Njëqind fshatrat turistike pa kryefshatin Frashër - Arbëria News

Njëqind fshatrat turistike pa kryefshatin Frashër

 

Prof. SHERIF BUNDO

 

Kultura profesionale më paraprin në analizën dhe gjykimin për çdo investim publik. Apriori jam i predispozuar të pranoj dhe të përshëndes çdo investim që bën shteti shqiptar dhe çdo lek që investohet në shërbim të rritjes ekonomike, të përmirësimit të kushteve të jetesës dhe të integrimit të çdo zone dhe krahine të vendit me qytetërimin, me tregun dhe me zhvillimin.

Në këtë këndvështrim, projekti për të investuar në krijimin e njëqind fshatrave turistike dhe për të stimuluar dhe zhvilluar ekonominë bujqësore dhe bashkë me të edhe të depërtimit të qytetërimit në këto fshatra dhe në thellësi të vendit, është një iniciativë që duhet inkurajuar.

Gjetja e prioriteteve të investimit të fondeve buxhetore është një nga sfidat më të mëdha të çdo qeverisjeje. Me këtë përmbajtje, mendoj se ka një konsensus mbarëkombëtar. Çdo përpjekje e bërë nga shteti, apo nga kushdo tjetër, për të investuar në krijimin e poleve të zhvillimit ekonomik dhe të qytetërimit në çdo fshat dhe në çdo qytet të vendit, është i mirëpritur, mjafton që të mos abuzohet.

Por, nga ana tjetër, kultura profesionale dhe arsyetimi i kthjellët intelektual më detyrojnë dhe më imponojnë një sërë pyetjesh, që e ngatërrojnë ekonominë me politikën, zhvillimin me klientelizmin, amatorizmin me paaftësinë dhe dëshirën me imponimin. Mbi çfarë kriteresh ekonomike, kulturore, historike, turistike, agrobujqësore, dhe mjedisore janë përzgjedhur fshatrat turistike në të cilat do të investohen fondet e buxhetit të shtetit? Të mos harrojmë, bëhet fjalë për investime nga buxheti i shtetit, atributet e përdorimit dhe të vendimmarrjes për investimin e të cilave e ka qeveria e radhës.

Ka qeveri, që kanë vendosur të privatizojnë pasuritë kombëtare, pa dhënë shumë llogari se çfarë eficience ka pasur ky proces. Ka qeveri që kanë abuzuar me përdorimin e koncesioneve. Ka qeveri që kanë abuzuar me fondet e investimeve në rrugët me lloj-lloj tenderësh, vetëm e vetëm që fondet e buxhetit të shkojnë në llogaritë e atyre bizneseve që u bëjnë fresk qeverive dhe që bëjnë mirë rolin e tutorit mbi vetë qeveritë dhe qeveritarët.

Ka pasur dhe ka qeveri që nuk janë të lira të marrin vendime për të cilat janë zgjedhur, por marrin vendime në kushtet e të qenit të imponuara nga interesa të caktuara private apo të një grupi privat. Pyetja ime e radhës nuk ka lidhje me faktin pse janë përfshirë në këtë projekt 100 fshatrat, emrat e të cilave i gjen lehtësisht në rrugë elektronike. Lista mund të ishte edhe 120, por mund të ishte edhe 80 apo 90 fshatra.

Pyetja ime ka të bëjë me një fakt tjetër: Pse është përdorur dukshëm influenca individuale e një numri të caktuar personash që vijnë rrotull tavolinave qeveritare, për të çuar fonde në fshatrat ku ata kanë përfituar, apo janë mbartës të interesave të mëdha pronësore? Pse në listën e këtyre 100 fshatrave nuk përfshihet kryefshati Frashër? Le të ndalemi pak më gjatë në përgjigjen e pyetjes së fundit.

A është Frashëri, kryeqendra e Dangëllisë në Përmet, një fshat me vlera të mëdha turistike? A duhej të përfshihej Frashëri para, shumë përpara disa fshatrave të tjera në këtë listë? A përbëjnë vlerat e një fshati të tillë si Frashëri kritere bindëse, ekonomike dhe logjike për t’u përzgjedhur, madje ndër të parët, në listën e 100 fshatrave turistike të vendit? Nga pikëpamja historike, Frashëri është vendi që ka lindur tre kolosët e mëdhenj të politikës, të mendimit dhe të kulturës shqiptare.

