Për Kosovën, sot... - Arbëria News

Për Kosovën, sot…

Nga Entela Kasi

Tashmë po qëndroj në distancë, sikur të isha një e huaj pa lidhje etnie të njëjtë me ju. Po vendos arsyetim dhe logjikë për çështjen. Ndërsa është pikërisht kjo çështje fillimi dhe fundi i të kuptuarit. Krejt shkurt: masakrat, spastrimi etnik, gjenocidi u krye mbi ju. Këto mjaftojnë si elemente të kujtesës së gjithçkaje që ndodhi le të themi para 20 vjetësh. Traumat e ngjarjeve me të tillë makabritet jo vetëm që trashëgohen, por mbeten në kujtesën e shkaktarit dhe atij që i ka përjetuar. Këtu ka dy palë: ata edhe ju! Ata kanë kujtesë kriminale në ndërgjegjie, ju kujtesë të tmerrshme në atë që ndodhi me ju! Sot , askush prej atyre nuk ju ka kërkuar falje publike, askund! Nuk shpëton askush nga kujtesa as ata e as ju! Mirë do të kishte qenë sikur amnezia e kujtesës të ishte sëmundja për ata, por jo. Nuk vuajnë nga e tillë sëmundje. Ju asesi, jeni plotësisht të vetëdijshëm. Ju paskan thënë se po të harroni do shpëtoni çka të mundeni! Por, jo! Ju paskan thënë se u dashka bashkëbisedim midis atyre edhe juve. Dakord. Nga do të nisni bidedën? A kanë shprehur pendesë ata ndaj jush për çka bënë me ju? Unë nuk mbaj mend të ketë ndodhur një akt i tillë! Ju kanë thënë se po latë tokë, ujë, institucione të autencitetit tuaj etnik do ju njohin! Ju kanë thënë se po të kryeni këtë akt do të jeni të lirë, do keni siguri, të ardhme. Dhe po ju thonë se këtë po kërkojnë edhe ata përtej detit! Por jo! Nuk është krejt kështu! Tashmë kam një pyetje për ju, jo për ata që mbi ju kryen krime monstruoze jo vetëm para 20 vjetësh , por vazhdimisht… Kush prej jush ka parë atë që ju thuhet si thashë e them? Me sy keni parë sy për sy gjithçka! Arsyetoni , vendosni logjikën, matni dhe peshoni mirë! Ju doni të falni kur nuk ju kanë kërkuar falje! Ndërsa po harroni ende pa ndodhur asnjë akt sikur truri juaj të ishte mbushur me amnezi të kujtesës! Para se të uleni në bisedë, u thoni atyre që po i kërkoni njohjen e shtetit përmes lëshimeve, të njohin krimet e kryera mbi ju! Kur të pranojnë gjenocidin, nëse kanë fuqinë e vullnetit për të bërë këtë, nëse do t’ju njohin edhe shtetin, atehere po, ju keni të drejtën të falni, por vetëm ju! Nëse ju kërkojnë lëshime në emër të paqes, është provuar se më vështirë është të bësh paqe se luftë! Një paqe e rrejshme nuk është paqe, ashtu sikur lufta që në vetvete është vdekje! Ju keni të drejtë të fitoni dinjitetin në kohën e lirisë! Tashmë pa asnjë distancim, duke i dhënë të drejtë vetes në bazë të etnisë në përmbyllje të kësaj çështjes tonë po guxoj të them shqip: Sa nevojë që kemi për dinjitet dhe paqe, dy shtylla të njerëzimit. Sidomos për ne që kemi provuar kaq shumë vjet të na hedhin andej këndej gjithkund!

 

Entela Kasi, Presidente e PEN Qendrës së Shqipërisë.

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

eighteen + three =