Njëri lotsjellës e tjetri …gaztor - Arbëria News

Njëri lotsjellës e tjetri …gaztor

 

FRANO KULLI

Frano-Kulli-780x439

 

Duke ndjekur gjithë ditarin e së shtunës protestuese të Tiranës, një mbrëmje e gjatë, e shqetësuar, e lodhshme dhe e mundimshme jo vetëm për protestuesit e bindur dhe entuziastë e kurajozë, qytetarë të Shqipërisë prej ngado dhe jo vetëm për trupat policore të shërbimeve të ndryshme, por edhe për banorët e Tiranës, gjithashtu, rituali i përsëritur ka qenë përdorimi i gazit lotsjellës.

I përzgjedhur si një mjet efektiv prej forcës policore për të zmbrapsur e për të dekurajuar protestuesit, përdorimi i gazit lotsjellës, ndërkohë, ka shënuar edhe të vetmen gjë që gjeneral Sandër Lleshaj, në detyrën e ministrit të Brendshëm, ia kanë sjellë rrethanat ta bëjë. Dhe thuajse asgjë tjetër për t’u mbajt mend në përmirësimin e rendit publik në Shqipëri. Aq sa edhe e kanë identifikuar zotin ministër si ministri i gazit lotsjellës. Edhe një ide të përmirësimit të trupës rendmbrojtëse, që ai e shfaqi publikisht me një deklaratë të paradokohshme, siç ishte ajo e zëvendësimit të bllokut (me letra bakalli) të gjobëvënies së policëve të rrugës me një metodë tjetër e sjellje bashkëkohore si në të gjitha policitë e Europës nuk u gjend kohë të realizohej. Qoftë edhe thjesht si formë e imazh, pa le pastaj si thelb e si përmbajtje. Ndoshta, edhe sepse precipitimi i situatës politike në vend e ka përmbledhur gjithë rendin publik në Shqipëri vetëm në mbarëvajtjen e protestave kundër qeverisë e nuk i ka lënë kohë e rend zotit ministër të merret me tjetër gjë në përmirësimin e rendit publik. Paçka se kanë ndodhë, edhe në kohën që ministër është ai, ngjarje kriminale të tilla, siç ishte grabitja e një shume të madhe të fondit bankar brenda Aeroportit të vetëm Ndërkombëtar, bile edhe më thellë se kaq, brenda barkut të avionit. E ndodhin thuajse përditë vrasje a pengmarrje, të cilat përcillen me motivin e parafabrikuar: për larje hesapesh, retorikë e cila ngulmon të mënjanojë prej përgjegjësisë e të vizatojë si dorëjashtë dhe pa ndonjë detyrim Policinë.

Ndërsa përtej “rutinës” së protestave të mëparshme dhe “rutinës” së përdorimit të lotsjellësit, në protestën e së shtunës u përdor edhe një lukuni shkopinjsh gome përmbi njërin prej protestuesve. Një protestues i shënjuar si i tillë, njëri prej drejtuesve të Partisë Demokratike në opozitë e njëherësh organizues i protestës… Dhe për këtë ngjarje, zoti ministër kërkoi një ndjesë disasekondëshe për një tejkalim të shproporcionuar, pa e theksuar se shproporcionimi qe zgjatur dukshëm. Ashtu siç ajo në të vërtetë qe një sjellje e egër e gati kafshërore kundër një veriori drejtues, urdhëruar prej një drejtuesi polic jugor, që, për fat të mirë, nuk kishte qenë e mundur të kamuflohej prej syrit të kamerave e së fundi prej syrit të publikut. Zoti ministër nuk shfaqi shqetësim për këtë, madje ai i mëshoi me të madhe evidentimit se këta organizatorë janë ata që kanë bërë ‘97-n, ‘98-n e kështu me radhë, pa qenë i sigurt se pikërisht zotëria i dhunuar egër prej shkopinjve të pamëshirshëm ishte meritueshëm mbartës i këtij cilësimi apo jo. Thua se vetëm “këta” dhe askush tjetër, po vetëm këta pra, këta që s’janë me shefin e tij, po janë áshti i opozicionit të qeverisë së tij.

Kurse të nesërmen e së shtunës i pari i ministrit, zoti Kryeministër, poseduesi i të gjitha pushteteve reale në Shqipëri sot, me stilin e tij të artikulimit, veçse të rënduar shumë këto kohë, e theksoi në një tjetër mënyrë neverinë e tij për “këta”. Ata janë e keqja, veçoi ai, ata nuk e duan rendin e qetësinë, ata të “egrit”, ata që në të folmen e tyre e ngatërrojnë mbaresën u me i (i thonë fejsbuk-i, bie fjala dhe jo fejsbuk-u). Dhe shembullin ai e thërret nga moderniteti për të shfaqur e thelluar diferencën e madhe diturore me të e me të tijtë. Kurse të mirët janë ata vetë, të urtët e tij që ushqehen prej qeverisë dhe ata të klanit të tij. Ata që edhe origjinën e kanë kryesisht nga zona e parë operative dhe janë pinjollë besnikë të tyre, si vetë zotëria e tij. Ata dinë dhe bëjnë gjithçka mirë, porse, ja, u ka rënë në hise të sundojnë një popull të “paterbjet” (të pabindur) e kjo është vuajtja e tyre e madhe… U ka rënë për hise, e ndaj protestën e tyre po u duhet të shtypin.

Me tallje e cinizëm për “këta”, ndonëse me gjestikulacionin e shproporcionuar e emetoi, për mëse një orë e gjysmë të së dielës, neverinë e papërmbajtur pikërisht për këta, që s’po e lënë të qetë në misionin e tij “apostolik” të përhapjes së qytetërimit të tij në këto gërxhe…

Kurse ju, zoti gjeneral, nuk jeni shfaqur sadopak i keqardhur për gjithësa ka ndodhur e po ndodh. E i fyer jo se jo, anipse shpotia nuk rri larg edhe për ty…, besoj.

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

nineteen − six =