OSBE /Greminger: Realizimi i reformës zgjedhore, kusht për obektivat e Shqipërisë - Arbëria News

OSBE /Greminger: Realizimi i reformës zgjedhore, kusht për obektivat e Shqipërisë

 

Pas vizitës së djeshme në Tiranë Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Thomas Greminger, ka dhënë një intervistë për gazetën “Shekulli”.
Në intervistë Greminger, ka ngritur alarmin për nevojën urgjente për zbatimit e Reformës Zgjedhore si dhe ka kërkuar që të gjitha risitë e miratuara në legjislacion, të testoheshin gjatë zgjedhjeve vendore 2019.

Gjithashtu ai apeloi mbi rekomandimet e misionit zgjedhor të OSBE-së, ODIHR, për zgjedhjet e 2013-s, 2015-s dhe 2017-s që nuk janë pasqyruar ende dhe kjo mbetet për t’u bërë në zgjedhjet e ardhshme.

“Zgjedhjet janë guri i themelit për çdo demokraci, prandaj, mbajtja e zgjedhjeve është absolutisht thelbësore. OSBE-ja, më saktë ODIHR-i, i ka vëzhguar zgjedhjet në Shqipëri që në vitin 1996. Po të shohësh legjislacionin shqiptar, shohim që rekomandimet e misionit zgjedhor të OSBE-së për zgjedhjet e 2013-s, 2015-s dhe 2017-s nuk janë pasqyruar ende aty. Pra, kjo mbetet për t’u bërë. Nga këndvështrimi im, kjo është mjaft urgjente, sepse vitin tjetër mbahen zgjedhjet vendore dhe besoj se do të ishte mirë që të gjitha risitë e miratuara në legjislacion të testoheshin gjatë zgjedhjeve vendore, përpara se të kalohet në zgjedhjet e përgjithshme të 2021-s”, ka deklaruar kreu I OSBE

PO ashtu Sekretari Greminger, ka folur edhe për Reformën Zgjedhore, e cila prej vitesh qëndron e bllokuar. Sipas tij ajo duhet që të realzohet sa më shpejt dhe duhet konsideruar si një nga objektivat strategjikë të Shqipërisë në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në BE.

“Shqipëria është shtet pjesëmarrës i OSBE-së, një nga 57 Shtetet pjesëmarrëse dhe, rrjedhimisht, i ka pranuar parimet dhe angazhimet e OSBE-së. Në këtë kuptim, nga Shqipëria pritet të qëndrojë në lartësinë e këtyre angazhimeve dhe kjo është qartësisht një prej arsyeve pse reforma zgjedhore duhet të realizohet. Por, është edhe në interesin e shqiptarëve që të vazhdojnë të përmirësojnë institucionet demokratike në vend. Kjo ka kuptim edhe në kuadrin e objektivit strategjik të Shqipërisë, që është anëtarësimi në BE; institucionet demokratike, pjekuria e tyre, janë gjithashtu një faktor i rëndësishëm në këtë drejtim. Pra, reforma zgjedhore ka rëndësi jo vetëm nga perspektiva e angazhimeve të OSBE-së, por edhe nga perspektiva e vetë shqiptarëve, sepse institucionet e forta demokratike janë pjesë e qeverisjes së mirë të një vendi”, ka thënë Greminger.

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

twenty − thirteen =