Vëllezërit Frashëri kanë bërë epokë. Pa emrat e tyre nuk ka kuptim emri dhe koncepti Rilindje. Ky fshat u bë vatër atdhetare, me vëllezërit Frashëri dhe me teqenë e Baba Alushit (nderi i kombit), ku janë zhvilluar 2 kuvende ndërkrahinore dhe kombëtare: 1878, 1880. Në këto vite, Frashëri u zgjerua me 22 lagje, ku në

qendër ishte tregu me 28 dyqane. Ndërsa numri i shtëpive arriti në rreth 550, me 1500-1900 banorë, duke u shndërruar në qendrën më të rëndësishme, jo vetëm për krahinën e Dangëllisë, por edhe në rang kombëtar, për sa i përket çështjes kombëtare. Nuk e teproj dhe ndoshta nuk jam i pari nëse shkruaj se familja Frashëri është familja me kontributet më të mëdha në historinë dhe politikën shqiptare të të gjitha kohërave. Zhvillimet e kohëve të fundit po rrjedhin në mënyrë të tillë, që Shqipëria e vërtetë është ajo e projektuar dhe konceptuar nga Abdyl Frashëri.

Nuk ka një poet tjetër të dytë që t’i ketë kënduar vendit me atë patos që ka shkruar i madhi Naim Frashëri. Për Sami Frashërin nuk ka penë të përshkruajë gjithë erudicionin e tij. Në Frashër ndodhet shtëpia muze e tyre, e cila, edhe pse nuk është vënë dorë nga shteti, vizitohet dhe shfrytëzohet nga pelegrinët e ndryshëm në të katër stinët e vitit. Nga pikëpamja turistike dhe gjeografike, Frashëri është pa asnjë rezervë me të njëjtat vlera me Thethin dhe me Alpet e Shqipërisë, edhe pse jo të lartësisë së Alpeve. Për ata që nuk e njohin, nuk kanë qenë dhe nuk kanë pasur rastin ta vizitojnë, Frashëri është kryeqendra e Dangëllisë. Është fshati që ka mbështetur shpatullat në vithet e malit të Kokojkës (1500 m) dhe të Bredhit të papërsëritshëm të Hotovës, Park Kombëtar.

Është p adyshim një nga pasuritë më të papërsëritshme natyrore të vendit, të ruajtura dhe të mbajtura në gjendje shumë të mirë dhe të paprekura falë lidhjeve të forta shpirtërore të banorëve të fshatrave të zonës dhe të specialistëve dhe profesionistëve të shërbimit pyjor të Përmetit ndër vite. Është pa asnjë mëdyshje zona më e oksigjenuar dhe më e pastër në vendin tonë. Kjo e provuar dhe e faktuar nga ekologjistët. Me një shtrirje prej 1200 hektarësh dhe një masiv të mrekullueshëm të përbërë kryesisht nga Bredhi Maqedonas, ky Park Kombëtar është një nga perlat turistike të Shqipërisë, që ofron surpriza të këndshme në çdo stinë të vitit, si në dimër, ku ai është i mbuluar nga dëbora, por dhe në verë, ku mund të shijosh freskinë e tij.

Prej shumë vitesh është kthyer në një vend pelegrinazhi turistik, ku bie në sy pjesa elitare e tyre, si politikanë, ambasadorë të huaj, alpinistë, intelektualë dhe vizitorë të shumtë të huaj etj.. Frashëri ka pranë në të dyja krahët e tij kanionet e thella, nga njëra anë, të lumit të Langaricës dhe burimet mjaft të njohura termale të Bënjës dhe nga ana tjetër, kanionet e Osumit, në këmbët e malit të Qeshibesit dhe të Miçanit. Në Frashër ka me shumicë burime uji të ftohta, ujë lajthie dhe ujë bredhi. Pamjet që të dhurohen kur je në Frashër janë mahnitëse. Pamja e Tomorit është madhështore dhe po kështu, edhe të maleve të tjera të Nemërçkës dhe Papingut.

Këto pasuri e frymëzuan poetin të shkruante poemën “Bagëti dhe Bujqësi”. Frashëri ka qenë një qendër shumë e rëndësishme e kulturës në shekullin e 17, 18 dhe 19. Sipas historianëve, Frashëri në kulmin e lulëzimit të tij ka pasur rreth 550- 600 shtëpi. Në Frashër fliteshin lirshëm 4 gjuhë të huaja, kishte shkolla dhe zejtari të zhvilluar. Aty zë fill projekti i Lidhjes së Prizrenit. Frashëri është pika nyje që lidh dhe shërben për të harmonizuar katër rrethe.

Frashëri, që përfshihet në territorin e Përmetit, lidhet me rrethin e Korçës dhe me Vithkuqin, me rrethin e Kolonjës dhe Leskovikun dhe me Rrethin e Skraparit. Përballë Frashërit ndodhet mali i Qelqëzës, me një pasuri tjetër të rrallë pyjore, të virgjër, shumë të pasur në drurin e ahut dhe të dëllinjës së rrallë. Në Frashër ndodhet një nga teqetë më me emër në vendin tonë, Teqeja e famshme e Frashërit.

