Mjeshtri i skenografisë - Arbëria News

Mjeshtri i skenografisë

Lec Fishta lindi më 5 Mars 1920 në Shkodër dhe vdiq më 4 korrik 1995, buy po në qytetin e lindjes. Ashtu i dobët nga trupi dhe imcak në fytyrë, me punën dhe heshtjen e tij gjer në dhembje, lidhen afro 210 premiera, ku aktiviteti i tij në fushën e skenografisë është i shpërndarë në teatrin “Migjeni”, në shtëpinë e Kulturës, në estradën e qytetit, në teatrin e kukllave etj. Tregojnë për Lecin vogël: më parë se lodrat, trokitën librat në fëmijërinë e tij. Bota e magjepsur plot dritare të reja të librave e bëri të udhëtojë drejt një dëshire me ëndrra të panjohura… Ndoshta vjershat e ëmbla, me motive stinore të Mjedës, përrallat e Logorecit, tregimet e shkurtra e plot të papritura të Xanonit, iu duken si pikturë… E gishtërinjtë e tij të njomë nisën të kërkojnë lapsa me ngjyra, penela, akuarele, fletë e blloqe vizatimi…, më vonë ngjyrë vaji e tavalocë…

Nuk mund të rrinte më fshehur, çeli gonxhja e dëshirës fëmijërore për t’u bërë piktor! Edhe një dëshirë tjetër e Lecit të vogël, ndoshta e lidhur me një nga traditat e shkodranit, është pasioni për lulet. Ky pasion pasqyrohej realisht në oborrin e Fishtorëve, me lloje lulesh shumëngjyrëshe si në një pajë nuseje, qëndisur anash me levanturë e me shimshirë rradhë – rradhë. Jo vetëm oborri, por edhe salloni i shtëpisë kishte një sërë lulesh (jo të ngjashme me të oborrit), të cilat ngjyronin dhe nuanconin bukurinë farfuritëse të këtyre mjediseve pak a shumë të mbyllura si në tregimet e Koliqit. Në këtë ambient floreal, me një estetikë joshëse e mahnitëse, që ishte karakteristikë e oborreve shkodrane, nuk kishte se si të mos ishin të pranishme edhe dora krijuese, mendja plot fantazi e kujdesi i pafund i Lecit, të pasionuar pas “parajsës” së oborrit të vet.

Leci ishte në klasë të parë të Shkollës Saveriane, kur shikoi për herë të parë shfaqjet e tipit marionetë, të cilat i mbetën në kujtesë. Ndoshta këtu duhet t’i kërkojmë bulëzimet e para të krijimtarisë së tij të lidhura me teatrin e kukllave. Ndër vite ai realizoi 27 dekore për këtë teatër. Dhe spektatorit të vogël do t’i mbeten në kujtesë pjesët: “Bariu dhe fyelli”, “Zana e malit”, “Keci me zile”, “Ermira e pyllit”, “Shtatë kotelet”, “Rozafa” etj.

Kur mbushi nëntë vjeç, mori pjesë në bocetin “Një familje me gungaça”. Në subjektin e kësaj pjese ishin 10 a 12 fëmijë, të gjithë gungaçë, që bënin lëvizje gugançore dhe vallzonin rreth një këngëtari. Skenografi i kësaj pjese ishte Kolë Plani.

