Prespa, gjithmonë përballë një zbulimi të ri - Arbëria News

Prespa, gjithmonë përballë një zbulimi të ri

Nga Engjëll Serjani

Zona e Liqenasit dhe Prespës janë nga ato vende që sa herë shkon të ngjan më e çuditshme mandej të ngjan se gjithmonë je përpara një zbulimi të ri. Kjo ndjenjë nis menjëherë pasi ke lënë rrugën e re nga Korça për në Pikën e Kalimit Kufitar të Kapshticës që të çon në Greqi. Rruga devijon në Zëmblak dhe prej aty ndryshon edhe destinacioni. Duke udhëtuar drejt rajonit të Liqenasit njëherazi je drejtuar për në Maqedoni. Prej këtej në Greqi mund të shkosh vetëm me varkë. Por për të shkuar drejt Prespës së Madhe më parë të duhet ngjitur rruga përmes Qafës së Zvezdës. Udhëtimi e bën më të këndshëm rruga e re që edhe pse malore përshkohet me kënaqësi, story pasi peizazhi në të dy anët e qafës është i papërsëritshëm. Në përfundim të ngjitjes përballesh me tabelën që prezanton Parkun Natyror të Prespës. Udhëtari i rrallë apo turisti këtu gjithmonë ndalet. Pamja përpara nuk ka të krahasuar. Poshtë rrugës një radhë fshatrash që u dallohen çatitë me tjegulla, visit this site Pusteci dhe më tej Shuli apo Diellasi. Pastaj krejt horizonti ka ngjyrën e kaltër të liqenit të Prespës së madhe. Ashtu si nëpër përralla dhe legjenda gjithmonë të shfaqen përpara dy rrugë. Por natyrisht këtu nuk ka vend për dilema si në legjenda, cilën rrugë të zgjedhësh. Në këtë rast tabelat e sinjalistikës së re rrugore të orientojnë, njëra rrugë të çon drejt bregut të liqenit, tjera të çon drejt pikës së kalimit kufitar për në Maqedoni.

Ndërsa ngjiteshim malores drejt Qafës së Zvezdës, për shkakun se udhëtonim drejt një rajoni ku takohen kufijtë ndarës midis tri shteteve, na pushtoi ideja se po shkonim drejt diçkaje që kishte një fund. Por fundi këtu në Prespë dallohet vetëm në harta. Në këtë realitet malesh dhe ujërash udhëtarin e kap vetëm ndjesia e një hapësire pa fund dhe pa anë. Nga mediat kam mësuar se në pjesën maqedonase të bregut janë zbuluar disa varka që i përkasin periudhës prehistorike, ndërkohë që edhe në pjesën shqiptare të bregut të liqenit arkeologët kanë mundur të gjejnë gjurmë të jetës së hershme. Mandej në shpellat e ishullit të Maligradit turistët fotografojnë piktura të lashtësisë. Kësisoj, Prespa na rezulton më e habitshme se më parë, pasi vendbanimi i Prespës, sipas arkeologëve është më i madhi në Europë që vjen në kohët tona qysh nga periudha e Prehistorisë. “Pas hapjes së kufijve dhe ndërtimit të rrugës automobilistike, zona e Prespës është bërë vend i mirë për të banuar dhe vend i bukur për t’u vizituar”, na thotë peshkatari Gjergji Aleksi, i pari vendas që takojmë në breg të Liqenit të Prespës së Madhe.