Në këtë teqe kanë shërbyer emra të mëdhenj të besimit bektashian, që janë nderuar me tituj të lartë si ‘Nderi i Kombit’ dhe që i kanë dhënë vendit kontribute të jashtëzakonshme, veçanërisht në fushën e unitetit kombëtar dhe të Luftës Nacionalçlirimtare. Vetëm në Frashër ka ndodhur që në teqenë e Frashërit, në këtë objekt kulti islam, janë strehuar klerikë të besimeve ortodokse dhe katolike për periudha të gjata kohore. Frashëri është gjithashtu një zonë me pasuri të mëdha të traditës shpirtërore dhe të mënyrës së jetesës. Mikpritja në Frashër dhe në Dangëlli është e rrallë. Në Frashër, në Dangëlli, në Skrapar, në Dëshnicë, në Kolonjë dhe gjetkë, si kudo, ka shtëpinë institucioni i mikpritjes dhe i respektit njerëzor, i njohur me termin e dollisë.

Në Frashër dhe në Dangëlli ka prodhime bio, ka blegtori të rritur dhe të mbarështuar në natyrë, ka prodhime tradicionale të bulmetit, ka pafund parqe bletësh, ku bletërritësit shtegtojnë nga shumë zona të vendit bletët e tyre për të kaluar verën dhe vjeshtën dhe për t’i dhënë vlerë dhe shije të veçantë mjaltit të Përmetit, i cili ngjason vetëm me mjaltin e krahinës së Çajupit, në Gjirokastër.

Frashëri ka florë dhe faunë të pasur, të papërsëritshme. Aroma e luleve të verës, lajthitë, dushku i pleksur me bredhin në fshatrat e zonës së ulët, dëllinjat, shkoza dhe frashri, mëlleza dhe panja, thëllëza dhe llojet e shumta të shpendëve, pa harruar ariun, ujkun, dhelprën, lepurin, derrin e egër, kaprollin, e tjera, e tjera, përbëjnë vlera të jashtëzakonshme, për të cilat shteti duhet të ndiejë përgjegjësi t’i ruajë, t’i kultivojë dhe t’i konsiderojë si pasuri kombëtare të veçanta. A mund të ketë fshat me më shumë vlera se u listuan më sipër, për t’u shpallur si fshat në listën e 100 fshatrave turistike të vendit? Nuk dua ta teproj, por nuk mund të hesht. Nuk dua të bëj krahasime.

Lexuesi bën analizën e vet. Në Përmet, të gjithë do të thoshin se nuk ka fshat turistik përpara Frashërit turistik. Do ishte një padrejtësi, një thikë e ngulur pas shpine në trupin e brishtë të pasurive tona kombëtare, të bënim të paditurin. Në këtë vend ka me shumicë njerëz që nuk kanë lexuar dhe nuk lexojnë, që marrin vendime në këmbë dhe mendojnë se dinë gjithçka. Ndoshta, dhe me siguri, ka njerëz të tjerë, intelektualë dhe historinë që e njohin më mirë nga unë Frashërin dhe Dangëllinë. Me siguri, i madhi Xhevahir Spahiu do të shkruante akoma më shumë dhe më bukur për të vërtetat e Frashërit.

Por e vërteta duhet thënë me zë të lartë dhe plot gojën: Lista e 100 fshatrave turistike në të cilat mungojnë shumë fshatra të tjerë, por sidomos Frashëri, më duket e mangët, e cunguar, e hartuar në kushtet e interesave të caktuara dhe që në vend të respektojë, i mohon pasuritë e vërteta kombëtare. Përfshirja e Frashërit në listën e fshatrave turistike nuk do të bënte gjë tjetër veçse do të konfirmonte zyrtarisht njohjen prej shtetit, të atij fakti që ekziston ndër vite dhe dekada, se Frashëri është vend turistik, por më në fund edhe shteti vendosi ta pranojë dhe konfirmojë nëpërmjet investimeve publike një fakt të tillë.

Frashëri është fshat turistik dhe zonë turistike, por nuk ka pasur dhe nuk ka vëmendjen e shtetit si i tillë. Si ekonomist, gjykoj se kthimi i vëmendjes së shtetit te prodhimet bio dhe tek ekonomia e produkteve të pastra dhe të pasura përbën një nga veçoritë dhe epërsitë e vendit tonë. Kush nuk ka vëmendjen e duhur te fshati, për të marrë prej andej nëpërmjet mekanizmit të tregut prodhimet e shëndetshme, nuk meriton mbështetje të gjerë.

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

two × two =