Në kërkim të një Kryeministri normal - Arbëria News

Në kërkim të një Kryeministri normal

ROLAND BEJKO

Dy ditë më parë isha ulur në një kafene dhe po gjerbja një filxhan çaj me gazetë në dorë, kur dallova diku një mufkë të re nga ato që zakonisht Kryeministri ynë hipernarcizist i lëshon me shumicë në përgjigjet që jep në media, takime publike apo edhe në rrjetet sociale. Këtë herë po i thoshte një komentuesi në faqen e tij në “Facebook” se, “E di që kur të mos më keni do më kujtoni, por deri atëherë, ka plot kohë…”Pas të tilla deklaratave dhe reagimeve, ma merr mendja që nuk do jenë të paktë ata që pyesin veten se cilin kemi Kryeministër të vendit tonë? Kë kemi votuar? Kush është ky që na drejton. Natyrisht, për ithtarët dhe ndjekësit e tij, Ai është një njeri shumë i ditur, shumë politikan, shumë i zoti, lider që Shqipëria për të është si një kostum që i rri ngushtë përmasave të tij gjigante. Për dikë është lider i Ballkanit dhe gjynah që Shqipëria është kaq e vogël dhe pse jo, edhe politikan perëndimor, atipik për mënyrën si vishet, si ligjëron, si reagon dhe si komunikon me kundërshtarët. Politikan që i ka mundur të gjithë kundërshtarët, si brenda partisë edhe jashtë saj, që vishet bukur dhe që është spontan. Ia quajnë vlerë dhe zotësi që është shumë i pasur pa pasur asnjë biznes dhe asnjë pronë të trashëguar nga të parët e tij, që ka miq gjithë “të fortët” dhe kriminelët e Shqipërisë, që e kanabizoi dhe e kriminalizoi gjithë ekonominë e vendit, me arsyen se kjo i sjell të mira financiare shoqërisë, kur dënon me burg këdo që nuk paguan faturat e ujit dhe të energjisë e justifikojnë se “po bën shtet”.

Por, për joithtarët dhe kundërshtarët e tij, Edi Rama me të gjithë gamën e sjelljeve të tij në raport me komunikimin me qytetarët, me kundërshtarët politikë apo edhe me vartësit e tij, Ai u duket si një politikan ANORMAL.

“Anormal” është e kundërta e fjalës “normal”. Në fjalorin e gjuhës shqipe, fjala “normal” në kontekstin që po trajtojmë shpjegohet me: “Që është ose që bëhet në përputhje me zhvillimin e rregullt të gjërave; që nuk ka ndonjë gjë të jashtëzakonshme; që nuk shmanget nga norma; i rregullt, i zakonshëm.// Që është i shëndoshë nga ana mendore. Njeri normal.

Në fjalorin francez Larousse, fjala ”ANORMAL” shpjegohet kështu : “e kundërta e rendit të zakonshëm të gjërave, e së përgjithshmes, e rregullave ; temperaturë anormale p.sh. // Dezekuilibrim, marrëzi, i marrë, fëmijë anormal, fëmijë zhvillimi intelektual i të cilit është defektoz, i vonuar”.

Ndërsa fjala “normal” vjen nga “norm/ë/a, që do të thotë rregull e caktuar ligjore ose morale për sjelljen në jetë a në shoqëri, e pranuar përgjithësisht; diçka e detyrueshme për t’u ndjekur; rregullat që përcaktojnë jetën e brendshme të një organizate. Normat morale, juridike.

Pra, përpara nesh shfaqet një narcist anormal. Dihet që narcisizmi është karakteristikë e psikopatëve. Pra, qytetarët shqiptarë i drejton në ekzekutiv një njeri anormal, psikopat. “Narcizisti mendon se është superior ndaj të tjerëve, është manipulues, i mungon ndjeshmëria dhe qëllimisht shkakton dhimbje ndaj të tjerëve, është i prirur të shkaktojnë konflikte, të cilat i japin kënaqësi kur shikon që viktima e tij vuan, poshtërohet etj”.

A nuk i ka këto karakteristika Kryeministri ynë, Edi Rama? A nuk është ai që i fyen me neveri të gjithë kundërshtarët e tij, të gjithë vartësit, bashkëpunëtorët, qytetarët në “dëgjesat publike”, ata që i komentojnë në “Facebook”, media etj?

Pra, Edi Rama është një Kryeministër anormal, i cili e ka vendosur veten mbi ligjin dhe institucionet, duke diktuar për jetën e gjithsecilit, madje edhe shijet e tij estetike. Ai ka krijuar në mendjen e tij një realitet virtual për Shqipërinë si vend të zhvilluar dhe që po na detyron ta pranojmë si të vërtetë, pavarësisht realitetit mjeran që takon përditë në realitet secili prej qytetarëve dhe që është krejt ndryshe nga i tij.

