ACK MARONEY & JAMES DIREDA

Do ta vizitonim për herë të parë vendin tuaj dhe kjo na bënte të ndienim një lloj frike të përzier me ankth. Udhëtimi në një vend të huaj, gjuhën e të cilit nuk e flisnim, kulturën e monedhën e tij nuk e kuptonim dhe nuk dinim të orientoheshim, e bënte atë shumë të vështirë. Vështirësia ndërkaq rritej edhe më shumë nga trazirat civile që po ndodhnin, protestat e dhunshme dhe pasiguria ekonomike. Nuk e dinim se si do të na prisnin shqiptarët, duke qenë se po shkonim atje për t’u folur hapur mbi problemet e varësisë. Përpara se të niseshim, bëmë disa kërkime, lexuam rreth Shqipërisë, morëm disa të dhëna lidhur me madhësinë e vendit, numrin e popullsisë si dhe u munduam të kuptonim historinë e pasur e komplekse të saj.

Ishim ftuar ta vizitonim vendin tuaj nga disa shqiptarë, ndër të cilët një shqiptaro-amerikane, si dhe shqiptarë të tjerë që jetojnë në Shqipëri. Në një prej takimeve tona me lexuesit, takuam Rezarta Reson, punonjëse në Bibliotekën Publike të Worcester-it, në Massachusets, e cila, e entuziazmuar prej librit tonë, u ofrua ta përkthente atë në gjuhën shqipe, me shpresën se në atdheun e saj mund të niste një dialog mbi përdorimin e drogës dhe të alkoolit nga të rinjtë. Më pas mësuam që në vendin tuaj ka jo pak probleme me drogën e alkoolin dhe se mjetet për trajtimin e tyre janë të pamjaftueshme. Mësuam, gjithashtu, se shqiptarët janë njerëz krenarë e me sedër dhe se nuk e kanë në traditë të flasin hapur për problemet e drogës e të alkoolit. Dikur, edhe ne në Amerikë ishim pak a shumë kështu si ju. Faktorët shoqërorë kompleksë si dhe mohimi, turpi e stigma që shoqërojnë varësinë nga droga e alkooli çojnë në një konfuzion pa fund. Në një sfond të tillë situata vetëm përkeqësohet dhe gjithnjë e më shumë individë, sidomos të rinj, e familjet e tyre luftojnë në heshtje. Ne e njohim mjaft mirë këtë fenomen, i pranishëm shumë vite më parë edhe në SHBA. “Lufta kundër drogës” apo, thënë më saktë, persekutimi i njerëzve që përdorin drogë, nuk është ndonjë gjë e re. Problemet e lidhura me drogën dhe alkoolin mbushnin titujt e parë në vitet ’60, ’70 e ’80 dhe pjesa më e madhe e njerëzve kishin frikë ose hezitonin të flisnin rreth tyre, ndërkohë që mundësitë për të kërkuar ndihmë ishin shumë të pakta. U desh të kalonte shumë kohë – dhe për këtë kemi paguar një çmim të lartë – që ne të mund të flisnim shumë hapur mbi këto probleme si dhe të siguronim mjete për trajtim e mbështetje për njerëzit nën varësi. Dhe siç thotë një autor i famshëm amerikan, James Baldwin, “Jo gjithçka me të cilën përballemi, mund ta ndryshojmë, por ama nuk mund të ndryshojmë asgjë, nëse nuk përballemi me të”. Probleme si ajo e varësisë duhen përballur e kuptuar, nëse shpresojmë t’i ndryshojmë, çka ne po e bëjmë që prej 30 vjetësh duke folur hapur me shpresën për të sjellë ndryshime.