Prespa e Madhe

Peshkatari Gjergji Aleksi, nuk është i vetmi që pret grupin tonë turistik me 10-12 persona, bashkë me të janë edhe prifti ortodoks i Liqenasit Aleksandër Themelko dhe mësuesi Aleksandër Jano, që në këtë rast do të na shërbejë si varkëtar për ta çuar grupin tonë në ishullin e Maligradit për të vizituar shpellat e eremitëve dhe Kishën e Shën Mërisë së Maligradit. Prania e tre vendasve që kishin të njëjtë dhe të përafërt emrat dhe mbiemrat na tërhoqi vëmendjen. Kjo vjen nga respekti dhe adhurimi për Aleksandërin e Madh të Maqedonisë. Në të 9 fshatrat të banuar nga komuniteti maqedonas në Liqenas do të ndeshni shumë persona me emrin Aleksandër ose me mbiemrin Aleksi. Këtë të vërtetë ne e ndeshëm edhe në orët e tjera të vizitës turistike, kur hasëm në rrugë paralel me bregun e liqenit, shumë pranë njëra-tjetrës, dy taverna me emrin “Taverna e Aleksandërit”. Shumica e Aleksandërve që takuam ishin më shumë se 30 vjeç dhe nga ky fakt zbulohet qartë se te dëshira dhe adhurimi për emrin Aleksandër, nuk është thjesht adhurimi për Aleksandërin e Madh, por është dëshira e fshehur dhe e ndrydhur e këtyre banorëve për të ruajtur identitetin e tyre maqedonas gjatë viteve të regjimit komunist.

Në qendër të komunës, krahas Flamurit Kombëtar Shqiptar, dallohet edhe flamuri me logon e komunës, në qendër të së cilit shquajmë simbolin e njohur maqedonas një dielli të verdhë me 16 rrezet e tij. Mësuesi që na transporton përmes një valëzimi të butë të ujit të liqenit për në Maligrad na thotë se tashmë është kapërcyer problemi i humbjes së gjuhës maqedonase. “Tani në shkollën e zonës mësohet në gjuhën amtare në maqedonisht. Kjo është një gjë e mirë për të ruajtur identitetin tonë, por problem mbetet largimi i banorëve për në emigracion. Numri i nxënësve për disa vite ishte në rënie, vetëm këto dy tre vjetër e fundit ka një stabilitet, ka një rënie të të ikurve në emigracion dhe një kthim të emigrantëve për të investuar në këtë vend të bukur që duket sikur Zoti e ka bekuar me bukuritë e tij për ta kthyer në një zonë turistike”, thotë mësonjësi që për momentin na shërben si varkëtar Aleksandër Jano, por që sikurse mësojmë më vonë është njëkohësisht edhe nëndrejtori i shkollës 9-vjeçare. Kur e pyesim për respektimin e të drejtave si minoritet, Aleksandri thotë se situata është gjithmonë e më e favorshme, lëvizja e lirë, mësimi në shkollë i gjuhës amtare, mosdiskriminimi nga shumica, e disa të drejta të tjera tani e kanë përmirësuar situatën, por sipas tij ky është një proces që duhet vazhduar për t’u ndier gjithmonë e më të barabartë. Sepse fëmijët mësojnë maqedonishten në shkollën 9-vjeçare, por sipas tij ende ka probleme për mësimin në maqedonisht në klasat e larta. Mësuesit dhe autoritetet vendore kanë kërkuar tekste nga Maqedonia dhe pavarësisht nga ndihmat e shtetit maqedonas, ka ende shumë për të bërë.

Turizmi

Grupi ynë udhëton në dy barka të ndryshme drejt ishullit legjendë të Maligradit, një kreshtë shkëmbore që sfidon me ashpërsinë e pamjes së tij qetësinë që mbizotëron në liqenin pa fund e pa anë. Gjergji, njeriu që drejton varkën e një prej grupeve tona është peshkatar me emër. “Çdo shtëpi ka varkë, por turistët duan siguri dhe kërkojnë të vozitin me peshkatarë, sepse ata ia dinë mirë hiletë varkës dhe liqenit. Ne peshkojmë me rrjeta natën. Kthehemi në mëngjes, shesim peshkun te pronarët e tavernave në breg të liqenit dhe pastaj biem të flemë. Kur ka grupe turistike që duan të vozitin vijnë e na thërrasin. Bëjmë ndonjë leka të vogël, vajtje-ardhje në Maligrad 20 000 lekë të vjetra. Gjene mirë, sivjet ka shumë turistë”, thotë peshkatari, Gjergji. Pse vijnë turistët këtu, çfarë i tërheq? Pyes Gjergjin. “Ç’të të them bre! Di unë!? Ja vijnë për liqenin, vijnë për të shijuar tavat e peshkut, vijnë të shikojnë Kishën dhe shpellat e Maligradit…” Vërtet çfarë duhet më tepër për një turist, se një natyrë e qetë dhe e pastër, se një udhëtim me varkë në liqen, një ushqim i mirë me peshk liqeni, një shëtitje në brigjet e veshur me bimësi, një vizitë për të parë vlera të papërsëritshme të trashëgimisë kulturore sikurse janë këtu kishat ortodokse në mes e në breg të liqenit, e ndoshta në të ardhmen edhe një shëtitje në brigjet e liqenit përballë në pjesën greke apo maqedonase.

