Një mision për Drejtësinë e Reformës - Arbëria News

Një mision për Drejtësinë e Reformës

Presidenti shpërthen ndaj të gjithëve dhe lë të kuptohet se reforma në drejtësi është e dështuar si pasojë e kapjes së institucioneve të saj. Çfarë është misioni i BE për vlerësimin e reformës që Meta i ka kërkuar zyrtarëve europianë.

Në konferencën “Për Sigurinë në Ballkan”, fjala e presidentit Meta u duk si një shfrim kundër të gjithëve. Kritika për opozitën dhe maxhorancën dhe pamundësinë e institucionit që ai përfaqëson për t’i ulur liderët në një tryezë bisedimi. Gjuhë e ashpër me  ndërkombëtarët dhe vërejtje për ato që janë cilësuar si suksese të mëdha në Reformën për Drejtësi.  U shpreh se i ishte shmangur deklaratave publike rreth Reformës, të paktën deri dje. Nëse do të ishte sukses tre vite nga miratimi i saj, do të thoshte presidenti, vendi nuk do të qe pa Gjykatë Kushtetuese. “Reforma nuk bëhet me retorikë dhe presion, por me standarde”, tha kreu i shtetit, duke u ndalur edhe tek vënia në jetë e procesit.  “Nëse duhet me emra asnjëherë nuk është e qëndrueshme, por forma të reja për kapjen e institucioneve”, akuzoi ai, duke lënë të kuptohet se institucionet kyçe të drejtësisë së re, si Këshilli i Lartë i Prokurorisë  apo Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, drejtohen nga njerëz nën influencën e qeverisë.

Gjykata Kushtetuese

Me një merak, që dukej se e mbartte kaherë, presidenti u ndal tek rasti i Gjykatës Kushtetuese, një nga institucionet e para të drejtësisë, që shkoi drejt shpërbërjes prej procesit të vetingut. “Dy herë janë hedhur shortet e KED-së, që është institucioni kryesor për reformën në drejtësi. Kam bërë përpjekje të mëdha që gjithçka të bëhet sipas Kushtetutës. Herën e dytë si President, një papërgjegjshmëri totale dhe nga ndërkombëtarët”, u shpreh Meta, ndërsa kritikat e tij ranë edhe mbi Euralius, misionin e BE-së për reformimin e drejtësisë shqiptare.

“Kam folur hapur, më takon të hedh shortin, por e dimë se çfarë ka ndodhur dhe hajde të ftojmë institucionet jashtë kamerave për të unifikuar qëndrimin e përbashkët, që të mos kemi debate dhe kontestime. Kërkova angazhimin me shkrim të delegacionit europian dhe Euralius që paguhet për këtë dhe ditën e fundit Euralius çon përgjigje se nuk vijmë dot në takim,  se jemi mision teknik. Kjo do të thotë se ke marrë porosi politike. Unë nuk e di nga u mor kjo porosi politike. Bëhet fjalë për institucionet e këtij vendi”, u shpreh presidenti, duke e vënë gishtin, megjithëse pa përmendur emra konkretë, tek kreu i qeverisë. “Je mision dhe të fton Presidenti për Kushtetutën e një vendi, po ky Euralius si i jep një vërtetim një kryetari të komisionit të ligjeve për të zgjedhur një institucion,  që nuk ekziston në Republikën e Shqipërisë në kundërshtim të hapur me Kushtetutën?”, u shpreh presidenti.

Dhjetorin e kaluar, megjithë refuzimin e presidentit Meta për të mos e hedhur shortin për shkak të vakumit ligjor, Kuvendi vijoi procedurën për zgjedhjen e nëntë anëtarëve në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, duke nxjerrë fitues vetëm tetë. Sipas presidentit kandidatët e KED do të duhej të filtroheshin nga tre organe kushtetuese, si Gjykata Kushtetuese, Këshilli  i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, të cilat u ngritën dhe e nisën punën ditë më vonë zgjedhja e anëtarëve të KED. Kreu i Kuvendit, do të deklaronte se letrën e presidentit për shortin, e kishte konsultuar me ekspertët ligjorë EURALIUS dhe  OPDAT.

