Nga Ted Deraj

E ka bërë ndonjëherë dikush këtë pyetje, teksa prej vitesh përballemi me debatin e emigrimit të shqiptarëve nëpër Europë e më tutje?

Realiteti socio-politik shqiptar prej dekadash ka në brendinë e tij një specie shumë të çuditshme; analistët politikë! Janë një dorë e mirë gazetarësh, politologësh, punëpakryerish, pashtyllëkurrizorësh (mund të ishte shumë e gjatë kjo listë) të cilët e kalojnë ditën, javën dhe muajin e vitin e tyre të ulur nëpër banaqe televizive, duke analizuar Nanon, Berishën, Ramën, Metën, Bashën, deputetët, ministrat, kryetarët e bashkive, OSBE-në, Ambasadën Amerikane dhe Brukselin, teksa në darkë qëndisin edhe ndonjë shkrim nëpër portalet [sic.] pa adresë fizike dhe pa autorësi, të financuara pale nga kush.

Oratoria e tyre është e pamatë, por kontributi real në diskursin politik të vendit është thuajse nul; sepse, së pari, analistëve përgjithësisht u mungon besueshmëria (thuajse secili është i ngjyrosur politikisht) dhe njëkohësisht aftësia (por edhe dëshira e sinqertë) për të gjeneruar e ofruar zgjidhje reale për sfidat kryesore që vendi ka.

Në vijim, thuajse secili prej tyre është në shumicën e kohës edhe një gjobëvënës i vogël; duke shënjestruar një palë e duke përkëdhelur palën tjetër, duke sulmuar një kauzë a institucion e duke lënë rehat një tjetër, analistët janë në të njëjtën kohë dhe sipërmarrës, pallat-ndërtues, ndërmjetës, sekserë apo biznesmenë.

Afërmendsh, duke qënë pjesë esenciale e sistemit dhe në të njëjtë kohë dhe shushunja të cilat jetojnë pikërisht me mosfunksionimin e këtij sistemi, analistët përdorin thuajse gjithmonë retorikë inflamatore, gjuhë ndarëse (ne kundër atyre), shpifje, spekulime, mashtrime, kapërcime logjike të pamata, e gjitha kjo për të promovuar gjithmonë e më tepër relevancën e tyre brenda sistemit që ata kinse rreken të analizojnë e përmirësojnë.

Gjenerimi i diskurseve divizive i shërben përfundimisht axhendës së analistëve për t’u faktorizuar e për të mbetur relevantë brenda politikës, brenda vendim-marrjes, financimeve, fondeve, lejeve, konçesioneve, licensave e gjithë benefiteve të tjera që ka të qenurit i molepsur me pushtetin.

Elita analitike e vendit nuk ka asnjë lidhje me realitetin e shqiptarëve mesatarë; kasta e analistëve gëzon benefite serioze financiare, shtëpi e makina luksoze, firma e kompani, edhe pse gazetat thuajse s’i blen e s’i lexon më njeri, e portalet nuk gjenerojnë dot para përmes sponsorizimeve e financimeve ligjore por vetëm përmes gjobëvënies politike.

Ndaj natyrshëm do na duhet ta pyesim veten për dy gjëra:

a.ku i gjejnë analistët të ardhurat për të jetuar ashtu si jetojnë?

dhe b- nëse Shqipëria është një vend kaq i tmerrshëm për të jetuar, këta analistët pse nuk emigrojnë?

Cinizmit të kësaj kaste pushtet-lëpirësish do duhet t’i përgjigjemi me të njëjtën monedhë; duke denoncuar mediokritetin e tyre dhe duke pretenduar standarte profesionalizmi dhe integriteti moral të përfaqësuesëve të medias së lirë, sa kohë që logjika e thjeshtë na tregon që këta analistë janë pjesë integrale e sistemit që vetë anatemojnë nga mëngjesi në darkë.

Integriteti i tyre duhet të vendoset vazhdimisht në provë, së bashku me përkushtimin e sinqertë që ata kanë ndaj kauzave esenciale të vendit tonë; nëse kjo nuk ndodh atëherë do vijojmë të dëgjojmë analiza boshe që nuk i shërbejnë askujt veç analitikëve!