NË VEND TË NJË KARTOLINE URIMI PËR ILIRIAN ZHUPËN QË SOT MBUSH 62 VJEÇ - Arbëria News

NË VEND TË NJË KARTOLINE URIMI PËR ILIRIAN ZHUPËN QË SOT MBUSH 62 VJEÇ

Nga Petrit Ruka

I dashur Ilirian,
nuk di se me çfarë urimi të të gëzoj sot që mbushe 62 vjeç, vëllai im i një jete. Është e pamundur të gjej fjalët e duhura, por në vend të tyre po të dërgoj një letër tënden, që ma ke nisur 38 vjet më parë, kur ishe vetëm një 24 vjeçar. Nuk është një letër, por një poezi që mungon në krijimtarinë tënde. Një poezi e mrekullueshme trimërore, e nisur fill pas përjashtimit tënd nga shkolla e lartë. Fat që e kam ruajtur. Është një ulërimë shpirti, me të cilën ti kokëshkëmbi im kurveleshas, nga i ke rrënjët, nuk ke pasur frikë të akuzosh tërë botën. Një nga ato letrat që çuditërisht ka arritur deri në fshatin tim, ku unë punoja si mësues dhe që nuk di si i ka shpëtuar syrit të “ciklopit”, sepse me të mund të niseshim të dy me byzylykë në duar drejt Spaçit, duke e filluar stazhin e “riedukimit” së paku me një pesëvjeçar të mirë.
E unë nuk di nëse ne ishim vërtet trima, apo thjesht pavetëdijshëm na bënte poezia të tillë.
Po ta rinis sot, me zarf të hapur në vend të një përqafimi për datëlindjen. Po e bëj këtë pa lejen tënde, por ajo është prona ime e me pronën time bëj ç’të dua tani në kapitalizëm. Ashtu siç janë letrat e mia prona jote dhe ti prej vitesh më mban me premtimin që një ditë do të kem një fotokopje të tyre.
Njëmijë urime e përqafime për ty!
Me dashuri vëllazërore
Petriti
Tiranë, 5 janar 2018

P.s
Këtu më poshtë ke origjinalin dhe transkriptimin e saj të plotë.

Petja!
Sot jam si era që fryn në një drejtim. Kundër plehurinave, njerëzve të vegjël, shpifjeve, thashethemeve, cmirës. Jam i tëri ajër, hapësirë, qiell i paanë dhe fryj…Sot jam i lirë, d.m.th jam njeri.
Letrën tënde e mora. U gëzova për letrën, u shqetësova për ty.
Po pse, mor Petja, mor palaço sëmuresh në një kohë të tillë?!
Ti e di që shëndeti yt më duhet, më duhet rinia jote, buzëqeshja jote dhe përçmimi gjithashtu. Të urdhëroj të lësh llafet dhe të shërohesh sa më parë. Të shërohesh, e të trokasësh si qëmoti, më kupton?!
(Ah, sikur këto gjëra të bëheshin me urdhër!)
Më thoshe se doktorët shpesh e më shpesh të dëgjojnë zemrën. (Të shkretët doktorë!) Kam bindjen se zemra jote është në rregull. Mos u beso mjekëve! Ata nuk dinë të dëgjojnë zemrën e poetëve, nuk munden ta kuptojnë gjuhën e saj. Ajo ka një gjuhë tjetër, mbushur me brenga e shqetësime. Ka gjuhën e së ardhmes, vëlla…
Ti nuk po shkruan gjë! (Si ta besoj këtë?) Ti nuk je më institutas je njeri, njeri dhe i çliruar nga shumë punë të vogla. Mos më thuaj më që nuk po shkruaj. Do armiqësohemi.
Unë jam mirë …. (letra këtu është e grisur dhe fjalët nuk lexohen dot e vijojnë më tej) …..fatkeqësi është të jesh mirë, kështu si unë. Ç’mrekulli!
Petja, më përjashtuan nga e drejta të nënshtrohem. Tani jam i lirë, nuk jam më student, as i persekutuar. Tani kam të drejtë të flas me zë të lartë, të qaj, të këndoj, të çmendem.
Kam 15 ditë që jam i tillë. Shkaqet e përjashtimit nuk po t’i tregoj, se janë për të qeshur. Komike, shumë komike. Dhe ti je ende sëmurë dhe s’të lejohet të qeshësh shumë. Kur të vij atje do të t’i rrëfej të gjitha.
Nuk kam shkruar pothuajse asgjë. Tani mendoj se erdhi prapë koha të shkruaj.
Këto ditë po jetoj në Tiranë. Me pak fjalë jam kryeqytetas, kryerebelas…
Më fal që s’po zgjatem. Kam harruar të shkruaj. Më gjatë do të të shkruaj së afërmi, sa të mësoj alfabetin. Të fala të gjithëve, të fala nga shtëpia. Manes të fala!
Vëllai yt
Iliri.
firma.
Tiranë, 4. 2. 1981

Fotografia e Petrit Ruka
Fotografia e Petrit Ruka

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

three × 1 =