Pse çmimet letrare janë të rëndësishme? - Arbëria News

Pse çmimet letrare janë të rëndësishme?

Seepersad Naipaul, shkrimtari fitues i çmimit “Nobel” (1971), i njohur në shqip përmes romanit “Qyteti bri lumit”, do të shprehej 10 vite më parë, në një tetor të zakonshëm para shpalljes së çmimit “Nobel”, se çmime të tilla nuk janë vetëm një trofe i madh në jetën e një shkrimtari, por jetë për letërsinë. Shekulli XXI, për shkrimtarë si Naipaul që vinin nga një shkollë letrare, të ndikuar nga autorë të mëdhenj si Dikens, Kafka, Dostojevski, Faulkner, Proust, do të ishte i trishtë, teksa shihnin shndërrimin e botës letrare, në një treg të madh të dominuar nga autorë që një shekull më parë as nuk do të mund të shihnin dritën e botimit. Ndryshimet globale, një botë që orvatet çdo ditë e më shumë drejt komercialitetit, u kanë dhënë më shumë zë e figurë autorëve shpesh mediokër, por që mbartin pas në rrjetet sociale miliona ndjekës, e që librat e tyre kanë arritur shifra shitjeje që agjentët e Franc Kafkës nuk i kanë marrë asnjëherë. Për shkrimtarë si Naipaul, që besuan në një formë tjetër të letërsisë, shpesh fotot me lexues që mbushin plot sallat me autorë mesatarë, tregonin fundin e “letërsisë”. Skena dhe mendimi letrar sot orvatet në ujëra të tjera, futur në mekanizmin e përsosur të tregut, i cili si në çdo sektor tjetër, edhe në letërsi përpiqet të gjejë rrugën e një suksesi më të lehtë.

Ndaj institucione letrare si çmimi “Nobel”, “Man Booker”, apo “Franc Kafka” etj., në një kohë kur duket se po humbin gradualisht vlerat, kryesisht njerëzore, këto konkurse janë bastionet e fundit. Shpesh në konflikt me tregun që kërkon të tjera vlera, ato vijojnë të jenë si kështjellat e fundit, që nuk duan të lëshohen përpara një lufte të ashpër.

Në këtë kontekst, çmimi letrar “Kadare”, i krijuar nga Instituti Europian “Pashko” katër vite më parë, kthehet në një institucion të rëndësishëm për vazhdimësinë e letërsisë shqipe. Duke mbartur emrin e një shkrimtari të përmasave botërore si Kadare, ky çmim kthehet në mënyrë të natyrshme në një referencë të përsosmërisë dhe të kritereve të larta të gjykimit. Nga ana tjetër, ky çmim frymëzon besim për kohë të mira, pasi ekzistenca e konkurseve letrare, është një tregues se letërsia do të vijojë të jetë orientuesja më e madhe shpirtërore e politike.

Vetë Kadareja u bë udhëheqësi shpirtëror përmes librave që shkroi, i një kohe të errët në historinë e Shqipërisë, duke përçuar përmes rreshtave shpresë për shumë gjenerata. Tashmë duke i besuar emrin e tij një institucioni të rëndësishëm letrar, ai rikthehet me një mision më të rëndësishëm të kohëve që jetojmë, për rikthimin e besimit te letërsia.

Si një institucion gjykimi, orientuar ndaj vlerave më të larta, sfida e anëtarëve të jurisë së këtij konkursi bëhet më e madhe, duke pasur parasysh prurjen e dorëshkrimeve të një viti. Duke qenë një konkurs i përvitshëm, e në një letërsi si e jona, ekziston mundësia që niveli i dorëshkrimeve të një viti të mos jetë në nivelin e çmimit. Por, katër veprat fituese të deritanishme kanë treguar një rritje të qenësishme të letërsisë shqipe, në formë e përmbajtje.

Në sferën letrare shqiptare, ky çmim i konceptuar që në gjenezë si një konkurs për dorëshkrimet, kthehet në motivuesin kryesor, për shkrimin e prozës shqipe. Numri i dorëshkrimeve të dorëzuara këtë vit pranë këtij konkursi, 50, tregon se në këto katër vite jete, ky çmim ka arritur qëllimin e tij, duke u bërë projektues i veprave të ardhshme në laboratorin krijues të shumë shkrimtarëve.

Duke ndjekur me vëmendje dy edicionet e fundit të këtij çmimi, një nga meritat e këtij konkursi është dhe mundësia e komunikimit që u afrohet shkrimtarëve të rinj. Duke qenë një konkurs me fokus veprën e mirë dhe jo kategorinë e shkrimtarit, ai është kthyer në një hapësirë ku kritikët dhe studiuesit e letërsisë mund të evidentojnë autorët e rinj premtues të letërsisë shqipe. Numri i madh i autorëve të rinj që edhe në këtë edicion dorëzuan veprat e tyre, tregon shpresë për të ardhmen e prozës shqipe. Garimi në mënyrë të barabartë me emra të konsoliduar në tregun e librit, rrit besimin e në të njëjtën kohë i bën ata pretendentë të barabartë për trofeun e madh.

Nga ana tjetër, leximi me kujdes i veprave në konkurs sjell pasqyrën më të mirë sesi kriza e përgjithshme morale e shoqërore, reflektohet në subjekte që gjithnjë e më shumë i largohen njerëzores, që është dhe qëllimi i letërsisë.

Mungojnë temat dhe kauzat e mëdha dhe e shkuara komuniste vijon të jetë ende terreni ku autorët orvaten më shumë.

Por përtej problematikave të një letërsie si e jona, ky konkurs është forma më e mirë jo vetëm për vazhdimësinë e letërsisë së mirë, por dhe për nxitjen e një jete letrare, që prej katër vitesh ka nisur të gjallojë në qytet.

Alda Bardhyli

/Gazeta Liberale

 

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

3 × 3 =