Prirjet për pikturë që kishte Leci, ia zbuloi i pari, mësuesi i vizatimit, Arturo Sala, i cili ishte skulptor dhe ikonograf. E mbajti pranë Lecin. I jepte të bënte vizatime në shtëpi. I dhuronte kartolina, të cilat kishin peisazhe të ndryshme dhe kryesisht natyra të qeta. Njëkohësisht mësuesi i vizatimit i krijoi mundësi dhe i mësoi Lecit shumë procese të ndryshme të punës së skenografit dhe të fshehtat e kësaj gjinie arti, dije të cilat do t’i thellonte më vone, në studimin e librit “Dietro il velario” (Mbas siparit). Mësimet deri në semimaturë i vazhdoi në Shkollën Françeskane. Krijimi i Shoqërisë “Antoniane” pranë kësaj shkolle, rreth vitit 1933, i dha hov aktiviteteve teatrore-artistike. Në këtë shkollë skenografi i ardhshëm Lec Fishta, shikoi shumë shfaqje që kishin diapazon kohor, vite dhe shekuj; pa larminë e ngjyrave të kostumeve, pa arkitektura të ndryshme, të cilat e formuan atë si artist. Gjatë viteve në Shkollën Françeskane u njoh edhe me piktorin Simon Rrota, që aso kohe punonte në realizimin skenik të pjesëve që viheshin në skenë. Edhe u largua Leci nga ajo shkolë e hyri në gjimnazin e shtetit (u diplomua në vitin shkollor 1940-1941), orët e vizatimit i bënte përsëri me piktorin Simon Rrota, sepse vetëm në atë orë shpreheshin aftësitë e talenti i Lec Fishtës. Piktori Simon Rrota e kishte kuptuar mirë pasionin e Lecit, ndaj shpreh e merrte në shtëpi. I shpjegonte teknikat e lapsit, karbonit, akuarelit e vajit.

Miqësia erdhi duke u forcuar. Shpesh Leci e shoqëronte piktorin-mësues, kur dilte për të pikturuar në natyrë, ku nxënësi i tij nuk “harronte” të bënte ndonjë skicë me laps apo me pastel. Më vonë piktori Simon Rrota e njohu Lecin me piktorin Zef Kolombi dhe piktorin-arkitekt Kolë Idromeno, personaliteti artistik i të cilëve tashë kishte kapërcyer hapësirat e vendlindjes. Tani, në ndërgjegjen artistike të Lecit, ndikimi i “shkollës artistike” të mjeshtërve shkodranë bëhet më i madh.

Me mjeshtrin Idromeno i qëllonte Lecit të rrinte më shpesh. Idromenoja, të cilin e karakterizonin thjeshtësia, natyrshmëria dhe respekti për talentin, i tregonte “kolegut” më të ri në moshë, herë pas here punimet e tij…

Gjatë kësaj periudhe njohjeje me piktorët e shquar të vendlindjes së tij, (që përbën edhe një moment të rëndësishëm të krijimtarisë së tij), Leci punon dekoret e farsës “Shapka dhe fllanxa” (kur dhe vetë interpretoi një rol), të komedisë me një akt “Nastradini i vogël”, të pjesës muzikore “Kunora e humbun”. Nga viti në vit, aktiviteti i tij artistik njeh rritje. Në gusht të vitit 1940 punoi skenografinë e dramës “Thomas Moore”, vënë një skenë nga regjisorët Agostin Ashiku dhe Mark Ndoja. Drama-premierë u dha me 15 Gusht 1940. Në të interpretuan: Luigj Toni, Pjetër Gjergji, Tom Leci, Pjetër Gjoka, Ndoc Shllaku, Injac Toni, Tonin Rrota, Shtjefën Shahini, Jak Ndreca, Lec Toni, Lin Kujxhija, Tish Baba, Kel Paloka, Rrok Berisha, Mark Shani dhe Ndrekë Shkjezi. Më vonë punoi skenën e parë të lojës së gazit më titull “Dy shullanët” e cila u shfaq më 06.07.1941. Së bashku me piktorin Gjon Hila bënë realizimin skenik të dekoreve të pjesës “Frati Texos”. Kjo pjesë ka një të veçantë për Lecin. Ai interpretoi rolin e një personazhi femër. Me siguri, në historinë e artit tonë dramatik raste të tilla sikur nuk janë të shpeshta. Lecin si aktor do ta shohim edhe në lojërat e gazit: “Bari i marrisë” e “Fotografi i hutuam”, kësaj here të realizuara nga Shoqëria “Antoniane”.