Kur na u dha mundësia të vinim e të vizitonim vendin tuaj, nuk hezituam për të thënë “po”. I hipëm avionit me qëllimin për të ardhur aty e për të folur hapur rreth varësisë, varësisë sonë, varësisë suaj dhe varësisë në përgjithësi me çdokënd të interesuar. Ndenjëm një javë aty, gjatë së cilës folëm hapur rreth varësisë, kryesisht në shkollat e mesme dhe në universitete, por, çka është më e rëndësishmja, mësuam prej jush mbi problemin e varësisë në Shqipëri. Na bëri shumë përshtypje shkalla e lartë e empatisë dhe e dhembshurisë që ju keni. Biseduam me bashkatdhetarë tuaj, të cilët janë përkushtuar për të ndihmuar ata njerëz të pafat. Vëzhgimet që ne bëmë dhe komunikimi me shumë shqiptarë që takuam, na japin shpresë: anëtarët e YWCA of Albania, Koalicionet Vendore kundër Drogës, stafi mjekësor i Departamentit të Toksikologjisë në Spitalin Universitar “Nënë Tereza”, personeli policor, personat që ofrojnë trajtim për njerëzit nën varësinë e drogës e shumë të tjerë, që kanë marrë përsipër t’i prijnë ndryshimit dhe janë të gatshëm të flasin hapur mbi varësinë. Ne kemi shumë shpresë që Shqipëria është e gatshme dhe do që të flasë hapur mbi përdorimin e drogës dhe të alkoolit, një temë shumë komplekse dhe e vështirë, por e domosdoshme, me qëllim përmirësimin e jetës së individëve dhe të familjeve që vuajnë nga kjo sëmundje torturuese.

Shpresa më e madhe është rinia e vendit tuaj. Ne mbetëm të befasuar dhe na bëri tej mase përshtypje shkalla e kuriozitetit, e njohjes dhe e angazhimit të të rinjve shqiptarë rreth problemit të varësisë. Bashkëbisedimet tona me nxënësit e shkollave të mesme dhe studentët e universitetit ishin të sinqerta dhe plot kërshëri. Ata duan fort të përfshihen në përhapjen dhe rritjen e ndërgjegjësimit për këtë çështje. Ata e shohin se çfarë ndodh rreth tyre, e njohin mirë ndikimin që varësia ka mbi shokët, familjet dhe komunitetin, prandaj duan të jenë pjesë e ndryshimit. Ata kërkojnë fort që të dinë si ta bëjnë këtë, duan të ndihmojnë shokët e tyre dhe të përballen me një problem, që po shkakton kaq shumë dëme. Të rinjtë shqiptarë që takuam e biseduam, janë të mençur dhe të vendosur, të mprehtë e krenarë për trashëgiminë e tyre dhe nuk duan që ajo të shkatërrohet, sikurse ka ndodhur shpesh përgjatë historisë. Ata janë shpresa për ndryshim, shpresa për të ardhmen, por të vetëm ata nuk mund ta mbajnë barrën e ndryshimit. Atyre iu duhet ndihma jonë. Pasi u kemi mbijetuar sfidave nëpër vite dhe kemi nxjerrë mësimet e duhura për të vijuar udhëtimin tonë, sot e kemi për detyrë t’i drejtojmë dhe t’i mbështesim në punën e tyre.

Edhe pse historia e kultura shpesh i rezistojnë ndryshimit, sidomos një ndryshimi të tillë rrënjësor, është vërtet shumë e dobishme të shohësh një gazetë me influencë si “Panorama” të botojë një shkrim rreth nesh, një koalicion të të rinjve kundër drogës në Shkodër e punën e tyre, si dhe një talk show të famshëm si “Provokacija” e Mustafa Nanos të transmetojë një pjesë nga historia dhe libri ynë, me synimin për të hapur një dialog dhe për të rritur ndërgjegjësimin mbi problemin e varësisë.

Dhe ajo që nuk do të na kishte shkuar kurrë në mendje, ndodhi me pronarin e një kafeneje, të cilin Xhimi e kishte njohur gjatë qëndrimit tonë këtu. Ditën e fundit, kur Xhimi po dilte nga lokali, ai i tha: “Faleminderit që po e ndihmoni vendin tim”. Këto fjalë do të na tingëllonin herë pas here në vesh dhe do të na kthenin natyrshëm te kujtimet e fëmijërisë, kur një president yni i sapozgjedhur do t’u drejtohej bashkëkombësve tanë: “Dhe kështu, patriotët e mi, mos pyesni se çfarë mund të bëjë atdheu për ju, por çfarë mund të bëni ju për atdheun”.

Ne jemi mëse të gatshëm që të ndihmojmë ta përhapim gjithnjë e më shumë këtë frymë dhe të forcojmë treguesit e shpresës, që ky vend i bukur, kulturalisht i pasur, dhe njerëzit e tij krenarë, të jenë gati për të diskutuar mbi krijimin e politikave të rëndësishme lidhur me përdorimin e drogës dhe të alkoolit.