Kur zgjidhja diktohet nga emergjenca… - Arbëria News

Kur zgjidhja diktohet nga emergjenca…

PROF. ASC. DR. REZANA KONOMI 

rezana-konomi

Protestat e studentëve vi jojnë të kenë një jehonë, jo për faktin se çfarë kërkojnë të plotësojnë studentët dhe si, por mbi të gjitha sepse shërbyen si një sinjal i zgjimit të reagimit qytetar përkundrejt padrejtësive, pabarazisë, paaftësisë dhe korrupsionit, i cili ka marrë përmasa të frikshme dhe është i kudondodhur. Por njëkohësisht ishin dhe zgjidhi nga gjumi i përhumbur i shtetit dhe organeve përgjegjëse për arsimin.

Në këtë çështje të shumëdiskutuar, pyetjet se kush fshihet pas saj, partitë që i mbështesin dhe shumë etiketime që i janë bërë, për t’i ulur vlerën dhe objektivin e vërtetë kësaj lëvizjeje, vjen dhe reagimi qeveritar me veprime ligjore dhe ndërmarrje vendimesh në kushtet e urgjencës, a thua se me një të rënë të lapsit paskemi vuajtur për të zgjidhur probleme komplekse dhe të mbartura shumëvjeçare.

E nëse kaq e thjeshtë paska qenë zgjidhja, natyrshëm mund të pyesim: pse asnjëherë askush nuk ka menduar për këto gjenerata studentësh, të cilët prej vitesh jetojnë dhe studiojnë në kushte mjerane. Kush dhe përse ka qenë kaq i interesuar që arsimi shqiptar të degjenerojë deri në varfëri ekstreme mendimi dhe veprimi dhe këtu nuk e kam fjalën vetëm për studentët, por edhe stafet akademike, sepse kusuret janë shumëplanëshe. A mban dikush përgjegjësi për këtë situatë, në të cilën ndodhemi apo gjithkush dhe askush …?!!!

Reforma në arsim, e cila u finalizua me miratimin e ligjit nr.80/2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë”, ka pasur që në krye të herës, si qëllim që të krijojë një sistem të unifikuar të arsimit të lartë, duke e trajtuar si një shërbim dhe përgjegjësi publike, pavarësisht llojit të institucionit arsimor nëse ishte privat apo publik. Pikërisht për këtë qëllim, shteti duhet të ushtronte funksione rregullatore për të garantuar autonominë, lirinë akademike, sigurimin e standardeve dhe cilësinë dhe akreditimin e institucioneve dhe të programeve të studimit për të gjitha institucionet arsimore.

Kjo filozofi dhe frymë që përshkruan çdo dispozitë të ligjit për arsimin e lartë, ka pasur si qëllim pikërisht që institucionet, për nga shërbimi publik që ofrojnë, të trajtoheshin në mënyrë të barabartë, të akreditoheshin, të rankoheshin në varësi të cilësisë dhe diplomat e tyre të kishin të njëjtën vlerë për çdo student, pavarësisht ku zgjidhte të studionte, në një institucion privat apo publik. Pikërisht këtë garanci, çdo studenti ia garanton ky ligj, i cili përpos shumë problemeve dhe shqetësimeve që ka sjellë në zbatim, ka sjellë dhe risi në mënyrën e të menduarit dhe të vepruarit, sepse tashmë të gjitha institucionet e arsimit të lartë duhet të kishin të njëjtin start nisjeje për t’u matur dhe konkurruar me njëra-tjetrën në një treg të hapur, ku cilësia dhe standardet do të bënin diferencën.

Duke pasur shumë rezerva për ligjin në vetvete, por mbi të gjitha për apatinë e organeve përgjegjëse në nxjerrjen e akteve nënligjore, mosveprime, të cilat pjesërisht lidhen dhe me pasojat dhe kërkesat e studentëve, nuk mund të besoj se aktet nënligjore (Vendimet e Këshillit të Ministrave) që dolën së fundi, më shumë të diktuara nga nevoja urgjente për të shuar zërin studentor sesa të studiuara paraprakisht, do të zgjidhin këtë situatë kaotike, që për hir të së vërtetës, nuk e gjen dot ku fshihet djalli.

