Paralele mes përkrahësve të PD-së dhe tifozëve të “Tironës” - Arbëria News

Paralele mes përkrahësve të PD-së dhe tifozëve të “Tironës”

Eduard Zaloshnja

Gjetja e paraleleve mes një partie politike dhe një klubi futbolli është zakonisht e sforcuar. Sidoqoftë, si një tifoz i hershëm i “Tironës”, nuk mund të rri pa hequr vija paralele për situatën e dy viteve të fundit në kampin e përkrahësve të PD-së dhe të tifozerisë së “Tironës”.

Le ta fillojmë me “Tironën”. Para dy vjetësh, presidenti i K.F. Tirana arriti një marrëveshje me presidentin e F.K. Partizani, sipas së cilës skuadra e Partizanit do t’i zhvillonte ndeshjet e saj në stadiumin “Selman Stërmasi”, kundrejt një pagese ndaj K.F. Tirana. Ajo marrëveshje i tërboi tifozët më të zjarrtë të “Tironës”, sepse nuk mund ta pranonin idenë që “armiku” i tyre i kahershëm t’i zhvillonte ndeshjet në stadiumin bardheblu, ndërkohë që presidenti i klubit ishte stërbetuar më parë se kjo gjë nuk do të ndodhte.

Qysh prej asaj marrëveshje, numri i tifozëve që shkonin në stadium, për të përkrahur “Tironën”, u pakësua ndjeshëm.  Kryesisht për këtë arsye (e të tjera që mund të kenë të bëjnë me korrupsionin e gjyqtarëve, etj. etj.) Tirona arriti nivelin e saj më të ulët historik – ra në kategorinë inferiore.

Sidoqoftë, në fillim të këtij viti, pasi presidentit i K.F. Tirana premtoi se në klub do të afrohen edhe aksionerë të tjerë, si dhe pas marrjes së një trajneri me gjak bardheblu, tifozët e Tironës kanë filluar t’i mbushin përsëri shkallët e stadiumit. Dhe pavarësisht se kundër kujt skuadre luan “Tirona”, korret e tyre lëshojnë vazhdimisht parulla kundër “armikut” të vjetër – Partizanit.

Duke gjykuar nga këto zhvillime të fundit, gjasat janë që tifozët e “Tironës” do t’i mbushin plot shkallët e stadiumit në ndeshjen e radhës me Partizanin, me shpresën se do ta mundin më së fundi – gjë që s’ka ndodhur asnjëherë 5 vitet e fundit. A do të jetë mbushja e stadiumit e mjaftueshme për ta realizuar fitoren e shumëpritur, apo do të ndikojnë faktorë të tjerë në rezultatin përfundimtar të ndeshjes? Mbetet për t’u parë…

Le të kthehemi tani tek PD-ja. Para dy vjetësh, kryetari i PD-së bëri një marrëveshje me kryetarin e PS-së, sipas së cilës postet kryesore në qeveri dhe në institucione të tjera do të ndaheshin mes dy partive, deri në krijimin e një qeverie të dalë nga zgjedhjet e qershorit 2017. Ndërkohë, në krye të qeverisë së përkohshme mikse, do të vazhdonte të rrinte kryetari i PS-së.  Ajo marrëveshje u arrit pasi kryetari i PD-së ishte stërbetuar se nuk do të pranonte të futej në zgjedhje, pa u larguar kryeministri…

Dhe ç’ndodhi? Rreth 150 mijë votues më pak morën pjesë në zgjedhje (krahasimisht me zgjedhjet paraardhëse parlamentare), ndërkohë që PD-ja zbriti në minimumin e saj historik. Para marrëveshjes së sipërpërmendur, kryetari i Pd-së kishte drejtuar një fushatë elektorale (më 2015-ën), pas së cilës kandidatët e përzgjedhur prej tij për kryebashkiakë morën plot 670 mijë vota. Ndërsa pas marrëveshjes, kandidatët e tij për deputetë morën vetëm 455 mijë vota (shihni grafikun shoqërues).

Nga sondazhet e zhvilluara pas zgjedhjeve të 2017-ës, më ka rezultuar se kuotat e kryetarit të PD-së në elektoratin e djathtë ishin pothuaj sa gjysma e kuotave të ish-drejtuesve të rëndësishëm të PD-së, si Sali Berisha apo Jozefina Topalli. Ndërkohë, përkrahja për PD-në mbetej anemike.

Por gjërat duket se kanë ndryshuar së fundmi. Në protestën e 16 shkurtit, pjesëmarrja ishte më e madhja qysh nga 2009-ta (kur kam filluar të bëj përllogaritje të përafërta të pjesëmarrjes në protesta, përmes Google Earth Pro). Nga një sondazh që zhvillova një ditë para protestës së 16 shkurtit, më rezultonte se vetëm PD-ja ndër partitë e opozitës kishte rritje në krahasim me parvjet. Dhe rritja ishte e ndjeshme statistikisht.

Me vendimin për djegien e mandateve dhe me afrimin në kryesi të disa pinjollëve me gjak blu, kryetari i PD-së ka gjasa t’i rrisë kuotat e tija në elektoratin e djathtë (duke iu afruar ndoshta Berishës dhe Topallit). Gjithashtu, votuesit e djathtë, të zhgënjyer nga udhëheqja e PD-së në dy vjetët e fundit, mund të rikthehen në sinorin e tyre tradicional (duke u larguar nga zona gri).

Deri këtu, në një farë mënyre, paralelja mes PD-së dhe “Tironës” ndoshta qëndron. Por  beteja e PD-së kundër PS-së nuk do të jetë një ndeshje e thjeshtë futbolli, që mbaron për 90 minuta. Shumë pikëpyetje e vështirësi do të ketë përpara kryetari i PD-së, tani që përkrahësit e saj janë galvanizuar.

Për shembull, a do të arrijë PD-ja ta ruajë frontin e bashkuar brenda saj, si dhe me partitë e tjera, deri në ditën e ndeshjes finale me PS-në? A do ta përballojë dot PD-ja trysninë e kancelerive perëndimore, për t’u futur në zgjedhje, edhe pa dorëheqjen e kryeministrit? Ç’do të bëjë PD-ja, në qoftë se kanceleritë perëndimore, si para dy vjetësh, do të deklarojnë se do t’i njohin zgjedhjet, edhe nëse ajo i bojkoton ato?

Me lëvizjet e fundit, PD-ja ka realizuar një fitore të përkohshme, për sa i përket rikthimit të votuesve të djathtë në sinorin e vet. Por kjo fitore do të jetë si e Pirros, në qoftë se nuk arrin të sigurojë përkrahjen e plotë të kancelerive më të rëndësishme perëndimore, në betejën për krijimin e një qeverie të përkohshme, pa Edi Ramën në krye…

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

1 × three =