Pas propozimit të Parlamentit holandez - Arbëria News

Pas propozimit të Parlamentit holandez

LEONIDHA MËRTIRI  leonidha-mertiri-150x150

Është bërë e njohur tashmë, që shumica e deputetëve të Parlamentit të Holandës votoi për kthimin e vizave për qytetarët shqiptarë. Propozimi i hershëm i populistëve gjeti kështu përkrahjen e pesë partive holandeze, të cilat u bënë bashkë në Dhomën e Përfaqësuesve. Madje, tre prej tyre janë pjesëtarë të koalicionit aktual qeverisës. Arsyeja e kësaj ndërmarrjeje shihet te “rritja e veprimit kriminal të mafies shqiptare”, si rrezik për destabilizimin e vendit. Mendojmë ndërkohë, se ka dhe një arsye tjetër: Zgjedhjet në Parlamentin Europian, por dhe në Holandë, me sa duket, i kanë nxitur këto parti të mos heqin dorë nga propozimi i mësipërm, duke qenë të vendosura përballë partive të tjera dhe për të tërhequr më pranë vetes sa më shumë elektorat.

 

 

Pyetja që shtrohet me të drejtë: A do të ketë ky qëndrim mbështetjen e forumeve më të larta, sikundër është në këtë rast, Komisioni Europian? Sepse fjalën e fundit e thotë ai. Por, para se t’i përgjigjemi kësaj, tërheq vëmendjen fakti që, jo të gjithë holandezët janë të të njëjtit mendim me atë çka ndodhi në Parlamentin e tyre. Duke iu referuar kryediplomatit të këtij shteti, Stef Blok, i cili është dhe anëtar i njërës prej partive nismëtare për rikthimin e vizave, bien në sy faktet që sillen nëpërmjet statistikave për të kundërshtuar këtë vendim, të cilin e konsideron “të pavend dhe do të komplikonte marrëdhëniet me Shqipërinë”: Migracioni i paligjshëm i shqiptarëve në Holandë ka ardhur duke u ulur. Ndaj dhe vetë qeveria holandeze nuk i qëndron në krah këtij propozimi. Për të, “për momentin, nuk ka ndryshime në politikat e vizave” dhe se po shihet se çfarë hapash do të ndërmerren.

Të bën gjithashtu përshtypje fakti që në qëndrimet raciste shihen me të njëjtën lupë emigrantët shqiptarë, që punojnë dhe jetojnë me djersën e ballit në Holandë dhe syresh nga radhët e tyre, të lidhur me krimin dhe drogën. Nuk mund të vritet sërish te shqiptarët ëndrra e tyre, e ndezur herët, e cila, edhe pse me vonesë, u bë realitet kur Shqipëria në dhjetor të vitit 2010 përfitoi liberalizimin e vizave, duke u afruar kështu edhe më tepër me Europën. A mund të kthehemi prapa? Sigurisht, kur shkelen kriteret e njohura. Duke iu përgjigjur dhe pyetjes së mësipërme, që lidhet me qëndrimin e BE-së, mendojmë se nuk pritet ndonjë mbështetje e vendimit holandez, përderisa, siç tha dhe zëdhënësja e tij, deri tani asnjë vend nuk ka kërkuar aktivizimin e mekanizmit të pezullimit të vizave.

Pavarësisht nga sa u ndalëm, pas tërë këtyre nuk mund të justifikohet qeveria Rama me luftën kundër krimit të organizuar apo korrupsionit në tërësi, përderisa grupet kriminale janë zgjuar dhe veprojnë jo vetëm këtu, por krijojnë shqetësime dhe në Holandë e vende të tjera, anëtare të BE-së, duke krijuar një imazh negativ të Shqipërisë. Në fund të fundit, edhe vendimi i Parlamentit holandez është një lloj ndëshkimi për qeverinë shqiptare. Kërkesa e holandezëve është gati e dy vjetëve më parë. Por si u reagua? Të marrim trafikun e drogës në vend. Ai gjente terren të lirë kur të tjerët e shihnin atë dhe si rrezik për vendet e tyre, përderisa ai gjente strehë dhe në to.

Aq më keq kur reflektimi nguroset në deklarata. Së pari, kërkohet marrja e të gjitha masave për luftën kundër këtyre fenomeneve në vend, qoftë ky krim i organizuar, trafik droge apo emigrim i paligjshëm. Këtë luftë nuk mund ta bëjnë pushtetarët e korruptuar, të ardhur në strukturat shtetërore mbi baza miqësie dhe militantizmi, që mbyllin sytë para së keqes në vend që të përballen me të, larg çdo manipulimi të të futurit në thes të minaresë. Dhe, së dyti, rritja e bashkëpunimit me strukturat përkatëse të vendeve anëtare të BE-së; jo thjesht kontakte për imazh, por të përgjegjshme e me masa konkrete për palët. Ndryshe, krimi, trafiqet gjejnë shesh dhe bëjnë përshesh.

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

three × five =