Mbyllet çështja "Shukriu", Prokuroria publikon bisedën erotike - Arbëria News

Mbyllet çështja “Shukriu”, Prokuroria publikon bisedën erotike

Shukriu-550x330

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka përfunduar hetimet për ish-kreun e Bashkisë Dibër, search Shukri Xhelili. Organi i akuzës publikon të gjithë dosjen hetimore duke dhënë detaje nga skandali seksual, pilule ku Xhelili u filmuar duke kërkuar marrëdhënie seksuale në kërkim të një vendi pune.

Sipas prokurorisë, për këtë procedim penal kanë rezultuar të provuara rrethanat e faktit si më poshtë:

“Në datën 12.05.2016, në emisionin investigativ “Të paekspozuarit”, në televizionin “Ora News”, janë transmetuar disa pamje filmike, në të cilat shfaqet i pandehuri Shukri Xhelili, me detyrë Kryetar i Bashkisë Dibër, duke kërkuar në mënyrë të parregullt përfitime dhe favore seksuale në shkëmbim të emërimit dhe ngritjes në detyrë të punonjëses në Bashkinë Dibër, shtetases A.A.

Më konkretisht, ka rezultuar se në muajin Janar dhe Shkurt të vitit 2016 shtetasja A.A, me banim në Dibër, ka bërë përpjekje nëpërmjet formave të komunikimit në rrjetin social Facebook dhe më pas me anë të telefonit celular, për të marrë kontakte me të pandehurin Shukri Xhelili, Kryetar i Bashkisë Dibër, të cilit i ka prezantuar kërkesën për mundësinë e punësimit në ndonjë vend pune pranë Bashkisë ose në vend pune tjetër.

I pandehuri Shukri Xhelili, me cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Dibër fillimisht është takuar me A. dhe i ka prezantuar faktin se nuk kishte vende të lira pune, por në vijim do e kishte parasysh kërkesën e A. duke i kërkuar asaj të mbanin kontakte me anë të rrjetit social Facebook si dhe me anë të telefonit celular.

Pas disa takimesh, i pandehuri Shukri Xhelili në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë i ka kërkuar Anisës që të kishte një marrëdhënie intime kundrejt mundësisë për gjetjen e një vendi pune, në Bashkinë Dibër, duke e kushtëzuar punësimin e shtetases A. A. vetëm nëse ajo pranonte të kishte një marrëdhënie intime me të pandehurin Shukri Xhelili.

Shtetasja A. e gjendur para kësaj situate, ka regjistruar bisedat me Kryetarin e Bashkisë Dibër dhe e ka pranuar kushtin por që këtë favor seksual ta pranonte pasi të punësohej.

I pandehuri Shukri Xhelili, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Dibër, me vendimin me Nr.25, datë 26.02.2016, ka vendosur emërimin e shtetases A. në detyrën e magazinieres pranë Qendrës Kulturore, në Bashkinë Dibër. Vendimi i emërimit të shtetases A. në pozicionin e mësipërm është marrë pa u kryer më parë ndonjë procedurë emërimi si dhe njëkohësisht pa u paraqitur ndonjë dokumentacion nga shtetasja A.

Në datën 26.02.2016 shtetasja A. është takuar me të pandehurin Shukri Xhelili në zyrën e këtij të fundit dhe ka regjistruar bisedën e kryer midis tyre. Në këtë takim i pandehuri Shukri Xhelili ka nënshkruar vendimin e emërimit në punë dhe njëkohësisht i ka kërkuar shtetases A. që të dilnin së bashku atë ditë, se ishte përgatitur për atë ditë pasi kështu e kishin lënë, se ishte mprehur, se kishte një farë padurimi, se akoma nuk e kishte futur në dorë, se akoma nuk kishte pasur marrëdhënie intime. Nga ana tjetër, shtetasja A. i ka thënë se do të takoheshin ditën e hënë dhe se nuk po e gënjente.

I pandehuri Shukri Xhelili ka vijuar kërkesën e tij ndaj A. për të kryer marrëdhënie intime, duke i premtuar se në vijim mund t’i gjente një vend pune më të mirë por gjithnjë nëse ajo do kryente më parë marrëdhënie intime.

Pas një sërë takimesh i pandehuri Shukri Xhelili me cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Dibër, ka lënë takim me A. në Tiranë me qëllim kryerjen e marrëdhënieve intime, kundrejt vendit të punës që i kishte ofruar më parë Anisës dhe mundësisë në rregullimin e një vendi tjetër më të mirë pune.

Në këtë mënyrë, në datën 13.04.2016 i pandehuri Shukri Xhelili është takuar me A. në Tiranë dhe pasi e ka marrë në automjetin e tij kanë shkuar në një hotel me qëllim për të kryer marrëdhënie intime. Pasi kanë shkuar në një nga hotelet e qytetit të Tiranës, i pandehuri Shukri Xhelili ka kryer veprime të drejtpërdrejta dhe ka tentuar të kryente marrëdhënie seksuale me A. e cila duke gjetur justifikime, ka mundur të dalë nga dhoma dhe të largohet nga hoteli, pa kryer marrëdhënie seksuale, me gjithë insistimin e të pandehurit Shukri Xhelili.

Shtetasja A. ka regjistruar me një telefon celular dhe me një pajisje videoregjistruese bisedat dhe veprimet e kryera nga ana e të pandehurit Shukri Xhelili. Gjatë hetimeve paraprake janë bërë kërkimet e nevojshme për të gjetur telefonin konkret celular dhe pajisjen videoregjistruese me anë të të cilave shtetasja A. ka regjistruar bisedat dhe veprimet e kryera nga i pandehuri Shukri Xhelili. Është kryer sekuestrimi i pajisjes video regjistruese por nuk është bërë e mundur sekuestrimi i telefonit celular pasi shtetasja A. nuk e ka më në përdorim aparatin celular me anë të të cilit e ka kryer.

Në rrethanat e mësipërme, i pandehuri Shukri Xhelili në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Dibër, ka kërkuar drejtpërdrejt nga shtetasja Anisa Alla përfitime të parregullta, konkretisht ka kërkuar përfitime dhe favore seksuale nga kjo shtetase, me qëllim për ta emëruar këtë të fundit si punonjëse në Bashkinë Dibër, si dhe me qëllim për ta sistemuar në një vend më të mirë pune në të ardhmen.

Kërkesa për përfitime të karakterit seksual e të pandehurit Shukri Xhelili ka qenë si kusht që shtetasja Anisa Alla të punësohej në Bashkinë Dibër dhe të emërohej më pas në ndonjë pozicion tjetër më të mirë. Përfitimet e parregullta të karakterit seksual përfshihen tërësisht në anën objektive të nenit 260 të K.Penal, dispozitë e cila parashikon në përmbajtjen e saj “çdo lloj përfitimi të parregullt”, ku përfshihen si përfitimet materiale, përfitimet seksuale si dhe çdo lloj tjetër përfitim i parregullt.

Në rrethanat e mësipërme, i pandehuri Shukri Xhelili ka konsumuar të gjithë elementët e figurës së veprës penale “korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, të parashikuara nga neni 260 i Kodit Penal.

I pyetur në lidhje me akuzën në ngarkim të tij i pandehuri Shukri Xhelili nuk e ka pranuar atë duke pretenduar se nuk ka prova që vërtetojnë fajësinë e tij, pretendime këto që nuk qëndrojnë dhe vijnë në kundërshtim me burimet e provave të administruara gjatë hetimeve paraprake, nga te cilat provohet plotësisht fajësia e të pandehurit për veprën penale që është akuzuar”.

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

seventeen − 3 =