Kultura e dhunës fshihet pas perdes së patriarkatit - Arbëria News

Kultura e dhunës fshihet pas perdes së patriarkatit

 

Izela Tahsini

Në ditët në vijim të ngjarjes së rëndë në Kavajë – ku një grup djemsh adoleshentë akuzohen për përdhunimin e një vajzë minorene, tronditja vihej re dukshëm në të folurin rreth saj, në media dhe shoqërisht, me reagime vajtuese (ububu, e tmerrshme), fajtor-kërkuese (po nëna si nuk e kuptoi?…,) apo mohuese (mos ma hap fare këtë temë/dua të qaj në emision), etj. Shumë biseda e talk-show rrotulloheshin e i riktheheshin pyetjes: Si ka mundësi? Nganjëherë dukej sikur dëshironin ta kthenin ngjarjen në një përjashtim, si një anomali, që duke qenë e tillë nuk përsëritet më.

Kjo dëshirë për zhbërje, një mekanizëm mbrojtës i mirënjohur për shoqërinë tonë, në fakt, është nga çështjet e para të nevojshme për t’u adresuar, që mundësia për ngjarje të tilla të minimizohet në të ardhmen. Qëndrimet fataliste të llojit kjo shoqëri jemi/edhe në botë ndodhin gjëra të tilla/prapë do të ndodhin, nuk i hyjnë në punë kujt. Pra, duhet të flasim. Duket sikur media e ndihmon këtë të folur përmes emisioneve të pafundme të këtyre ditëve, por pas kësaj vijnë pyetjet: si jemi duke folur për këtë që ndodhi? Cili është diskursi dominant? A ka një mënyrë të re, më ndihmuese e jofataliste për ta bërë këtë?

 

Së pari, dua të theksoj se të trajtuarit e ngjarjeve si ‘scoop,’ të ngecurit tek ngjarja si kuriozitet, e të mos zhvendosurit tek të folurit për fenomenin, e për më tepër rrjedhja e vazhdueshme e të dhënave identifikuese për rastet në emisione, ndonjëherë dhe nga profesionistët, nuk është vetëm joetike, por e pafalshme. Në lidhje me ngjarjen në fjalë, Këshilli Shqiptar i Medias publikoi një deklaratë ku i tërhoqi veshin gazetarëve për një sërë shkeljesh etike. Gjithsesi, nëse nuk do të ketë asnjëherë penalitete në këtë drejtim, nuk mund të ketë ndryshim.

Megjithatë, përtej trajtimit mediatik të ngjarjes, besoj se ka ardhur koha që të pranojmë plotësisht dy të vërteta të rëndësishme: jetojmë në një shoqëri patriarkale dhe reagimi institucional është i pamjaftueshëm.

Të pranosh se jeton në një shoqëri patriarkale, nuk do të thotë të dorëzohesh, por, së pari, të kuptosh si ndikon kjo në prodhimin e ngjarjeve të tilla, dhe më tej të flasësh sesi dilet prej kësaj. Tashmë, me gjithë variacionet, ka një marrëveshje të përbashkët, jo vetëm në literaturën përkatëse, por edhe në të folurin publik dhe shoqëror në Europë e më gjerë, rreth të kuptuarit të patriarkatit si një shoqëri e dominimit mashkullor dhe shpërndarjes së pabarabartë të pushtetit mes burrave e djemve, përkundrejt grave e vajzave, duke rezultuar në norma shoqërore dhe praktika shtypëse.