Në vitin 1946, Leci martohet me Antoneta Ndokillinë (Fishta), njërën nga aktoret e para profesioniste të teatrit “Migjeni”. Në jetën e tyre familjare, bisedat për artit nisën të zinin vend më shumë. Jetë artistësh! Në fundin e viteve 1947-1948 Leci punoi si skenograf në Shtëpinë e Kulturës. Dha ndihmesën e talentin e tij për ekzekutimin e dekoreve të dramave ” Bujtina e të varfërve” të M.Gorkitm , “çështja ruse” të B. Lavranjevit, “Portreti” i A. Afinogiekovit, “Dy binjakët venecianë” të K. Goldonit, “Nën gështenjat e Pragës” të K. Simonovit, “Dasma Shkodrane” (melodramë) me autor e regji A. Skanjeti, e vite më vonë opera “Mrika” të P. Jakovës. Në ditarin e tij Leci do ta kujtojë kompozitorin e shquar Jakova, edhe për këtë detaj: “Krahas aktivitetit tim në Shoqërinë “Antoniane”, Prekë Jakova më zgjodhi mua për të marrë pjesë në fanfarën e kësaj shoqërie, duke më besuar veglën muzikore rombë basse-sibemol”. Dhe kështu ne, zbulojmë edhe një pasion tjetër të skenografit Fishta, muzikën. Lec Fishta fillon veprimarinë artistike në teatrin “Migjeni” rreth vitit 1953. Është skenografi i dytë i këtij teatri.

Nga bisedat me aktorë, miq të tij, duke parë numrin e maketeve skenografike, që ende ruhen në arkivën familjare; janë tregues që flasin se mjeshtri Fishta ishte shumë punëtor. Harronte a ka orar pune, a s’ka orar pune. Nocioni i kohës për të sikur kishte humbur… Po t’ia përmendje ishte diçka absurde. Ndaj, fillonte në mëngjes e rrinte deri në mëngjesin e ditës tjetër për të mbaruar punën e nisur. Kjo i ndodhte jo rrallë, dhe sikur i kishte kthyer në ritual.

Realizimet e mjeshtrit Fishta i takojnë skengrafisë tradicionale. Me punën e tij të palodhur dhe me heshtjen gjer në dhembje që e karakterizonte, Leci përballoi jo vetëm në teatër, por edhe në estradë e në teatrin e kukullave, pa folur për Shtëpinë e Kulturës dhe aktivitete të tjera artistike. Një jetë me ngarkesë të jashtzakonshme, ku qiriu i shpirtit të tij dhe i krijimit qenë bashkudhëtarë dhe nuk u shuan kurrë…

I mbyllur në mbretërinë e heshtjes, Leci realizoi 210 skenografi, ndër të cilat veçojmë: “Zani i Amerikës”, “Nën okupacion”, “Shrëngrata”, “Berberi i Seviljes”, “Tirani i Padovës”, “Shtatë shaljanët”, “Kunora e Nurijes”, “Votra e huej”, “Paluku i Maleve”, “Bileta e llotarisë”, “Këshilli i ndrikullave” etij.

Në jetëshkrimin artistik të Lecit zënë vend edhe ekzekutimet e maketeve të piktorëve a skenografëve, me të cilët lidhej regjisori i shfaqjes. Kështu ka realizuar me mjeshtri, por njëkohësisht duke ruajtur individualitetin artistik të skenografit, marketet e Agim Zajmit, Shaban Hysës, Bep Shirokës etj. I pajisur me një kulturë të gjerë, njohës i disa gjuhëve të huaja, Leci shkroi edhe pjesë për fëmijë, si tekstin e melodramës “Mësimi i pyllit”, apo përkthimet e disa tregimeve të autorëve italianë, pa harruar se interpretoi edhe vetë në skenë. Por emri i tij i plotë dhe gjurmëlënës ka qenë në fushën e skenografisë.

Ndër vite, në skenën e teatrit “Migjeni” apo në të tjera, sa e sa aktorë interpretuan në rolet kryesore a episodike, në momente gëzimi a hidhërimi, në përjetime monologësh a shkëmbime batutash, asnjëherë nuk harruan të “bisedonin” edhe me Mjeshtrin profesionist të skenografisë, artistin Lec Fishta. /”ShP”

Fytyra e Kujtesës, Xhahid Bushati

 

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

eighteen − six =