëndësishme dhe se pa njohje të ndërsjellë nuk ka anëtarësim në BE. Sipas tij VV nuk ka qenë kundër dialogut me Serbinë, por kundër dialogut parimor dhe trajtimit të çështjes si tregti.

“Serbia thotë cila është oferta juaj, oferta jonë për Serbinë janë kërkesat tona për Serbinë, pra borxhin që na e ka ajo neve dhe unë jam i bindur që dialogu i ardhshëm do të jetë shumë më solid dhe nuk do të jetë jo transparent, anash popullit apo prapa tij”, ka deklaruar Kurti.

Duke iu drejtuar popullit, si kryeministër, Albin Kurti e cilësoi fitoren e tij si vala e tretë e entuziazmit, mes çlirimit të vitit 1999 dhe shpalljes së pavarësisë më 2008-n.

“Është vala e re që do ta forcojë republikën tonë e do t’i japë hov zhvillimit e barazisë për të gjithë juve. Hapim kapitull të ri me faqe të bardhë e zemër të ngrohtë. Në qeverisjen tonë, s’ka hajna. Hajnat do të luftohen, hetohen, gjykohen e dënohen kudo që janë”, tha ai  në festën e VV-së në shesh.

Tanimë, si kryeministër, duke përmbushur ambiciet politike qyshse hyri në të 14 vjet më parë, Albin Kurti gjen edhe diçka pozitive në flamurin e Kosovës, edhe pse në festën e fitores sundonin flamujt kuqezi. Në hartën e tij është edhe veriu, që presidenti deshi ta shkëpusë nga vendi, ka thënë Kurti, duke parashikuar marrëdhënien e vështirë me Thaçin në krye të shtetit, i cili deri pak muajsh udhëhiqte dialogun me Beogradin, sëbashku me homologun e tij serb.

“E respektoj dhe e dua shtetin e Kosovës, por gjuha jonë, kultura dhe historia janë shqiptare, kjo domethënë që ne jemi një komb me dy shtete”,  është shprehur ai.

I parë si radikal i majtë, Kurti thotë se VV është parti socialdemokrate, me gjurmë të patriotizmit.

Nuk ka të bëjë asgjë me nacionalizmin siç e shohim shpesh në BE. Qëllimi ynë është barazia”, përpiqet të sqarojë.

Por në tryezën e punës së kryeministrit të ri, gjithnjë nëse Isa Mustafa do të bjerë dakord për të qeverisur me Kurtin, ashtu siç kanë koordinuar bashkë aksionin opozitar në këta dy vite por që nuk arritën marrëveshje parazgjedhore për shkak të kandidatit për kryeministër. Në fjalën e tij pas fitores, Kurti shprehu konsiderata për kandidaten Vjosa Osmani.

“Dua që me Vjosën të bashkëpunoj edhe në të ardhmen”, ka thënë ai, duke folur nga pozicioni i kryeministrit, tashmë të distancuar e dhe nga e shkuara me hedhje të gazit lotsjellës brenda sallës së Kuvendit të Kosovës. Tashmë pakënaqësitë dhe kundërshtitë, që Kurti mund të ketë edhe ndaj partnerëve ndërkombëtarë, përfaqësuesit e posaçëm të  të cilëve  do t’i ketë mbi kokë mbi çështjen e dialogut mes dy vendeve, por edhe artikulimeve për bashkim kombëtar, nuk do të mund t’i zgjidhë me tymin e lotsjellësve, as me teza populiste dhe si shef i qeverisë do të përballet padyshim me kompromiset.  Çështja është sa të mëdha do të jenë kompromiset, që mund ta shndërrojnë politikanin populist, në kryeministrin që pritet të sprovohet në qeverisje të paktën në katër vitet e ardhshme.

Rrugëtimi i Albin Kurtit, nga aktivizmi në krye të qeverisë

 Albin Kurti lindi më 24 mars 1975 në Prishtinë. Ai filloi të spikasë gjatë periudhës së luftës nisur nga viti 1997, pasi në rezistencë kundër Millosheviqit,  Albini u bë pjesë i Unionit të Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës. Në rezistencë kundër Milosheviçit në gusht të vitit 1997 Albini u kyç në Unionin e Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës, si anëtar i kryesisë e më vonë si zyrtar për marrëdhënie ndërkombëtare.

Kurti ka qenë gjithashtu edhe anëtar i Këshillit Organizativ të Protestave Paqësore dhe të pa dhunshme studentore për lirimin e objekteve universitare të uzurpuara me dhunë nga regjimi i Millosheviqit. Ai ishte njëri ndër udhëheqësit e protestës historike studentore më 1 tetor 1997 e cila u shtyp brutalisht nga policia e Millosheviqit.

Me fillin e luftës në Kosovë, në gusht të vitit 1998, Albini filloi punën në zyrën e përfaqësuesit të përgjithshëm politik të UÇK-së, Adem Demaçit, ku shërbeu si sekretar i zyrës. Gjatë kësaj kohe ka qenë i angazhuar në gjetjen e zgjidhjes politike për krizën në Kosovë.

