Nga Alfred Peza

Ka një paradoks të madh në skenën politike, i cili e bën edhe më groteske stoicizmin verbal të opozitës që deklaron se nuk do të marim pjesë në zgjedhjet lokale të 30 qershorit.

“Zgjedhjet e parakoshme janë afër. Ndizni motorët.”,- deklaroi këtë të dielë Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi.

Kjo deklaratë tingëllon si “plagjiatura” e asaj që Kryeministri Edi Rama, tha para një jave, kur u shpreh se Kongresi i PS (i 23 marsit) do të shënojë “ndezjen e motorëve elektoralë për fitoren e qershorit”.

Një muaj përpara Ramës, më 22 shkurt, Kryetari i PD Lulzim Basha në një mbledhje të Kryesisë së PD dhe me ish deputetët e Grupit të vet Parlamentar, citohet të ketë deklaruar të njëjtën gjë:

Të gjitha strukturave u bëj thirrje që të mobilizohen, sepse zgjedhjet janë prapa derës!
Pyetja që lind është: Si është e mundur që edhe lideri i mazhorancës edhe ato të opozitës, u kërkojnë strukturave të partive të tyre të njëjtën gjë: Ndizni motorrat e fushatës. E nga ana tjetër, shefi i mazhorancës thotë se zgjedhjet do zhvillohen më 30 qershor, ndërsa Lulzim Basha dhe Kryemadhi vazhdojnë e deklarojnë se nuk do të hyjmë në to!
Nga 22 shkurti kur Kryetari i PD tha se zgjedhjet janë pas dere, kanë kaluar 5 javë, derisa Kryetarja e LSI të ndizte motorrët e fushatës. Ndërkohë nuk kemi as dialog mes dy palëve dhe as ndonjë shenjë publike të paktën në horizont, se diçka tjetër nga zgjedhjet e 30 qershorit do të ndodhë.
E si të mos mjaftonin këto, nuk ka as ulje në tryezë për reformën zgjedhore.
Çka e gjitha tregon se fushata elektorale ka nisur, opozita do të mari pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit, por fatkeqësisht ndryshimet në Kod, do bëhen si gjithmonë në këto 30 vjet, në minutën e fundit.

Kjo është një shenjë e sigurtë se PD, LSI dhe aleatët e tyre po mundohen që të luajnë bllofin në një lojë që u luajt njëherë para zgjedhjeve të 2017. Një lojë e dalë boje, së cilës PS siç edhe duket, as që ka ndërmend ti shkojë nga pas.

Me sa duket edhe Basha e Kryemadhi kanë nisur të kuptojnë se shprehja popullore “nuk bie daci, dy herë në kos”, është e vërtetë edhe në politikë! (AlpeNews)