Në ndryshim të sistemit politik dhe ekonomik, banorët e zonës tentuan të bënin tregti me bashkëkombësit maqedonas me produktet bujqësore të zonës, me mollë, patate, qepë etj. Por kjo tregti nuk eci, pasi produktet maqedonase ishin më të lira. Pas kësaj tentative të dështuar vendasit iu kthyen emigracionit. “Ne, thotë shoqëruesi ynë, Gjergji, bëjmë dy lloj emigracioni: Shkojmë punojmë e rrimë andej me familje në Maqedoni e Greqi, por kemi dhe një emigracion tjetër të përditshëm, shkojmë të punojmë andej ku të gjemë punë dhe kthehemi në mbrëmje në banesën tonë”. Dallohet qartë që vendasit kanë disa vjet që u janë kthyer atyre gjërave tradicionale, peshkimit, ndërtimit, bujqësisë dhe blegtorisë. Bie fjala i janë kthyer prodhimit të drufrutorëve të tyre, vreshtarisë, mollëve e kumbullave që i kishin lënë pas dore qysh pas viteve ‘90.

Legjenda

Sa më shumë i afrohemi ishullit të Maligradit, aq më tepër ndiejmë se i afrohemi një enigme a legjende. Si për të na shtyrë më thellë në këtë ndjesi, një bashkudhëtari ynë nga Saranda, Panajot Gunari, pyet për historinë e një përbindëshi që pak kohë më parë është shfaqur në sipërfaqe të ujërave të liqenit të Prespës. Mandej për ta na e bërë më të besueshme historinë thotë se për këtë ngjarje të rrallë BBC ka transmetuar një reportazh që merrte shkak nga një fotografi e prezantuar nga një çift anonim. Historinë e Gunarit e pohon edhe varkëtar Gjergji: “Po, ishte një fotografi e fiksuar nga pjesa e liqenit që i takon Greqisë dhe janë shumë dëshmitarë që thonë se kanë parë diçka misterioze që ngrihet mbi ujë dhe herë pas here noton në ujërat e liqenit”. Peshkatari thotë se vetë nuk e ka parë atë qenie misterioze, por thotë se dyshon se mund të këtë qenë ndonjë peshk i madh.

“Mund të ketë qenë edhe peshk i madh, unë vetë e kam nxjerrë nga rrjetat e peshkimit një peshk 40 kg, por peshkatarët matanë në Maqedoni kanë nxjerrë edhe peshk më të madh se kaq”, thotë Gjergji. Po, misteret e Prespës nuk mbarojnë këtu. Një djalë rreth të tetëmbëdhjetave nga Shuli na thotë se shumë druvarë që shkojnë në mal për të prerë trupa kanë parë disa hije të çuditshme mbi liqen. “Liqeni është shumë i thellë. Vitet e fundit niveli ka rënë rreth 7 metra. Shikoni atë fushën atje, dikur ishte e mbuluar më ujë e kallamishte. Mbase nuk ka asnjë përbindësh, por ajo që na bën përshtypje askush nuk mori mundimin të vërtetojë këto dyshime që erdhën nga të tri anët e banorëve të Prespës”, thotë Gjergji. Legjenda misterioze e “përbindëshit të Prespës” mbetet ende legjendë, paçka, le të mbetet, ndonjëherë misteret dhe legjendat i tërheqin më tepër turistët dhe vizitorët.

