Meta i dërgon letër Ruçit: Ja arsyet pse t’i ktheva dekretet - Arbëria News

Meta i dërgon letër Ruçit: Ja arsyet pse t’i ktheva dekretet

Presidenti Ilir Meta i ka kthyer sot në mëngjes një përgjigje letrës së Kuvendit të Shipërisë në lidhje me dekretet.

Kreu i shtetit sqaron të gjitha arsyet për shtyrjen e zgjedhjeve si dhe caktimin e një tjetër date të re (13 tetor).

Në përgjigjen e tij Meta shpjegon se vendosi që të shtyjë zgjedhjet për të garantuar unitetin e popullit shqiptar si dhe për t’i dhënë kohë palëve politike për dialog.

“Për këto e shumë arsye të tjera, Presidenti vlerësoi dhe vendosi se ishte e domosdoshme ndërhyrja e Kreut të Shtetit për shtyrjen e datës së zgjedhjeve për të garantuar unitetin e popullit; për të mbrojtur vlerat dhe parimet demokratike të sanksionuara në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë; për të ulur tensionin social; për të garantuar rendin kushtetues dhe demokracinë në vend; dhe për t’u dhënë kohë palëve politike për dialog gjithëpërfshirës dhe zgjidhjen e krizës së rëndë politike, që bëjnë pjesë themelore të detyrave dhe rolit të Presidentit të Republikës në një Republikë Parlamentare, veçanërisht në kohë krize”, thuhet mes të tjerash në përgjigjen e Metës.

Pjesë nga letra e Metës:

I nderuar zoti Kryetar,

Në adresë të Institucionit të Presidentit të Republikës ka ardhur shkresë-kërkesa e Kuvendit të Shqipërisë nr. 2502/13 prot., datë 19.07.2019.

Në vijim, Presidenti i Republikës bën sërish me dije se qëndrimi i Presidentit të Republikës mbi veprimtarinë e nisur nga Kuvendi për dekretet e Kreut të Shtetit, është përcjellë me shkresën tonë nr.1956/1 prot., datë 19.06.2019.

Presidenti i Republikës vlerëson t’i risjellë në kujtesë Kuvendit të Shqipërisë se lidhur me zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të vitit 2019, Presidenti i Republikës, si autoriteti i vetëm kushtetues që ka për kompetencë ekskluzive caktimin e datës, ka nxjerrë këto dekrete:

Dekret nr. 10928, datë 05.11.2018 “Për caktimin e datës 30 qershor 2019 si ditë për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore”.

Dekret nr. 11199, datë 10.06.2019 “Për shfuqizimin e dekretit nr.10928, datë 05.11.2018 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”.

Dekret nr. 11211, datë 27.06.2019 “Për caktimin e datës 13 tetor 2019, si ditë e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”.

Këto dekrete i janë përcjellë menjëherë autoritetit përkatës për zbatim sipas ligjit.

Kuvendi i Shqipërisë dhe jo vetëm, është i mirëpritur të gjejë të gjithë informacionin për të cilin ka interes, përfshi edhe traditën institucionale të Presidentit të Republikës, takimet, aktet ligjore, deklaratat, veprimtaritë, vizitat, konsultat, qëndrimet e Kreut të Shtetit apo Institucionit të Presidentit të Republikës, të publikuara në faqen zyrtare të Institucionit të Presidentit të Republikës http://president.al/. Ato janë publike dhe gjithkush mund t’i lexojë, të njihet e t’i përdorë ato.

Megjithatë është me rëndësi dhe shumë e nevojshme të rikujtojmë së bashku se data 30 qershor 2019, si ditë e zhvillimit të zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore, është caktuar me Dekret nr. 10928, datë 05.11.2018, të Presidentit të Republikës, në kushtet e një klime normale politike në vend dhe pas zhvillimit të konsultimeve me përfaqësuesit e tre grupeve parlamentare një praktikë kjo e konsoliduar nga kryetarët e shtetit shqiptar ndër vite.

Ndërkohë që anulimi i datës 30 qershor 2019, si ditë e zhvillimit të zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore dhe shtyrja e tyre për t’u zhvilluar ditë të djelë në datë 13 tetor 2019 është realizuar respektivisht me Dekretin nr. 11199, datë 10.06.2019 “Për shfuqizimin e dekretit nr.10928, datë 05.11.2018” dhe Dekretin nr. 11211, datë 27.06.2019 “Për caktimin e datës 13 tetor 2019, si ditë e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”, në kushtet e një krize të rëndë politike, kushtetuese, institucionale dhe të përfaqësimit, ku pas vlerësimit të situatës që po kalonte vendi, referuar dhe gjuhës së urrejtes së palëve politike dhe veprimeve të tyre dhe shprehjes së vullnetit të tyre për të mos eksploruar mundësitë e arritjes së një kompromisi politik, ekzistonte rreziku që Shqipëria të shkonte drejt një përshkallëzimi të paparashikueshëm të tensionit social, që mund të shkaktonte pasoja të pakontrollueshme me rrezik serioz për sigurinë publike, stabilitetin demokratik, qetësinë dhe paqen sociale në vend.

Pikërisht për këto e shumë arsye të tjera, Presidenti vlerësoi dhe vendosi se ishte e domosdoshme ndërhyrja e Kreut të Shtetit për shtyrjen e datës së zgjedhjeve për të garantuar unitetin e popullit; për të mbrojtur vlerat dhe parimet demokratike të sanksionuara në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë; për të ulur tensionin social; për të garantuar rendin kushtetues dhe demokracinë në vend; dhe për t’u dhënë kohë palëve politike për dialog gjithëpërfshirës dhe zgjidhjen e krizës së rëndë politike, që bëjnë pjesë themelore të detyrave dhe rolit të Presidentit të Republikës në një Republikë Parlamentare, veçanërisht në kohë krize /liberale/

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

two × 1 =