Nga Alfred Peza

Përtej sforcimit për të zhvilluar ca protesta rrotull Parlamentit dhe Kryeministrisë në Tiranë, vizita e fundit e Lulzim Bashës në Bruksel, tregoi se opozita shqiptare është jo vetëm e vetmuar, por edhe pa asnjë përkrahje. Pa asnjë mbështetje. Pas asnjë aleat të huaj. As në Tiranë. As në Bruksel. E as në Uashington.

Pse është e rëndësishme përkrahja?

Praktika e demokracive në stadet si jona, kanë treguar se një opozitë që të ketë sukses në kauzën, aksionin, nismën apo ndërmarrjen e saj të madhe politike, duhet të gëzojë përpkrahje dhe mbështetje si në planin e brendshëm, ashtu edhe në atë jashtëm. Si tek shqiptarët, ashtu edhe tek ndërkombëtarët. Pas djegies së mandateve dhe daljes nga sistemi, është treguar me fakte se opozita nuk ia ka dalë që të ketë mbështetje të gjerë popullore.

Ajo po mundohet që ta shesë lëvizjen e saj për pushtet në tavolinë, me një sforcim të hatashëm, si një protestë popullore. Por, është e dukshme dhe e qartë tashmë për gjithkënd, se kemi të bëjmë thjeshtë dhe vetëm me levizje të partive të opozitës së bashkuar, për hallin personal të lidershipit të saj që po kërkon të pengojë reformën e drejtësisë, për ti shpëtuar ndëshimit të SPAK dhe BKH për të gjitha mëkatet që kanë bërë përgjatë tri dekadave të fundit në politikë.

Nuk është diçka që na bën nder, por është fakt se nga rënia e komunizmit e deri më sot, asnjë situatë e nxehtë politike në Shqipëri nuk është zgjidhur pa ndërmjetësinë e ndërkombëtareve. Kështu ka qenë në vitet 1991-1992 kur për herë të parë pas gjysëm shekulli diktaturë, u rikthyen në pushtet forcat antikomuniste. Kështu ka ndodhur gjatë trazirave të viteve 1997-1998. Kështu ka ndodhur pas zgjedhjeve të 2001 deri në marrëveshjen Nano- Berisha të 2002. E kështu me radhë, deri tek marrëveshja Rama- Basha e 2017.

Po ku duket braktisja e opozitës?

Sapo kemi hyrë në muajin e dytë të vendimit të PD dhe LSI sëbashku me aleatët e tyre, për të dalë nga Parlamenti, për ta braktisur sistemin si asnjëherë më parë në historinë e demokracive funksionale të botës dhe për fatin e tyre të keq, nuk kanë marë për këtë deri më sot, asnjë fjalë inkurajimi nga asnjë individ, parti, organizim politik, aleancë, shtet apo bashkësi shtetesh.

Uashingtoni, Brukseli, Berlini, Londra, Roma, Parisi dhe qendra të tjera të rëndësishme të politikbërjes ndërkombëtare, kanë qenë shumë të qartë si vetë, ashtu edhe nëpërmjet përfaqësive e përfaqësuesve të tyre në Tiranë: Dalja nga sistemi parlamentar, është e papranueshme. Vendi i të zgjedhurve të popullit është në Parlament. Inkurajojmë dialogun mes palëve për zgjidhjen e çështjeve politike dhe adresimin e pretendimeve në institucione.

Kapakun të gjithave ia vunë Partitë Popullore Europiane, pjesë e të cilave është edhe Partia Demokratike. Kryetari Lulzim Basha u raportua nga mediat se ishte në Kongresin e PPE në Bruksel, ku nuk arriti që të merte asnjë inkurajim, asnjë deklaratë dhe asnjë mbështetje për vendimin “in extremis” të PD për daljen nga Parlamenti. Basha shkoi në twitter se Presidenti i PPE Joseph Daul në emër të të gjithëve deklaroi se “ne nuk mund të bëjmë kompromise me demokracinë, me shtetin ligjor dhe lirinë e medias”. Kaq. Një deklaratë nuk thotë asgjë. Ajo mund të thuhet kurdo, për këdo demokraci e parti të botës. Edhe para 100 vjetësh, edhe para 30 vjetësh, edhe sot. Por, edhe në të ardhmen. Përgjithmonë.

Ku ka gabuar opozita?

E ndërsa Lulzim Basha shkoi më kot deri në Bruksel, duke u kthyer prej andej edhe më i vetmuar e më pa përkrahje sesa përpara se të nisej në Tiranë, opozita ka marë një mesazh tjetër, sërisht kundër. Leyla Moses-Ones, e ngarkuara me punë e ambasadës së SHBA, në një aktivitet për 10 vjtorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, deklaroi:

“Lajmi i mirë është se Shqipëria është në drejtimin e duhur. Reforma në drejtësi, është ende në shinat e duhura dhe shumë shpejt do t’ju sjellë shqiptarëve sistemin e ndershëm dhe transparent të drejtësisë që meritojnë. Mesazhi im për cilindo që thotë se Reforma në Drejtësi është kompromentuar apo po dështon, është: E keni gabim”.

Kjo situatë braktisje dhe ftohtësie të pashembullt politike ndaj opozitës, përkon në kohë me ikjen e dimrit. Një stinë u mbyll, ndërkohë që Lulzim Basha u pa në media i zhytur në gjumin e thellë polar, rrugës për në Bruskel. Fotoja e kryetarit të opozitës duke fjetur në avion, ishte kartolina më e mirë për të treguar “Dimrin e vetmisë së madhe”, që po kalon opozita shqiptare!