Ishulli i Maligradit

Më në fund mbërrijmë në ishullin e vogël në mes të liqenit të Prespës. Varka me të cilën voziste gjysma e grupit tonë u afrua e para në një mes të improvizuar me masa të mëdha kauçuku të lidhura me litar në trungjet e pemëve të bregut. Në platformën kauçuku me ngjyrë blu i pari zbriti prifti me emrin e Aleksandërit të madh të Maqedonisë. Ende pa zbritur grupi i dytë prift Aleksandri nisi rrëfimin e tij të cilin kushedi sa herë e ka përsëritur apo ai është “guida” e vetme dhe përhershme për turistët që zbresin në Maligrad. “Maligrad është falë në maqedonisht, që në shqip përkthehet “qytet i vogël”. Në pjesën maqedonase të liqenit ka një ishull tjetër të ngjashëm me këtë, por 4-5 herë më të madh dhe për këtë arsye quhet “Golemgrad” që në shqip do të thotë “qytet i madh”. Edhe në ishullin tjetër ka dy kisha ortodokse të periudhës bizantine”, na thotë prifti. Këtu ndodhet një nga monumentet më me vlerë të trashëgimisë kulturore, Kisha e Shën Mërisë, që sipas udhërrëfyesit tonë daton në Shekullit XIV. Në ishullin e Maligradit, na shpjegon drejtoresha e Drejtorisë Rajonale të Monumenteve në Korçë, Jorida Romacka, janë gjetur edhe objekte të tjera arkeologjike si tjegulla, kolona e kapitele që sipas arkeologëve i përkasin një kishe paleokristiane që mendohet të ketë qenë në pjesën e sipërme të liqenit. Sipas vendasve mendohet se pjesa e vizitueshme e kësaj kishe është rindërtuar nga Car Simeoni dhe se në pjesën e sipërme të ishullit shkëmbor gjenden edhe sot rrënojat e vilës verore të shekullit XI. Mandej, në ballinën e kishës prifti na tregoi afresket me piktura të portreteve të Carit që e rindërtoi kishën, bashkëshortes së tij, dhëndrit dhe vajzës së tij të cilët sipas tij janë kurorëzuar në altarin e kishës së Shën mërisë këtu në ishull. Kisha e Shën Mërisë është një objekt kulti i vjetër dhe ka shërbyer si qendër shpirtërore për prijësit shqiptarë të Muzakajve. Mbishkrimet që gjenden në këtë kishë i përkasin periudhave të ndryshme të lidhura me historinë e këtij monumenti. Një mbishkrim në faqen jugore, më i hershmi në këtë kishë i përket vitit 1345 dhe fazës së parë të zbukurimit të kësaj kishe me afreske.

Taverna “Aleksandër”

Tani zona e Liqenasit nuk është më krahina e fshatrave ku jetojnë vetëm pleq. Bregu i liqenit të Prespës edhe për pak kohë nuk do të ketë më vend për taverna. Djemtë kanë filluar të kthehen dhe t’i ndjenë lezetin biznesit në vendlindje. Shumë banorë të fshatrave në Shul, Goricë dhe Gollomboç i janë kthyer turizmit familjar.

Ne ndalemi në tavernën “Aleksandër”. Aty pas disa orësh do të nisë një dasmë. Megjithatë Aleksandri, pronari i tavernës, na pranon dhe na shërben vetë. “Punoj këtu bashkë me bashkëshorten time. Jemi kthyer nga emigracioni. Kemi ngritur këtë biznes. Fitojmë diçka. Kemi klientë nga Tirana, Korça, Pogradeci, nga Shkupi, Kosturi, shqiptarë, grekë maqedonas të ndryshëm”, na flet ai duke sjellë tavat e peshkut, një meny tradicionale e jashtëzakonshme për turistët. Na thotë se tregues i rikthimit janë edhe dasmat. “Më përpara na i merrnin bashkatdhetarët maqedonas vajzat e fshatit. Tani ka nisur të thyhet mentaliteti të shkojmë andej se është më mirë. Mirë është edhe këtu ku kemi origjinën tonë”, thotë një nga shumë Aleksandrit e Liqenasit.

