Planet e FIFA-s për ta revolucionarizuar futbollin - Arbëria News

Planet e FIFA-s për ta revolucionarizuar futbollin

E ardhmja e futbollit mund të pësojë ndryshime të mëdha si pasojë e takimit të ardhshëm të Këshillit të FIFA-s.

Takimi, i cili do të mbahet në Miami më 14 dhe 15 mars, nuk do të jetë aspak si takimet e zakonshme, pasi që drejtuesit e këtij organi qeverisës të futbollit botëror synojnë t’i zgjidhin disa nga problemet në botën e futbollit, si në nivelin e klubeve, ashtu edhe për ekipet kombëtare.

Deri më sot, nuk është caktuar asnjë datë për edicionin e ardhshëm të Kupës së Botës për Klube, pasi që formati aktual i këtij turneu ka dalë nga moda dhe formula e garës është vënë në pikëpyetje nga shumë ekspertë futbolli.

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, dëshiron që ta bëjë këtë turne më të ngjashëm me Kupën e Botës, mirëpo UEFA e ka kundërshtuar këtë plan dhe kjo ka bërë që planet e Infantinos të mbeten për më vonë.

Mirëpo, kjo ide mund të bëhet realitet nëse ajo aprovohet në takimin e ardhshëm të Këshillit të FIFA-S. Ideja e FIFA-s është që të zhvillohet një garë tjetër në vend të Kupës së Botës për Klube. Kjo garë e re do të zhvillohej çdo dy apo tri vjet dhe do të merrnin pjesë 24 deri në 32 klube.

“Unë propozoj që ta bëjmë me të vërtetë një Kupë të Botës për Klube dhe t’ia japim mundësinë të gjitha klubeve nga të gjitha kontinentet të kualifikohen, përtej vetëm Evropës”, ka thënë Infantino.

FIFA pritet ta mbështesë edhe kthimin e Kupës Ndërkombëtare, ky ekip të cilës duan ta kthejnë edhe organet qeverisëse të futbollit të Evropës dhe Amerikës Latinë. Në këtë garë do të merrnin pjesë edhe klubet e Evropa Ligës dhe klubet e Copa Libertadores.

Edhe Kupa e Botës pritet të bëhet me 48 ekipe kombëtare pjesëmarrëse dhe Infantino dëshiron që ky plan të fillojë të implementohet qysh nga turneu i Kupës së Botës të vitit 2022, në Katar.

Ka ende shumë kohë deri atëherë, mirëpo plani duhet të aprovohet menjëherë, pasi që nëse duan ta rrisin numrin e ekipeve kombëtare pjesëmarrëse, atëherë duhet të bëhen disa ndryshime në infrastrukturë.

Mirëpo, kjo nuk është e gjitha. Reagimi pozitiv ndaj garës inauguruese të UEFA-s, Ligës së Kombeve, ka bërë që edhe FIFA ta shqyrtojë mundësinë e përdorimit të një formati të ngjashëm për Kupën e Botës.

Ky turne do ta zëvendësonte Kupën e Konfederatave dhe do të luhej me një turne final prej tetë ekipesh, çdo dy vjet në tetor apo në nëntor.

/Gazeta Express/

 

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

seventeen − 5 =