Prokuroria mund t’ia kishte kursyer këtë krizë Shqipërisë - Arbëria News

Prokuroria mund t’ia kishte kursyer këtë krizë Shqipërisë

Çdo vend, qofshin ato edhe demokratike, kalojnë kriza politike, sepse politika për nga natyra e saj është konfliktuale. Mirëpo, krizat politike në vendet e tjera nuk kanë pasoja të rënda për shoqërinë, ekonominë e politikën ashtu siç ndodh në Shqipëri. Për një arsye shumë të thjeshtë. Në vendet demokratike, krizave politike u japin zgjidhje institucionet e pavarura, mbi të gjitha drejtësia. Ndërsa në Shqipëri, jo vetëm që nuk e bëjnë këtë, por institucione të tilla e thellojnë më shumë krizën dhe pasojat e rënda që ka ajo për vendin.

Në këtë kuptim, prokuroria shqiptare, për çështjen e shitblerjes së votave, nëse do të bënte punën e saj siç duhet dhe siç e ka mision kushtetues, do t’i evitonte Shqipërisë dhe shqiptarëve krizën politike e shoqërore që po kalojmë, e cila nëse vazhdon kështu, mund të thellohet edhe më tej. Është absurde të mendosh, që për çështjen më të ndjeshme të shqiptarëve të momentit, siç është ajo e blerjes së votave, prokuroria ende nuk ka një hetim të vetëm.

Opozita, për këtë pretendim, ka bërë një akt të paprecedent, atë të djegies së mandateve, ndërsa në mënyrë të habitshme, prokuroria shqiptare nuk ka bërë përpjekjen më të vogël për të adresuar shqetësimin e deputetëve që tashmë janë në rrugë, të cilët përfaqësojnë pothuajse gjysmën e shqiptarëve. Nuk ka rëndësi nëse pretendimet e opozitës janë të vërteta ose jo, detyra e prokurorisë në një vend normal do të ishte t’i merrte më së paku në shqyrtim pretendimet e saj, për të krijuar një klimë besimi tek institucionet dhe për të evituar krizën e thellë politike ku gjendemi sot.

Nëse prokuroria do të bënte detyrën e saj, opozita, me të gjitha gjasat, nuk do të ishte jashtë parlamentit, por brenda tij për të zhvilluar punën e saj politike, me qetësinë se denoncimet e saj merren në konsideratë me seriozitet maksimal që i takon një çështjeje të tillë.

Kështu që, për një forcë politike, e cila pretendon se në zgjedhjet e 2017-s janë blerë votat dhe ky pretendim nuk merret aspak në konsideratë nga prokuroria, edhe pse indiciet për një hetim ekzistojnë, atëherë zgjidhja që i mbetet është vetëm ajo politike.

Për 30 vite me radhë, Shqipëria ende nuk arrin të zhvillojë zgjedhje të lira dhe të ndershme, si në asnjë vend tjetër në Europë dhe botë, e cila është një nga sëmundjet më të mëdha të tranzicionit shqiptar dhe çuditërisht nuk kemi as edhe një hetim të vetëm për shitblerjen e votave.

Nuk ka asnjë rëndësi nëse Vangjush Dako është fajtor apo ajo, edhe për faktin se këtë e vendos drejtësia, nëse do ta kishim kuptohet, e rëndësishme është që organet e drejtësisë, kur ka një shqetësim kaq të madh, duhet që me veprimet e saj të qetësojnë opinionin publik. Në fakt, e kundërta po ndodh. Dje, në deklaratat e prokurorisë, shqetësimi ishte vetëm dalja e sekretit hetimor, i cili sigurisht është i tillë, por më së pari duhet të ishte hetimi për personat që dolën në përgjime. Sepse, kjo çështje përbën sot një prioritet kombëtar, për faktin se vendi është në një krizë të thellë politike dhe një orë e më parë duhet të kishte marrë përgjigje nga prokuroria, e cila, ndër të tjera, paguhet nga taksat tona pikërisht për të kryer këtë detyrë.

E megjithatë, nuk është e domosdoshme të dëgjojmë një përgjim telefonik midis një politikani dhe një personi me precedent penal, për të kuptuar se në Shqipëri blihen dhe shiten votat. Ky është një fenomen që të gjithë e pranojmë tashmë. Nuk besoj se ka ndonjë shqiptar që mendon se në Shqipëri nuk blihen votat. Madje, këtë gjë e ka pranuar dhe vetë kryeministri.

Dhe ky fenomen luftohet me dy mënyra. Ose me anë të drejtësisë, e cila me të gjitha gjasat nuk e bën dot këtë punë, ose nëpërmjet qeverisë tranzitore dhe neutrale. Shumë kriza politike shqiptare përfundojnë të zgjidhen me marrëveshje politike, për faktin se institucionet e tjera dhe sidomos drejtësia, nuk arrin dot t’i zgjidhë ato. Nëse do të ishte ndryshe, shqiptarët nuk do të përjetonin kriza ciklike politike, të cilat po i dëmtojnë të ardhmen e tyre në mënyrë të parikuperueshme./ Gazeta Liberale/

Ervis Iljazaj

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

9 − eight =