Për Agron Tufën, miqtë e kundërshtarët e tij … - Arbëria News

Për Agron Tufën, miqtë e kundërshtarët e tij …

Odise kote
Largimi i një shkrimtari nga Atdheu dhe kërkimi i azilit politik është një NGJARJE, një Akt Publik që shoqërohet me trazime, vëmëndje, kundërshti deri ekstreme dhe vështirësi analize racionale e të drejtë.
Çdo shoqëri e civilizuar i do, i përkëdhel dhe i ngre deri në KULT shkrimtarët e vet (artistët) më të mirë.

Adhurimi ndaj shkrimtarit i bazuar mbi gjykimin letrar është normal dhe i shëndetshëm, e kundërta ndodh kur përzihen pasionet politike e aq më tepër gjakimet reminishente të së shkuarës.

Situata ndërlikohet kur largimi dhe kërkimi azilit politik prej Agron Tufës, për shkak të natyrës publike, gjykohet gjerësisht i pandarë, edhe si qytetar, edhe si letrar, edhe si administrator, edhe politikisht.
Shumicen e gjerave të gabuara në këtë botë e bëjnë njerzit që kujtojnë se po bëjnë gjënë e duhur?!

Sjell për kujtesë konceptin e Jurisë Amerikane, Anëtarë të Letrave Amerikane të Librarisë së Kongresit, mes të cilëve, T.S. Eliot, W.H.Auden, Allen Tate, Robert Penn Warren, Katherine Anne Porter dhe Robert Lowell, që i dhanë çmimin Bollingen në vitin 1948 për Poezinë, Ezra Paundit (adhurues i Musolinit), koncept që konfirmon parimin : “Nëse lejojmë që konsiderata të tjera përveç arritjes poetike të zhbëjnë vendimin, kjo shkatërron rëndësinë e çmimit dhe hedh poshtë parimin se percetimi objektiv i vlerës është baza mbi të cilën duhet të mbështetet çdo shoqëri e civilizuar.”

Në këtë kontekst, Teksti letrar i Agron Tufës është i respektueshëm, meriton vëmëndje dhe vlerësimet përkatëse prej studiuesve seriozë e kritikës së specializuar letrare.
E gjitha bëhet faksitet, kur ndjenjat reaguese përzihen, kur aktiviteti administrtativ (ai i Drejtorit), i politologut, politikbërësit, njeriut Agron Tufa si bindje politike e sociale dhe i veprës letrare në vetvete, shkrihen në një të vetme.
Kjo vlen dhe për rastin kur vetë shkrimtari e përdor vlerën letrare për të justifikuar aktet publike jashtëletrare.

Këtu nis gabimi.

Për të mbëritur në agimin e qartë e të kthjellët, duhet të kalosh përmes natës. Njerzit janë si prej qelqi, kur ka diell shkëlqejnë, por në errësirë tregojnë bukurinë e tyre vetëm nëse kanë dritë brenda. (Shumë njerëz do të tmerroheshin, nëse në pasqyrë në vend të fytyrës, do të shihnin karakterin e tyre!!!)

Për shkak të neverisë së përgjithshme ndaj sjelljes e propagandës në Luftën e dytë botërore të Humbësve të saj (njëri krah), urrejtjes, krimeve të diktaturës në anën tjetër, futja si në mes të Sandwich-it e shkrimtarit Tufa, është një punë djallëzore që jo vetëm nuk sjell SQARIM, por e shtyn edhe më tej shoqërinë shqiptare në greminën e moskuptimeve dhe të ngecjes në rrugën e saj për nga emancipimi kulturor europian.

Në një shoqëri ende me ngulime të thella ideologjike, stili, terminologjia e rituali gjuhësor i paraprijnë asaj që do të thuhet, shkruhet e më pas do të besohet.

Por vjen një kohë kur Shoqëria Shqiptare duhet të lirohet prej këtij “zhguni” të vjetër otomano-komunist.
Për shkrimtarin të flasin krejt më vete specialistët e kritikës apo vetë shkrimtarët.
Për historinë dhe gjykimet e Tufës si historian të flasin vetëm historianët skrupulozë, mendjeftohtë e kombdashës.
Për administratorët e aktivitetin e tij si Drejtor të flasin specialistët e Administratës Publike.
Për karakterin, sjelljet publike të flasin psikologët dhe analistët socialë, ndërsa për bindjet politike e ndikimin e tyre në Letërsi apo aktivitetin publik le të flasin politologët, kritikët e analistët. Le të gjykojnë ata dhe vetëm ata, sipas standarteve europiane.

Në fund të fundit, ç’lidhje ka Teksti letrar (vepra) me Drejtorin, Politikbërësin, me Njeriun dhe karakterin e tij shoqëror e social, bindjet politike të Agron Tufës ???
Eshtë tinzare përpjekja e ngatërimit të qëllimshëm të Tekstit Letrar me gjithçka tjetër jashtëletrare.

Vendoseni Agron Tufën nën këtë optikë dhe pastaj jepni mendimin tuaj (jo gjykimin)… !

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

6 + 6 =