POEZIA E Ermira Mitre NËN THELBIN E SAJ FILOZOFIK - Arbëria News

POEZIA E Ermira Mitre NËN THELBIN E SAJ FILOZOFIK

Çdo poet me botë të spikatur shpirtërore është një rast më vete për kritikun apo analistin letrar, në atë përpjekjen e tij të dëshpëruar të zbulojë sekretet e një poezie cilësore siç është ajo e Ermira Mitres, autore e vëllimit poetik “Graviteti i Shpirtit”. Dhe siç ndodh përherë me të gjitha shoqëritë e shpërndara në rruzullin e tokës, ku syrit të historianit modern i duhet të dallojë shpirtrat njerëzorë të fshehur pas ngjarjeve historike, kështu edhe çdo poet duhet parë në atë veçantinë e tij të papërsëritshme, të dyfishtë: si qenie njerëzore e njëkohësisht fenomen artistik me vlerë për tu analizuar. Kështu vështrimi kritik duhet të drejtohet me kujdes te shpirti i papërsëritshëm i muzës poetike që arrin të shfaqet denjësisht te artisti i talentuar.
Nuk ka recetë të caktuar për të analizuar shumëllojshmërinë. E veçanta për poeteshën në fjalë qëndron në dy gjëra kryesore që ndikuan aq shumë në jetën dhe filozofinë e përjetimeve të saj. E para është jeta në një vend të mbyllur si Shqipëria e më pas kalimi në një vend të jashtëzakonshëm modern si Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Veç se ky ndryshim, për nga përmasa psikologjike, nuk mund të krahasohet kurrsesi me të dytën: shokun e jashtëzakonshëm shpirtëror për shkak të humbjes të birit në një aksident në Shqipëri. Pikërisht gjendje të tilla skajore shpirtërore drejtojnë shpirtin në botën e bukur të revelacionit e të soditjes poetike, në mënyrë të paevitueshme e veshin me një lloj drite të çuditshme qiellore, me cilësinë e një përjetimi të brishtë filozofik.
Është karakteristike se autorja, edhe kur kthehet në atdhe si vizitore nga Nju Xhersi, përshkruan me besnikëri një botë të mbyllur, tipike lindore, ku stinët, yjet, planetët e plejadat qiellore shoqërojnë njëra tjetrën, duke lënë njerëzit në të njëjtën gjendje pa shpresë e apatike. Shoqëria shqiptare jeton pa i lënë vend shpërthimit të kohës, për të ndryshuar fatin e saj. Dhe kjo për arsye se në kohën fizike, të matur nga sahatet, nuk ka etikë, mbasi kjo fillon të lindë vetëm pas një motivi njerëzor për ndryshim. Prandaj Shqipëria vuan aq shumë. Nuk mund të krijojë dot shtet, ligje, mirëqenie, lumturi, me intelektualët e saj të lartë, pasojë e Njeriut të Ri Socialist, në padituri të plotë, të paaftë për të ndikuar sado pak për të ndryshuar vendin e tyre. Si “film me xhirim të ngadaltë”, shkruan autorja në poezinë “Magjia e dy kaltërsive”.

T’i dua udhët e tua të kalldrëmta,
ngarkuar me tingujt e legjendave.
po aq t’i dua edhe tingujt e sirenave,
përzier me oshtimën e kambanave,
dhe ding-dongun e sahatit të bashkisë,
kur lajmëron se një orë tjetër e jetës po nis.