Kjo, tha Meta, nuk mund të jetë drejtësi europiane, ndërsa nuk harroi të ironizonte shprehjen e ish- ambasadorit  amerikan Donald Lu, të “peshqve të mëdhenj”, që do të duheshin të arrestoheshin. “Kjo nuk do ta luftojë korrupsionin më shumë. Nuk do ta luftojë më shumë krimin e organizuar. Këto historitë e peshqve i keni dëgjuar dhe dëgjoni, reforma do të jetë e suksesshme kur të ketë më shumë investime nga SHBA, Britania dhe të tjera”, vijoi Meta.

Dyshimet për reformën

Ky shpërthim i drejtpërdrejtë i presidentit vjen pas deklaratës së marsit, ku ndërsa solli shembullin e presidentit kilian Allende, foli për një krizë që i kalonte përmasat e politikës dhe bëhej kushtetuese e institucionale.

Nga ana tjetër opozita e cila dogji mandatet parlamentare gjatë muajit shkurt ka lëshuar shpesh akuza për kapje të reformës në drejtësi, duke e thënë theksin jo rrallë edhe në emra konkretë apo edhe peshoren e pabarabartë të vetingut. E megjithatë, nëse sita e  KPK-së nuk ka qenë aq e imët dhe e ka mbyllur një sy për emra të veçantë, të cilët kanë pasur vërejtje nga ekspertët ndërkombëtarë të ONM-së, Kolegji i Posaçëm i Apelimit duket se është më i rreptë. Kështu ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja nuk mundi ta kalojë me të njëjtën lehtësi vetingun në KPA, pasi nuk justifikoi dot pasurinë. Dedja u konfirmua në detyrë nga Komisioni i  Pavarur i Kualifikimit, por u shkarkua nga detyra nga KPA.

I njëjti rrugëtim edhe për Xhezair Zaganjorin e Gjykatës së Lartë, i cili po shqyrtohet nga KPA, pasi e kaloi me sukses KPK, edhe pse fillimisht e vlerësoi se kish bërë deklarata të pasaktë të pasurisë dhe kontrata fiktive.  Edhe kryeprokurorja e Krimeve të Rënda Donika Prela, një rast i ngjashëm me atë të gjyqtarit Dedja në justifikimin e pasurisë, pas konfirmimit në detyrë nga KPK. Së fundi, Kolegji i Posaçëm i Apelimit, vendosi shkarkimin e prokurores Antoneta Sevdari, njëherazi  anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Edhe në rastin e Sevdarit, përfundimi ishte se kishte bërë deklarim të pamjaftë të pasurisë, por edhe shfaqje të mungesës së  profesionalizmit, duke mos apeluar një vendim gjykate me të cilin nuk kishte qenë dakord dhe kishte cenuar besimin e publikut te drejtësia. Në vend të Sevdarit, si anëtar i KLP-së u zgjodh Vate Stakaj, prokurori i cili prej vitit të kaluar është nën hetim nga Prokuroria e Shkodrës. E megjithatë, kryeprokurorja e përgjithshme e përkohshme Arta Marku, e kualifikoi si kandidatin e vetëm për KLP-në.  Edhe Marku, e cila e kaloi me sukses procesin e vetingut, ku e vetmja rezervë e ekspertit të ONM-së ishte një zell i tepruar në kërkesën për  dënim me burg  ndaj një shtetasi të ndaluar për ngarje makine në gjendje të dehur, është një nga emrat e anatemuar nga opozita si shembull i kapjes së drejtësisë. Prokuroja e Përgjithshme e përkohshme, që kërkon tashmë një mandat të plotë, u zgjodh më 2017-n, me votat e maxhorancës në Kuvend dhe tymueset e hedhura në shenjë kundërshtie nga opozita.

KLP

Por organi më i akuzuar nga opozita është Këshilli i Lartë i Prokurorisë, kryetar i të cilit është Gent Ibrahimi, me lidhje farefisnore me ish-ministren dhe deputeten e PS-së,  Mimi Kodheli. Debat publik ka shkaktuar edhe emri i një tjetër anëtari të KLP-së  Bujar Sheshi, i akuzuar si bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit gjatë regjimit komunist. Megjithëse arriti ta fitojë çështjen në Gjykatën e Shkallës së Parë, aktualisht çështja ka përfunduar në Gjykatën e Apelit.

