Militantët, ata që humbasin kur fitojnë - Arbëria News

Militantët, ata që humbasin kur fitojnë

Nga: Lorenc VANGJELI

Dy kandidatët kryesorë në garën e Tiranës, buy Veliaj dhe Kosova, buy por dhe gjithë kandidatët e tjerë të bashkive të vendit, duke nisur nga Shkodra me Bazhdarin e Ademin e për të mos përfunduar me Dakon e Dumën në Durrës, kanë përshtatur temën kryesore të shqetësimeve të qytetarëve: punësimin, si temë kryesore të premtimeve të tyre. Kjo nuk është zgjedhje vetjake, në fakt. Eshtë çfarë vetë politika mendon dhe gjykon. Kështu, duke perifrazuar sloganet e tre partive kryesore në garë, koalicionin PS e LSI dhe PD, duket se drejtimi i duhur i ofertës së politikës në këto zgjedhje administrative është më shumë shërbim e punësim dhe punë e dinjitet.

Ngjan se mbas 21 qershorit, cilësia e votës dhe ngjyra e saj, do të jetë gjithashtu një ofertë për punë për militantin, partia e të cilit merr kryetarin e rradhës së bashkisë. Në fakt është ndryshe. Militantët humbasin kur fitojnë. Kur janë në opozitë së paku ata kanë shpresën se do të punësohen nga partia e tyre që do të fitojë zgjedhjet. Dhe kur ndodh që partia fiton, në mënyrë paradoksale ata humbasin shpresën…

Humbasin të gjithë ata që këtë shpresë për faj të tyre, për faj të traditës, për faj kryesisht të politikës së varfër në ide dhe varfërisë në një vend si Shqipëria, e lidhin punësimin vetëm me ofertën që vjen nga shteti. Pakkush kujtohet se shteti nuk është punëdhënësi më i madh sot në Shqipëri. Pakkush kujton dhe kupton se puna në administratë, qoshja ku shpreson secili të vendosë shilten e tij, është shumë e kufizuar; se nëse nga disa dhjetra mijëra punonjësit që kanë emrin në borderotë e shtetit hiqen bluzat e bardha që nuk ndryshojnë me ndryshimin e ngjyrës në qeverisje, hiqen uniformat blu që ndryshojnë vetëm hierarkinë, hiqen mësuesit që ndryshojnë vetëm drejtorët e shkollave e të tjera kategori të tilla të ngjashme, nuk mbetet pothuaj asgjë që të mbetet në vullnetin e partive për ta ndarë me militantët. Si vend pune nga ato që janë premtuar në fushatë. Ky është një nga keqkuptimet më të mëdha të shqiptarëve. Rama dhe Meta, në mënyrë të përsëritur kanë folur për një model të dështuar ekonomik në vend dhe nevojën dëshpëruese për ta ndryshuar atë. Për të ndryshuar faktin që borxhet e djeshme të marrë për të ndërtuar rrugë, sa për të marrë një shembull, nuk shërbyen për të rritur cilësinë e jetës së qytetarit dhe rritjen e ekonomisë. Nxitja e një ekonomie prodhuese dhe të shërbimeve dhe sidomos bujqësia që ngjan si oborri i prapmë i shqetësimit të qeverisjeve të djeshme, do të jetë drejtimi i duhur për më shumë shërbim e punësim në vend. Dinjiteti i çdokujt që është sovran njëherë në dy vjet, për zgjedhje të përgjithshme e lokale nuk kalon vetëm nga duartokitja përballë atyre që premtojnë. Të premtosh nuk kushton asgjë. Sidomos të japësh atë që nuk e ke, siç po ndodh kryesisht në këtë fushatë. Të mendosh ndryshe do të thotë të humbasësh kur fiton. Sepse është aksiomë e provuar tashmë: një shpresë e gënjeshtërt që lind nga materniteti i politikës, përfundon shpejt në zhgënjim./Javanews.al

 

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

2 × 1 =