Jo më kot bëj fjalë për transferimin e Ermirës në Amerikë. Si intelektuale e kujdesshme e me mendje të hapur, ky kalim pasqyrohet në mënyrë të suksesshme në vargjet e saj poetike. Për të bërë të kuptueshme këtë temë aq shumë thelbësore në jetën e një shoqërie, bota e parë karakteristike e vendeve në cikël të mbyllur e ka zanafillën nga modeli i Greqisë së Lashtë, para më shumë se dymijepesëqind vjet më parë, që shkëlqeu aq shumë… Në Shqipëri kjo kohë e ndaluar në shekujt e kaluar, karakteristike për gjithë vendet e pa emancipuara të Botës, paraqitet me simbolin e saj më karakteristik: kafenetë e përçarjes shoqërore, të vetëlavdërimeve, të diskutimeve pa fund, pa rrugëdalje. Simbolizohet gjithashtu edhe me rrethin e mbyllur të stinëve që vijojnë njëra tjetrën në mënyrë monotone, njerëzit hanë e vishen, liderët mafiozë politikë venë e vijnë, ndërkohë që sot gjithë Vendet Perëndimore, si pasojë e Rilindjes Shpirtërore të filluar para pesë shekujsh, jetojnë kohën e tyre çudibërëse, vijëdrejtë, me një mënyrë të jetuari e kulturë dinamike, udhëheqëse në botë.

Jam mbret i të sotmes, të ardhmen s’e di,
e Zotit i lutem në gjunjë, në vetmi,
jam mbreti që endet në galaktikat e tij,
si gurë tespihe në dorë të tij rrotullohem,
pres të nesërmen me të sotmen të sinkronizohen,
pres një lajm, një figurë, një shenjë të më japë,
pres agimin e të nesërmes me sytë e mi ta shoh prapë,
jam mbret i të sotmes, të nesërmen nuk e di,
jetoj e shpresoj që e nesërmja të më vijë!.

Jo vetëm artistikisht por edhe nga pikëpamja filozofike nuk ka gjë më të bukur nga konkluzioni i këtyre vargjeve që shpreh një nga elementët më themelorë të botës moderne. Është e tashmja çudibërëse ku mendimin njerëzor, duke e përshkruar e kaluara dhe e ardhmja, kjo e fundit arrin të shkëlqejë në dritën e shpresës, optimizmit dhe projektimit krijues.
E përmend edhe më sipër se një tjetër karakteristikë e poezisë së Ermirës është hapësira e përfytyruar hyjnore që njihet në filozofi me botën e ashtuquajtur transcendentale. Është rasti kur njeriu në jetë shkon përtej asaj që mund të shikohet, dëgjohet, shijohet, preket ose ndjehet. Është diçka që vjen nga intuita e përfytyrimi, jo nga logjika apo shqisat. Mund të mos jetë me origjinë fetare, ndonëse transcendentalja e Ermirës është me karakter fetar, veç në kuptimin modern: në trajtën e një mënyre të zgjuar për të kuptuar marrëdhëniet e individit me jetën dhe njerëzit që e rrethojnë. Nuk mund të ndodhë ndryshe, përderisa kujtimi i pashlyeshëm për birin e saj të humbur, Mikael Mitre, e drejton drejt një bote të bukur lutjeje, zbulese, lirie shpirtërore e hiri hyjnor.

-të Lindësh-
-të Zgjohesh-
-të Shkundesh-
-të Jetosh-
-përmes Eksperiencash-
-të Vdesësh-
-të Flesh në Paqe e Qetësi-
-e Njohura dhe e Panjohura-
-copëza mozaiku të-
-Ekzistencës tonë Hyjni.

Jam i ndërgjegjshëm se kam paraqitur vetëm elemente fragmentare në lidhje me shumëllojshmërinë e shpirtit poetik të Ermirës.. Duke përfunduar me filozofinë e dhimbjes, që në mënyrë të paevitueshme shoqëron njeriun në jetë, do të shtoja se në botën moderne dhimbja nuk shikohet si mbyllje në vetvete e shkatërrim i jetës. Në një plan më të gjerë, vëllimi poetik “Graviteti i Shpirtit” ndihmon për të parë jetën në mënyrë krijuese, me realizëm e shpresë, madje edhe kur gjërat janë të drejtuara në mënyrë tragjike kundër individit. Në këtë mënyrë, vetë bota ndryshon drejt njerëzores kur rrethi i të mençurve zgjerohet gjithmonë e më shumë pa u kuptuar, duke u kujdesur më shumë për zgjerimin e shpirtit se sa për thellimin e njohurive të sipërfaqshme dhe jo thelbësore.
Urime të mëtejshme Ermira.

Robert Martiko

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

six + 2 =