 

Box

 

Projekti

 “Parku Ballkanik i Prespës”

 

Vitet e fundit, gjithmonë e më shumë flitet për një projekt që emërtohet “Parku Ballkanik i Prespës” që sipas këtij projekti përfshin një sipërfaqe prej rreth 27.750 hektarësh dhe shtrihet në tri shtete, midis Shqipërisë, Greqisë dhe Maqedonisë. Ky park ndërkombëtar që përfshin një rajon të gjerë brenda dhe përreth dy liqeneve Prespës së Madhe dhe Prespës së Vogël kap një zonë të pasur me vlera historike dhe eko-turistike. Vendasit numërojnë si vlera të rralla në këtë zonë Kishën e Eremitëve të periudhës Bizantine në Prespën e Madhe, Shpellën e Trenit që gjendet në liqenin e Prespës së Vogël, rrënojat prehistorike në bregun shqiptar, varkat antike të zbuluara në bregun maqedonas, rrënoja të periudhës së bronzit, Kështjellën e Trojanit, një nga sitet arkeologjike më të njohura në këtë rajon, ndërtuar në shekullin e VIII para erës sonë, Kishën e Shën Mërisë ndërtuar në shekullin e 14 pas Krishtit, Kishën e Shën Mëhillit, e shumë monumente të tjera të kulturës dhe historisë.

Atraksionet kulturore që tërheqin turistët këtu janë të pashtershme. Bie fjala, prifti ortodoks i Liqenasit, Aleksandër Themelko, ende pa mbërritur në ishull, na thotë se në shpellën e Maligradit, ku ndodhet Kisha e Shën Mërisë që ne jemi nisur ta vizitojmë, janë dy afreske të rralla, “Puthja e Judës” dhe “Shën Mëria”. Ndërsa në një libër të shkruar nga Gjon Muzakaj shkruhet se pikërisht në këtë ishull është varrosur gjyshja e tij. Histori e legjenda vërtet të çuditshme. Të intrigojnë këtu në brigjet ku kryqëzohen kufijtë shtetërorë të tre vendeve jo vetëm legjendat e përcjella gojë më gojë, por edhe realiteti i prekshëm, disa vende eremitësh, që studiuesit i vendosin mes shekullit XII dhe XIII, më tej poshtë fshatit Gollomboç, në një vend që vendasit e quajnë “shpella e zezë” ndodhet Kisha e vjetër e Evangjelizmit, ku ruhet afresku i ungjillëzimit, në rrethinat e Shulit gjendet Kisha e vjetër e Shën Kollit me afresket e gdhendura në faqen e shkëmbit mbi shpellë.

Kthimi në një park ballkanik turistik të frekuentuar nga vizitorë europianë në fakt duket e mirë, por si pak larg. Megjithatë, çdo projekt dhe ide e ka një fillim. Mjafton të shikosh shtimin e përditshëm të varkave dhe tavernave në breg të liqenit, për të ndezur një dritë shprese për këtë projekt që ende ndodhet në ndonjë sirtar apo memorie kompjuteri. Shpresë ka, sepse këtu ka një potencial të jashtëzakonshëm eko-turistik që mund të përfshijë brenda tij veprimtari të tilla që vështirë se mund t’i gjesh gjetkë: çlodhje, qetësi, peshk dhe peshkim, gjueti, vozitje dhe gara të sporteve ujore, mbledhje të bimëve mjekësore, ushqime tradicionale, folklor dhe kultura të larmishme.

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

19 + 5 =