Mjekja onkologe Esmeralda Sera: Metoda e re për trajtimin e tumorit - Arbëria News

Mjekja onkologe Esmeralda Sera: Metoda e re për trajtimin e tumorit

 

Imunoterapia është një formë inovative e trajtimit të kancerit. James P. Allison dhe Tasuku Honjo ishin fituesit e “Nobel”-it për vitin 2018, të cilët krijuan një parim të ri për terapinë e kancerit nëpërmjet sistemit imunitar. Kjo metodë e re aplikohet sot në vendin tonë nga mjekja onkologe Esmeralda Sera. “Duke qenë se kanceri është një sëmundje që po përhapet vazhdimisht, edhe kërkimet studimore në këtë fushë janë të shumta. Bota sot po ecën drejt imunoterapisë dhe terapisë së personalizuar për çdo pacient. Në vitin 2018, dy mjekë morën çmimin ‘Nobel’ për të rejat e fundit të imunoterapisë, të cilat janë grupi i medikamenteve që quhet ‘Check point inhibitors, PD1 dhe PDL1’. Më të përdorurit janë pemprolizumab dhe nivolumab, të cilat unë i kam vënë në përdorim për trajtimin e pacientëve”, shprehet doktoresha.

 

Numri i të prekurve nga sëmundjet tumorale ka njohur rritje vit pas viti, por ajo që konstatohet së fundmi është fakti që edhe numri i të mbijetuarve ka ardhur në rritje. Edhe më pozitive janë parashikimet. “Numri i rasteve të reja të kancerit është 439.2 për 100,000 burra dhe gra në vit (bazuar në rastet 2011-2015). Në vitin 2016, pati rreth 15.5 milionë të mbijetuar nga kanceri në Shtetet e Bashkuara. Numri i të mbijetuarve të kancerit pritet të rritet në 20.3 milionë deri në vitin 2026”, vë në dukje mjekja onkologe.

 

Trashëgimia dhe stili i jetesës konsiderohen si shkaqet më madhore, që çojnë në shfaqjen e sëmundjeve tumorale. Por, krahas tyre, janë edhe disa faktorë të tjerë që po ashtu kanë ndikim. “Mutacionet e gjeneve që ndodhin pas lindjes janë shkaku kryesor i sëmundjes. Shumica e mutacioneve të gjeneve ndodhin pas lindjes dhe nuk janë të trashëguara. Shkaqet që ndikojnë në mutacionin e gjeneve janë të tilla si: pirja e duhanit, rrezatimi, viruset, kimikatet që shkaktojnë kancer (kancerogjene), obeziteti, hormonet, inflamacion kronik dhe mungesa e stërvitjes. Pra, stili i keq i jetesës ndikon në zhvillimin e sëmundjes”, shton më tej doktoresha. Ndër patologjitë më të përhapura, sipas saj, janë kanceri i traktit gastrointestinal, kanceri pulmonar dhe kanceret gjinekologjike.

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

18 − one =