Prandaj, qytetarët shqiptarë kanë nevojë minimalisht për një Kryeministër normal. Në vitin 2012, në zgjedhjet presidenciale në Francë, kandidati socialist Francois Hollande doli me sloganin “Unë jam një kandidat normal sot dhe do jem një president normal nesër”. Përballë tij ishte “supermani” Sarkozy, Presidenti në detyrë i Francës, i cili ishte dalluar për një jetë luksoze, më pushime e shpenzime të tepruara luksi, i divorcuar disa herë dhe i rimartuar me një këngëtare dhe modele të njohur si Carla Bruni. Francezët dhe kundërshtarët e tij e quanin “presidenti blingbling”. Sarkozy kishte thyer kornizat tradicionale të protokollit të Presidentit Francez, duke marrë një profil më sportiv, më spontan, më rinor. I etur për të qenë një reformator liberal për ta dinamizuar jetën ekonomike-politike dhe sociale të Francës tradicionale duke e “amerikanizuar” disi atë, por i penguar dhe refuzuar brutalisht nga opozita e majtë dhe sindikatat agressive.

Vetëm kaq. Sarkozy ishte një President pak ndryshe nga rregulli, nga norma tradicionale, pa i shkelur ligjet, Kushtetutën, pa dominuar institucionet etj., pra mund të themi se ishte disi atipik, por nuk mund të themi se ishte “anormal”. Dhe vetëm për kaq francezët u ndjenë të bezdisur.

Francois Hollande, rivali i tij me intuitë, e kuptoi se çfarë mendonin francezët për Sarkozy, e kuptoi çfarë donin ata nga një kandidat rival dhe me inteligjencë deklaroi se unë jam “kandidati normal”. Dhe fitoi zgjedhjet.

Francezët e zgjodhën president të tyre. (Në fakt, gjatë qeverisjes së tij Hollande mbahet si Presidenti më anormal që ka njohur historia politike e Francës,i paaftë dhe me plot histori rozë, nuk mbajti asnjë premtim, por kjo është tjetër temë).

Pra, po ta gjykojmë me kutin shqiptar Sarkozy nuk kishte arsye të largohej nga pushteti për kaq pak devijime nga norma. E imagjinoni dot se cila do të ishte qasja e francezëve ndaj një Kryeministri anormal si Edi Rama? A mund t’ia falnin dot francezët Kryeministrit të tyre kriminalizimin e Parlamentit, administratës dhe bashkive? A mund ta toleronte kush korrupsionin galopant me PPP, paketat 20 milionë dollarëshe të Unazës së Re, kanabizimin e vendit, vjedhjen dhe blerjen e votave e ndarjen e pasurisë kombëtare me gangsterët, mafien dhe kriminelët? A mund t’ia falte opozita franceze kryetarit të shtetit mbylljen e hapësirave të komunikimit politik, refuzimin, talljen dhe dhunimin e saj? A mund t’ia falnin sindikatat mungesën e shërbimit shëndetësor, pagat dhe pensionet e ulëta dhe shpenzimet marramendëse qeveritare?

E sigurt që jo. Francezet i kanë ngritur themelet e Republikës mbi kokën e prerë të mbretit dhe gjakun e miliona njerëzve. Kështu që, si ata që qeverisin dhe ata që qeverisen, i njohin limitet e tyre. Askush nuk e kalon vijën e kuqe. Përndryshe, gijotina aty është. Në sheshin “Concord”.

Në këto kushte, kur shqiptarët drejtohen nga një Kryeministër “anormal”, që pas publikimit të përgjimeve ku del qartë se ai dhe makineria e tij ekzekutive ka vjedhur dhe blerë vota, ka humbur legjitimitetin e qeverisjes. Ndërsa qytetarët janë legjitimë në protestat e tyre. Opozita qe udhëhiqet nga zoti Basha është legjitime gjithashtu në lëvizjen e saj radikale të djegies së mandateve dhe në radikalizimin e më tejshëm të këtij aksioni politik, për aq kohë sa ky anormali Kryeministri ynë nuk pranon të dorëhiqet dhe t’u hapë rrugë zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Prandaj, në datën 16 mars, një muaj pas protestës së madhe të 16 shkurtit, ma merr mendja se do jenë edhe më shumë qytetarë të revoltuar ndaj Ramës në sheshet e Tiranës dhe para Kryeministrisë. Qytetaret tashmë e dinë se drejtohen nga një narcizist anormal, që i tall, i vjedh dhe i urren ata. Tek e fundit, shqiptarët nuk duan asgjë më shumë dhe asgjë më pak, veçse një Kryeministër normal që të dalë nga vota e lirë, të respektojë ligjet, institucionet, qytetarinë dhe liritë.

Kështu që, më 16 mars ata do të jenë legjitimë në revoltën e tyre në kërkim të një Kryeministri normal.

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

four × five =