Gjatë bombardimeve të NATO-s ai qëndroi në Prishtinë deri më 27 prill 1999, kur policia serbe e arrestoi. Me 10 qershor, me tërheqjen e forcave serbe në Serbi, ai së bashku me të burgosurit tjerë shqiptarë u transferua në burgjet serbe. Më 13 mars 2000 në Nish, Albini u dënua me 15 vjet burg të rëndë. Gjatë gjykimit ai refuzoi të njihte legjitimitetin e gjykatës duke thënë: “Ky gjyq nuk ka asgjë të përbashkët me të vërtetën dhe drejtësinë. Ky gjyq i shërben politikës ditore të regjimit të Millosheviqit që e ka mbajtur Kosovën nën okupim”. Kur u dënua, ai tha: “Nuk është me rëndësi nëse më dënoni dhe sa më dënoni. Çdo gjë që kam bërë e kam bërë vullnetarisht dhe me dinjitet, jam krenar për këtë dhe po të më jepej rasti do të veproja sërish njësoj”. Si rezultat i presionit ndërkombëtar Albini u lirua më 7 dhjetor 2001. Më 23 prill 2003 Albini diplomoi në fakultetin e shkencave kompjuterike dhe telekomunikacionit në Universitetin e Prishtinës dhe vazhdoi të jetë aktivist i të drejtave të njeriut dhe atyre civile.

Kurti punoi si aktivist në Rrjetin e Aksionit për Kosovën (KAN), të formuar në vitin 1997, që u ringjall në konferencën “Drejtimet e reja” të mbajtur në Prishtinë nga 8-13 korrik 2003. Më 12 qershor 2005 në muret që rrethonin ndërtesën e UNMIK-ut, aktivistët shkruan parullën “Jo negociata, vetëvendosje”, fjalë e cila pikërisht solli transformimin e KAN-it në Lëvizjen vetëvendosje! Shkrimi i parullave vazhdoi gati në të gjitha fshatrat dhe qytetet e Kosovës, dhe pastaj lëvizja filloi me përdorimin e metodave tjera kreative e të pa dhunshme sikurse janë aksionet simbolike, bllokadat dhe së fundi edhe demonstratat masive.

Kurti përsëri provon çdo të thotë pranga, në vitin 2017 ai u arrestua së bashku me dy deputetë të tjerë pas përfundimit të një proteste të partisë opozitare kundër marrëveshjeve me Serbinë dhe kundër asaj për shënimin e kufirit me Malin e Zi. Por të tre u liruan nga burgu për të vuajtur dënimin e tyre me masën e sigurisë “arrest shtëpie”.

Albin Kurti njihet edhe si politikani që ka guxuar të hedh gaz lotsjellës në parlament. Në një intervistë ai është shprehur:

“Gazi lotsjellës është një tym sqarues brenda seancës së Kuvendit… me këtë ai edhe iu ka treguar deputetëve dhe ministrave e kryeministrit që me aq lehtësi urdhërojnë policinë të ndërhyjnë me gaz lotsjellës kundër protestuesve, që të kuptojnë njëherë se si është të jesh në këpucët e qytetarit të thjeshtë, i cili i varfër e i papunë kërkon të drejta ekonomike-sociale, por pse jo edhe politike-kombëtare”.

Tashmë Albin Kurti është kryeministri i Kosovës, në një periudhë delikatë për marrëveshjen me Serbinë, por edhe të ardhmen evropiane. Mbetet për tu parë sesi do të sillet ai në arenën ndërkombëtare, por edhe në politikën vendase, me gjithë ulje-ngritjet e tij.

Albin Kurti: Do ketë ministër serb në qeveri, por jo nga Lista Serbe

Një ditë pas zgjedhjes dhe shpalljes së fitores së Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti ka folur për qeverinë e re. Në një prononcim për portalin serb ‘N1’, Kurti deklaroi se ai do të përfshijë në qeveri ato parti politike serbe, që nuk janë pjesë e Listës Serbe.

“Kushtetuta jonë thotë se duhet të ketë të paktën një ministër nga komuniteti serb në qeverinë tonë. Por Kushtetuta nuk thotë se duhet të jetë nga Lista Serbe. Kështu që ne do t’i përqendrojmë prioritetet tona në pakicat si komunitete, jo si parti. Kemi nevojë për një dialog rreth dialogut.

Ne duhet ta përgatisim mirë dialogun, sepse nuk mund të dështojmë përsëri, sepse do të kushtojë shumë. Do të shohim edhe ato 33 marrëveshje që kemi pasur nga 2011-2017, çfarë është përmbushur dhe çfarë jo dhe cilat janë ndikimet në jetën e njerëzve në Kosovë dhe një ditë do të fillojmë një dialog me Serbinë, i cili duhet të ketë parime të mira të forta”, – tha Albin Kurti.

Kurti deklaroi se taksa 100 për qind ndaj mallrave serbe nuk ishte politikë e partisë së tij, por se angazhohet për reciprocitet të plotë në të gjitha fushat.

1997

Albin Kurti  ishte njëri ndër udhëheqësit e protestës historike studentore, e cila u shtyp brutalisht nga policia e Milosheviçit.

1999

Albin Kurti arrestohet  kur policia serbe, transferohet në burgjet serbe dhe dënohet me 15 vite burg. Lirohet më 2001-shin.

2005

Albin Kurti themelon Lëvizjen Vetëvendosje. Një nga pikat politike të lëvizjes është  referendumi mbi bashkimin me Shqipërinë. /Gazeta Liberale

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

4 × four =