Presidenti, i cili edhe më herët nuk i ka kursyer kritikat për “ndonjë” ndërkombëtar, siç do të shprehej më herët ai kur i referohej krizës politike, do të shprehej,  se askush nuk mund ta dhunonte Kushtetutën e vendit, “as presidenti dhe asnjë ambasador, diplomat apo komisioner”, tha ai gjatë konferencës së djeshme organizuar nga qendra “George. C Marshall”.

Meta do të zbulonte se kishte folur me drejtorin për zgjerimin në BE, Christian Danielsson, kohë më parë se ai të vizitonte Tiranën zyrtarisht, ku megjithëse në mes të krizës politike e bëri të qartë se fokusi i tij ishte tek ecuria në Reformën e Drejtësisë.

“Në fillim të tetorit i kam thënë drejtorit për zgjerimin Danielsson se jemi pa Gjykatë Kushtetuese. Prandaj sillni një mision vlerësimi për zbatimin për reformën, pasi po ikën kaq kohë, në mënyrë që të garantojmë që kjo është histori suksesi, pasi përmes kësaj do të jemi më të besueshëm për negociatat”, tha Meta, duke krijuar një analogji me Raportin “Priebe”,  i implementuar në Maqedoninë e Veriut, kërkesë e artikuluar edhe nga kreu i PD-së, Basha. Ky raport, që zgjidhi krizën e thellë politike dy vjet më parë tek fqinjët, ku grupi i eksprtëve ndërkombëtarë drejtuar nga  nga ish-drejtori për Ballkanin në Komisionin Europian, Reinhard Priebe identifikoi problemet e demokracisë dhe publikua nga Komisioni Europian.

Situata aktuale me Gjykatën Kushtetuese duket e ngecur, pasi shumë kandidatë për vendet vakante janë tërhequr me vullnet, duke mos preferuar të kalojnë nën procedurën e verifikimit, vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes së kandidaturës nga KED.  Situata duket se do të vazhdojë edhe për pak kohë, ku pritet që vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese, në rast se nuk do të ketë tërheqje të kandidatëve, të plotësohen brenda qershorit të këtij viti.

Pamundësia e tryezës

Qershori gjithashtu është edhe muaji i zgjedhjeve lokale, që këtë vit priten të zhvillohen nën një atmosferë dhe tablo të pazakontë, me partitë e mëdha opozitare të angazhuara në pamundësimin e procesit, që e kanë cilësuar si “farsë”, ndërsa përmes protestash kërkojnë plotësimin e kërkesave të tyre, që nisin me largimin e Edi Ramës nga posti i kryeministrit.

“Po dëgjoj njerëz duke thënë se çfarë bën Presidenti? Unë kam bërë atë që më takon. Presidenti nuk mund të ulë disa persona që thonë nuk ulem me këtë se është kryeministër ndërsa tjetri thotë se 30 qershori do të jetë sukses. Kjo situatë kërkon përgjegjshmëri nga vendasit dhe të huajt, paanshmëri dhe gjithashtu se një situatë me probleme ne Shqipëri ndikon në rajon”, tha Meta, duke iu referuar kërkesës së partive të vogla opozitare, që iu drejtuan kreut të shtetit për mundësimin e një dialogu mes kryeministrit dhe kreut të PD-së, për zgjidhjen e krizës politike.

Më herët, Meta do të lëshonte edhe deklaratën se ishte gati të dorëzonte mandatin e tij presidencial, nëse ky akt do të mundësonte një zgjidhje të krizës.

Duke u ndalur në vitin 1997 dhe krijimin e Kushtetutës së Jashtëzakonshme dhe vitit 2008, ku nga pakti mes PD-së dhe PS-së u bënë ndryshime të sistemit zgjedhor, zgjedhja e presidentit dhe mandati i Prokurorit të Përgjithshëm, ndryshime kundër  të cilave Ilir Meta asokohe kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, hyri edhe në grevë urie brenda parlamentit, ku bashkë me të tjera parti të vogla ishin të mendimit se ndryshimi do t’u sillte përfitime vetëm partive të mëdha.