Duke qenë pjese e arsimit të lartë, jam e interesuar për çdo akt ligjor dhe nënligjor që prek fushën e arsimit dhe me këtë motiv studiova VKM-në e dt.26.12.2018 “Për punësimin e studentëve të ekselencës në institucionet e administratës shtetërore jashtë shërbimit civil, për vitin 2019”, duke besuar se do të ishte një mundësi e artë, që do të lidhte kompetencën dhe aftësinë e përfituar në auditorë me kërkesat e tregut të punës.

Ne një nga pikat e këtij vendimi shkruhet:

E drejta e përzgjedhjes është sipas precedencës, si më poshtë vijon:

a)Studentët e diplomuar në institucionet e arsimit të lartë në një nga vendet anëtare të OECD-së ose BE-së;

b) Studentët e diplomuar në institucionet e akredituara të arsimit të lartë publik në Shqipëri;

c) Studentët e diplomuar në institucionet/programet e akredituara të arsimit të lartë jopublik në Shqipëri dhe studentët e diplomuar në vende të tjera jashtë Shqipërisë, të ndryshme nga vendet e OECDsë ose BE-së.

Në këtë renditje preferenciale mund të justifikoj deri diku diplomat e përfituara në një nga vendet e OECD-së ose BE-së (duke pranuar apriori se institucionet tona të arsimit të lartë, pavarësisht reformës së suksesshme në arsimin e lartë) janë shumë larg të krahasueshme me vendet e BE-së. Por të diskriminohen diplomat e përfituara në institucionet e arsimit të lartë (preferohet publiku dhe më pas jopubliku) brenda vendit, kur vetë ligji niset nga koncepti se arsimi është një shërbim dhe e mirë publike, që i shërben shoqërisë dhe si tillë, duhet trajtuar në mënyrë të barabartë, pavarësisht nëse forma e institucionit që e ofron është publike ose private, është njëlloj sikur të hedhësh poshtë (me dashje ose nga pakujdesia) gjithë ligjin, i cili është ndërtuar mbi këtë filozofi.

Diskriminimi dhe trajtimi i pabarabartë nga vetë qeveria e diplomave të lëshuara nga institucionet e arsimit të lartë jopublike bie ndesh me gjithë kuadrin ligjor që rregullon arsimin e lartë, për më tepër mohon vetë rolin e shtetit si rregullator dhe kontrollues i cilësisë që ka certifikuar standardet e institucioneve të arsimit të lartë.

Pak për parashtrim, (sepse ndoshta Kryeministri, sikurse për shumë problematika të tjera që lidhen me të drejtat e studentëve, nuk është në dijeni, sepse kështu është shprehur në çdo dalje publike), mund të informoj se institucionet e arsimit të lartë, publike dhe jopublike) i janë nënshtruar një procesi akreditimi institucional dhe në varësi të plotësimit të standardeve të cilësisë janë certifikuar, duke u akredituar në afate kohore të ndryshme, referuar plotësimit të kritereve të vendosura nga vetë organet shtetërore. Duke qenë se ky proces u realizua në bashkëpunim me një agjenci britanike, e besuar nga qeveria, nuk besoj se mund të vihen në dyshim vendimmarrjet nga Bordi i Akreditimit.

Por ky është një prej treguesve të cilësisë në institucionet arsimore. Një proces tjetër, ndoshta shumë më i rëndësishëm, është akreditimi i programeve të studimit që ofrohen nga institucionet e arsimit të lartë, publik dhe jopublik. Bazuar në ligjin e arsimit të lartë, neni 106, pika 3 “Akreditimi i parë institucional dhe ai i programeve kryhen përpara lëshimit të diplomave të para nga një institucion i arsimit të lartë. Akreditimi institucional i paraprin atij të programeve të studimit”.

Pikërisht për këtë arsye, qeveria duhet t’i konsideronte akreditimet (institucional dhe të programeve), duke i dhënë peshën dhe rëndësinë e nevojshme, për të renditur sipas preferencave diplomat e përftuara dhe të akredituara, duke u dhënë një shans të barabartë të gjithë studentëve, të cilëve duhet t’u vlerësohet kompetenca dhe aftësia në tregun e punës.

