PËLLUMBAT E JANARIT - Arbëria News

PËLLUMBAT E JANARIT

(Sot në ditëlindjen e Dritanit)

Zija Çela

Plot dyzet vjet më parë pata botuar librin “Pëllumbat e janarit” (1979). Në të vërtetë, ishte titulli i njërit prej tregimeve, atij që pagëzoi edhe librin. Ngjarjet e këtij tregimi, siç thuhet në tekst, zhvillohen në fshatin H. Unë e kam të lehtë ta marr me mend, është fshati Helshan, midis Kukësit e Tropojës, ku e filluam jetën si mësues unë dhe ime shoqe, kur ishim 22 vjeçarë. Personazhja e tregimit, Melita, është shtatëzënë. Bie nata, që është edhe nata e lindjes. Janar, borë e madhe, ngricë, rrugë të zëna. Si mund të dërgohet gruaja deri në Kam-Tropojë, qytezën e minatorëve, ku ndodhet materniteti?! Por në këtë orë të frikshme, fshatarët nuk e lënë vetëm çiftin e mësuesve jabanxhi, ardhur nga Shkodra e nga Himara. Me një slitë, litarët e së cilës i tërheqin vetë, si dhe nën ndriçimin e fenerëve të mbyllur me vajguri, arrijnë së bashku në qytezë. Tregimi rrëfehet në veten e parë nga bashkëshorti. Dhe përfundon kështu: “Të nesërmen dola në anën e prapme të spitalit dhe në parkun me pisha bëra një fëmijë prej bore. Melita hapi dritaren dhe më tha të bëja dy. Ajo kishte lindur binjakë. Jo se ishin fëmijët e mi, por të shëndetshëm e të mbështjellë me pelena të bardha, ata dukeshin si dy pëllumba. Këtë e pranonte edhe infermierja e rreptë që përtypte çamçakëz. Dhe s’di përse, që atëherë më është bërë zakon që të mos i vras pëllumbat.” Fëmijët e mi nuk janë binjakë, por që të dy kanë lindur në të njëjtin muaj. Dritani më 11 janar 1970, Riviera më 1 janar 1972. Kështu që, dashje pa dashje, ky tregim na krijonte njëfarë afeksioni familjar. Dhe ashtu e vazhdoi rrugëtimin. Më 1982 libri u ribotua me këtë titull nga Rilindja e Kosovës. Por edhe kur nga librat e mi paraardhës u botua përmbledhja “Tregime të zgjedhura” (N. Frashëri, Tiranë 1986), dy pëllumbat ishin aty. Pastaj erdhi viti 2012. Toena botoi njëherësh dy përmbledhje të mia, tregime të para ’90-tës, tregime të pas ’90-tës. Mirëpo kësaj radhe zgjedhjen e bëra vetë. Kur zonja Aliqi përfundoi në kompjuter korrekturën për vëllimin e parë “Pika drite në Eklips”, i tha autorit: “Ke lënë jashtë edhe tregime që mua më pëlqejnë.” “Nuk do t’i përfshij”, ia ktheu pa ngurrim shkrimtari. Ahere zonja Aliqi, nëna e Dritanit, i cili tashmë kishte mbyllur sytë prej gjashtë vjetësh, e nxori fjalën pikërisht ku i dhimbte më fort: “As Pëllumbat e janarit?!” Burri ngurroi një grimë, pastaj u gjegj: “Jo, jo, as atë tregim. Unë nuk mund të zgjedh me kalendar.” E pashë si u vërejt, a thua se bash atë çast po i dilja i pabesë, po vrisja një pëllumb. Por unë, çuditërisht, përjetova diçka ndryshe. Mua m’u fanit sikur, prapa supit të nënës së vet, m’u shfaq Tani. Kishte në fytyrë atë buzëqeshjen e ndritshme dhe, duke ma shkelur syrin, më dha shenjën me të cilën komunikonim shpesh: “OK!” E mora sikur po më thoshte: “Po, po, zgjedhja s’bëhet me kalendar, letërsia ka tjetër kandar.” Sot ditëlindja e tij… Pse të mos them, sot, nesër e sa të kem frymë, im bir rilind çdo ditë tek unë. Ai shkoi i ri, por edhe mua më duhet të mbetem i ri. I ri, sa më i ri në krijimtari, që të mund ta përballoj aleancën e pathyeshme të shijeve dhe miqësinë e hatashme të Dritanit

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

one × 2 =