“Në vitin 2008 për dy ditë ia hoqëm të gjitha vidat Kushtetutës dhe kaluan nga sistemi parlamentar te sistemi i mbyllur partiak. Kjo është e vërteta për situatën që kemi sot. Dy partitë e opozitës në mënyrë të papranueshme kanë lënë mandatet, por sistemi ka qenë jo funksional edhe kur kanë qenë ata”, u shpreh ai, ndërsa një nga partitë që ka djegur mandatet është LSI, e themeluar dhe e drejtuar prej tij, tanimë nën kryesinë e bashkëshortes së presidentit, Monika Kryemadhi.

“Presidenti ka bërë dhe bën maksimumin me përgjegjësinë e tij duke respektuar frymën e Kushtetutës dhe presidenti nuk mund të ulë në tavolinë dy apo tre persona që thonë se ky është kryeministër apo dhe me dikë tjetër kur thotë se 30 qershori, Nuk do të jetë sukses për demokracinë në këtë situatë ku jemi. Kjo situatë kërkon paanësi dhe kërkon gjithashtu maturi. Një situatë  e tillë me probleme në Shqipëri nuk na ndihmon në perspektivën e vendit edhe në rajon”,  do të shprehej kreu i shtetit, duke vënë në dukje kështu edhe mungesën e mjeteve të presidentit për të zgjidhur krizën, ndërkohë që po dje kreu i PD-së, Lulzim Basha nga Durrësi do të shpaloste platformën e opozitës, që përfshinte sistem zgjedhor me lista të hapura dhe më shumë kompetenca për presidentin, dukshëm të reduktuara nga ndryshimet e 2008-s.

Kritikat e presidentit duket se nuk ranë në vesh të shurdhët, të paktën në gatishmërinë  për kundërpërgjigje, ku kreu i qeverisë përmes një postimi në rrjetet sociale, do t’i drejtohej të parit të shtetit. “A e pengon mungesa e Gjykatës Kushtetuese Presidentin e Republikës të mbrojë datën e zgjedhjeve që sipas Kushtetutës ai e ka dekretuar? Falë Vetingut Gjykata Kushtetuese   është sot një djep bosh pa shejtanin brenda”, shkruante Rama, duke e cilësuar sukses reformimin e drejtësisë që solli edhe shpërbërjen e Gjykatës Kushtetuese, ku anëtarët e saj nuk bindën në argumentet e justifikimit të pasurisë apo profesionalizmit. “Kjo është më shumë se gjysma e një pune të madhe që kërkon durimin e kohën e saj”, vijoi kryeministri, ndërsa organet kyçe të reformës kanë vetëm pak muaj që janë ngritur.

Përgjigje, Meta do të merrte edhe nga kreu i Delegacionit të BE-së në Tiranë Luigi Soreca , pas kritikave që presidenti artikuloi edhe ndaj misionit të BE-së për asistencë për reformën në Drejtësi, Euralius. “Kemi vërejtur kritika për punën e projektit të asistencës teknike të financuar nga BE-ja për sektorin e drejtësisë EURALIUS. Profesionalizmi, përkushtimi, puna e madhe dhe integriteti i EURALIUS-it janë për t’u lavdëruar”, do të cilësonte Soreca, duke shtuar se ndihma e misioneve të huaja ishte provuar si e domosdoshme për t’i çuar përpara këto reforma, duke punuar ngushtësisht me partnerë të tjerë si OPDAT i SHBA-së, ekspertë nga Shtetet Anëtare të BE-së dhe shërbimet e Komisionit Evropian.  Ndihmë e kërkuar si nga autoritetet shqiptare, ashtu edhe ShBA-ja dhe roli monitorues i Komisionit.  Sipas ambasadorit Soreca, reforma po gjen zbatim, në përputhje të plotë me Kushtetutën e vendit.

Po ashtu ambasadorja e Gjermanisë, e cila foli fill pas presidentit shqiptar, në të njëjtën konferencë, e vlerësoi Reformën në Drejtësi, si më të mirën ndër vendet e rajonit.

Megjithatë,  presidenti Meta, i cili dje do të numëronte disa nga meraqet e tij, nuk e sheh aq të afërt sa diplomati i BE-së kohën kur Shqipëria do të ketë Gjykatë Kushtetuese, duke shprehur edhe skepticizmin sesi do të jetë ajo pasi të jetë formuar./ Gazeta Liberale

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

four × 1 =