A është në dijeni qeveria dhe gjithë strukturat e tjera të aparatit shtetëror se programet e studimit të ofruara nga institucionet e arsimit të lartë publik janë pothuajse (ndoshta mund të ketë ndonjë program studimi, për të qenë e drejtë), por shumica janë të paakredituara asnjëherë dhe, nëse do të zbatonim ligjin, rezulton se dhe diplomat e lëshuara prej tyre janë të pavlefshme?

Për aq sa jam në dijeni, institucionet e arsimit të lartë jopublik i janë nënshtruar në mënyrë periodike akreditimit të programeve të studimit, disa për herë të parë dhe disa janë riakredituar me kalimin e afatit të akreditimit të parë, ndërkohë që në institucionet publike ky proces ose mund të jetë nisur tani ose në rastin më të keq nuk ka nisur fare, sepse asnjëherë nuk kanë kaluar në këtë sitë të certifikimit të cilësisë.

Në këto kushte të moszbatimit të ligjit në mënyrë të pabarabartë, (dikush trajtohet si i nënës dhe dikush si i njerkës), të dalë një vendim qeverie që vendos në radhë preferenciale – për punësim, pikërisht diplomat e institucioneve publike përkundrejt atyre jopublike, ndërkohë që programet e tyre nuk janë akredituar asnjëherë, do të thotë t’i japësh jetë kundërligjshmërisë dhe të favorizosh padrejtësinë dhe të vendosësh në kushte të pabarabarta studentët dhe diplomat e tyre.

VKM-ja e sipërcituar është në kundërshtim me ligjin “Për arsimin e lartë”, i cili kërkon t’i japë të njëjtën vlefshmëri diplomave, duke i vendosur të njëjtat standarde dhe kritere për matjen e cilësisë të gjithë institucioneve arsimore, publike dhe jopublike, por, nga ana tjetër, cenon dhe të drejtat e studentëve, të cilët zgjedhin të studiojnë në institucione arsimore jopublike, megjithëse mund të jenë ekselentë dhe lehtësisht të konkurrueshëm dhe të vlerësueshëm në tregun e punës, por vetë qeveria i vendos barriera administrative, duke i renditur të fundit në të drejtën e preferencës për punësim në administratën shtetërore.

Nëse pretendojmë për një shtet ligjor të së drejtës, ai duhet të jetë i tillë për të gjithë dhe duhet t’i sigurojë çdo studenti shanse dhe mundësi të barabarta, pavarësisht se kush është aktualisht në protestë dhe më pas strukturat shtetërore të krijojnë mekanizma për matjen e aftësisë, meritës dhe profesionalizmit.

Një shtet, i cili ngrihet në këmbë vetëm kur “fëmija qan” dhe bën zgjidhje urgjente për çështjet e ditës, nuk është as shtet dhe aq e pak vizionar. Arsimi kërkon strategji të mirëstudiuara afatgjata sepse efektet e çdo veprimi sot do të ndihen nesër dhe më pas do të jetë shumë vonë për t’u marrë sërish dhe sërish me pasojat.

Papërgjegjshmëria e disa zyrtarëve, drejtuesve apo qeveritarëve, mosveprimi në kohë për të zgjidhur problemet, nga të cilat vuan sot arsimi, nuk mund të kthehen në normë pune dhe në mënyrë ciklike sikurse ka ndodhur, nëse askush nuk mban përgjegjësi për pasojat e situatave kaotike, në të cilat ndeshemi sot nëpër auditore.

Institucionet arsimore duhet të ishin podiume të mendimit të lirë dhe krijues sepse në atë tempull të dijes bashkohet zëri dhe vrulli i të rinjve me eksperiencën dhe ekspertizën e pedagogëve.

Shteti ligjor, që dua dhe që duam të gjithë të funksionojë, nuk mund të jetë një kala prej rëre që ngrihet, bëhet dhe zhbëhet bazuar në interesa meskine të ditës për të kënaqur babëzinë e disa oligarkëve, të cilët po minojnë të ardhmen e këtij vendi.

Nëse nuk e kuptojmë se investimi në arsim është investimi për të nesërmen, i kemi minuar fëmijëve të ardhmen, identitetin, cilësinë dhe garancinë e jetës.

Dhe atëherë më duhet të pyes: Ky është vërtet vendi ku duhet të jetojmë…?!!!!!!!!

*Dekane e Fakultetit të Drejtësisë, universiteti “Luarasi”

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

four + eighteen =