Në një shoqëri të tillë, një vajzë në përballje me fillimet e seksualitetit të saj, mund të mos t’i drejtohet asnjëherë prindërve për informim e mbështetje, për të cilat mund të ketë aq nevojë, për të ditur se trupi i saj është i saji, se ajo do ta ndajë me atë që dëshiron, vetëm kur dëshiron e është gati, e jo prej presionit të të dashurit apo të moshatarëve, apo aq më shumë, jo prej shantazhit. Biseda të tilla mund të mos të bëhen as në klasë. Rrjedhimisht, aq më pak kjo vajzë nuk do të drejtohet për ndihmë, kur është në telashe, nëse shoqëria e konsideron seksualitetin femëror, veçanërisht në këtë moshë, tabu. Ajo trembet se në vend të mbështetjes, telashet do të shumëfishohen. Kjo është një ndër arsyet kryesore që shumë gra e vajza sjellin për herë të parë në terapi, pas dekadash, histori të abuzimit seksual të hershëm. ‘Po t’ia thosha familjes/të rriturve do të bëhej më keq, jo më mirë’.

Në një shoqëri patriarkale, të folurit me djemtë rreth marrëdhënieve me vajzat, nuk është pjesë e zakonshme e bisedave familjare. Një baba dhe nënë mund të mos të ulen me të birin për të folur herë pas here, sesi duhet ta trajtosh një shoqe me respekt, sesi nuk mund ta prekësh asnjëherë pa dëshirën e saj, as ‘me shaka’; sesi ‘jo do të thotë jo’ dhe nuk duhet të shtysh më tej, sesi të gjitha këto nuk janë opsionale, po të palejueshme. Biseda të tilla mund të mos të bëhen as në klasë. Po kështu, edhe një djalë që mendon ndryshe, në këtë shoqëri, nuk do të flasë kur shokët e tij po tallen në një gjuhë seksuale me një nga vajzat e klasës apo në rrugë.

Në një shoqëri patriarkale, përfitojnë privilegje si burrat edhe gratë patriarkale, dhe këta e kanë shumë të vështirë apo nuk duan ta shohin realitetin me këto syze. Po kështu, në këtë shoqëri, nga këto biseda të pabëra vuajnë vajzat e gratë, por edhe burrat e djemtë. Këto janë çështjet për të cilat kemi nevojë të flasim dhe gjuha që kemi nevojë të ndërtojmë, për të krijuar një realitet të ri, në shtëpi, me fëmijët, në kafe, me miqtë dhe kolegët, në media e kudo.

Krahas një gjuhe të re, patjetër që ka nevojë për ndërhyrje të reja. Sistemi i mbrojtjes së fëmijëve në Shqipëri, me gjithë përpjekjet e punën e vazhdueshme të shumë punonjësve individualë, organizatave, por dhe disa institucioneve të përkushtuara, mbetet ende në nivelin e ndërhyrjeve terciare, kur ngjarja tashmë ka ndodhur. Për më tepër, edhe në këtë nivel, për shumë nga arsyet e lartpërmendura e të tjera, identifikimi dhe raportimi i rasteve në kohë çalon. Nga ana tjetër, ndërhyrjet parandaluese (para se ngjarja të ketë ndodhur), mbeten shpesh pjesa ‘teorike’ e çdo dokumenti. Janë të nevojshme aktivitetet e vazhdueshme ndërgjegjësuese në klasë, në komunitet, në media, në çdo hapësirë publike, mbi të drejtat e vajzave dhe grave, abuzimin seksual në rrethin e besimit, mbrojtjen e fëmijëve, detyrimet ligjore të institucioneve, mbi patriarkatin, etj. Këto ndërhyrje i drejtohen si popullatës së gjerë, ashtu dhe fokusohen tek grupe të caktuara, si baballarët, nënat, mësuesit, etj.

Studimet e politikat nuk mungojnë, e në veçanti relevante janë një studim i vitit 2015 mbi abuzimin seksual në rrethin e besimit dhe një dokument politikash bazuar mbi të. Gjithashtu, praktikat e mira në këtë fushë nuk mungojnë në vendet rreth nesh, por zbatimi i tyre në vend kërkon planifikim të mbështetur nga një buxhet ekzistent, si në nivel qendror, ashtu dhe vendor. Vajzat dhe djemtë nuk mund të presin dhe koha është tani.

 

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

15 − 14 =