Kuponi tatimor - Arbëria News

Kuponi tatimor

Nga: Ardian VEHBIU

ardian-vehbiu

Qëkurse filloi lufta kundër informalitetit, viagra dhe kuponi tatimor u bë mjeti kryesor i luftës kundër ekonomisë informale, generic Shqipëria është bërë shembull i shquar në botë. Jo vetëm që u pranua me të drejta të plota në OBRL (Organizata Botërore për Respektimin e Ligjit), por ka filluar procesi i asocimit në BVL (Bashkimin e Vendeve të Lumtura).

U bënë tashmë vite, madje kanë ndryshuar shumë qeveri, që kur institucionet shqiptare nisën betejën pa kompromis ndaj bizneseve që nuk paguanin taksat. Rezultatet pozitive janë përpara syve të të gjithëve. Tashmë nuk ka transaksion ekonomik, që të mos regjistrohet nga kuponi, ose vërtetimi përkatës, si fatura ose urdhërpagesa.

Ekonomia informale është reduktuar jashtëzakonisht dhe po shkon drejt shifrës zero. Të ardhurat e buxhetit të shtetit janë rritur në mënyrë progresive.

Një nga masat më efikase ka qenë vënia e kuponit ndaj trafiqeve të ndryshme. Ka kohë që trafikantët e drogës janë të detyruar ta japin kuponin për shitblerjen e mallit. Cilado qoftë mënyra e transportit, në rrugë ajrore, detare ose të nëndheshme, cilido qoftë malli, hashash apo kokainë, trafikantët duhet të lëshojnë vërtetimin e duhur për mallin e shitur. Në rast kontrolli të policisë, shitësit dhe blerësit janë të detyruar ta tregojnë kuponin ose faturën, përndryshe rrezikojnë sekuestrimin e mallit.

Kjo formulë e suksesshme vjen nga arsyetimi i thjeshtë se është më mirë ta taksosh aktivitetin e paligjshëm, se sa të bëhet nën hundën e shtetit, ndërkohë që komuniteti nuk fiton asgjë. Sepse siç dihet, me buxhetin e shtetit paguhen gjithashtu forcat e rendit dhe mjetet e tyre. Juristët e konstitucionalistët e mbështetën masën e qeverisë me argumentimin se më mirë të shkelet një se sa dy ligje, dhe më mirë të kemi keqbërës që e respektojnë ligjin pjesërisht, se sa keqbërës që e shkelin ligjin me të dyja këmbët.

Nga ana tjetër, prurjet në arkat e shtetit janë rritur shumë falë deklaratave të gjykatësve. Këta janë tashmë të detyruar të tregojnë sa ryshfete marrin nga të pandehurit dhe familjarët e tyre, madje duhet t’u lëshojnë edhe kuponin tatimor, duke i derdhur shtetit pjesën e vet. Përndryshe, ligji i ri (i ashtuquajtur dekriminalizimi i dekriminalizimit), i dënon ata për dy vepra penale njëkohësisht: për ryshfet dhe për mos deklarimin e të ardhurave.

Nuk mund të mos përfshihej në reformën e re edhe shëndetësia me arsimin. Çdo mjek, infermier, pastruese, sipas udhëzimeve të reja, duhet t’u lëshojë vërtetim familjarëve të pacientëve, kur u merr parà në dorë. Për këtë arsye, spitalet janë pajisur me kasa moderne, që lëshojnë kuponë tatimorë për çdo veprim financiar, sidomos para sallave të operacionit.

Po kështu shkollat dhe universitetet, ku të ardhurat e shtetit rriten kryesisht në periudha provimesh, janë pajisur me kasa të shumta për të përballuar ryshfetet nga ana e studentëve. Këta të fundit, bënë edhe një manifestim publik kundër asaj pjese të trupit mësimor, që nuk i jep kuponët, duke mos respektuar ligjin dhe etikën, por edhe duke dëmtuar arkën e shtetit nga e cila ata paguhen rregullisht si të punësuar.

Senati i Republikës shqiptare ka votuar së fundi edhe në favor të lëshimit të kuponëve nga ana e politikanëve, shtresa e fundit që i kishte shpëtuar ende ligjit, meqë pjesa dërmuese e tyre ishin sipërmarrës të pasur e profesorë akademikë, pra që hynin në kategori të tjera me kuponë të konsoliduar. Mirëpo, kohët e fundit janë verifikuar tre raste të veçanta, tre deputetë të rinj (fshatar, punëtor, i papunë), që nuk taksoheshin në aktivitete të tjera, çka i detyroi ligjvënësit ta respektonin barazinë përballë ligjit, pra edhe kuponit. Sepse, siç dihet, edhe parlamentarët e marrin rrogën nga arka e shtetit.

Mbetet ende për të zgjidhur me ekspertë juristë, ose me juristë ekspertë, rastet e transaksioneve të dyfishta dhe/ose të dyshimta. Neni X thotë se “prostituta duhet t’i lëshojë klientit ose klientes kupon tatimor”. Tani, në rastin kur një politikan shkon tek një femër për seks me pagesë, kush nga këta konsiderohet prostitutë? Ose kur një biznesmen i jep ryshfet politikanit, quhet korrupsion apo mitmarrje? Po më rastin kur biznesmeni është edhe politikan njëkohësisht dhe paratë kalojnë nga një xhep në tjetrin të së njëjtës xhaketë?

Marrë nga peizash i fjalës

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

two × 1 =