Pse dështoi opozita ndaj Frontit Nacional Çlirimtar në Shqipëri - Arbëria News

Pse dështoi opozita ndaj Frontit Nacional Çlirimtar në Shqipëri

Dokumenta historike

“Ata që shpresohej se do të mblidheshin rreth Kupit ose do të bashkoheshin në Lëvizjen e tij të Legalitetit nuk mund t’i rezistonin dot floririt gjerman.”

“Ballistët që si grup janë kolaboracionistë po ia mbathin me gjermanët; po t’i kapin, hanë plumbin.”

“Tendencat e grupeve nacionaliste për të bashkëpunuar me gjermanët, përçarja, mungesa e dëshirës së tyre për të luftuar”

Gjatë Luftës së Dytë Botërore , të dërguarit amerikanë në rajonin e Ballkanit ndiqnin me vëmëndje zhvillimin e situatave dhe ia raportonin ato qendrës. Në këtë kuadër është me rëndësi një raport që Alexander C. Kirk ja dërgon Sekretarit të Shtetit më 10 nëntor 1944.
Kirk ishte këshilltar politik (ambassadorial I parë amerikan pas luftës) pranë Shtabit Aleat në Kazerta, Itali, dhe zyra që ai drejtonte koordinonte gjithë aktivitetit politik në rajon, përfshi Shqipërinë.

Raporti i nxjerrë nga dokumentat e Departamentit të Shtetit të SHBA që po jepet i plotë më poshtë, shpjegon pse dështoi opozita ndaj Frontit Nacional Çlirimtar.

875.01/11-1844: Airgram
Zoti Alexander C. Kirk, këshilltar politik, Shtabi i Forcave Aleate
Drejtuar: Sekretarit të Shtetit

Caserta, 13 Nëntor 1944
(Marrë më 20 Nëntor, ora 6 p.m.)
A-50. I referohet telegramit 346 të Departamentit të Shtetit të 8 Nëntorit 1944, ora 4 p.m.

Zoti Frederick T. Merrill, përfaqësues i kësaj zyre në Bari, Itali, më datën 10 Nëntor 1944 na raporton mbi një bashkëbisedim që ka pasur me Abas Kupin dhe mbi detajet e dështimit të opozitës ndaj Frontit Nacional Çlirimtar (FNÇ) në Shqipëri si më poshtë:

Pranverën e kaluar britanikët parashikuan se rritja e FNÇ mund të përmbyste ballancën politike në Shqipëri duke sjellë në pushtet një grup më miqësor ndaj Rusisë se sa ndaj Anglisë. Qysh me pushtimin gjerman vjeshtën që kaloi, oficerët anglezë të ndërlidhjes kanë qenë shumë aktivë në të gjitha zonat e vendit por ndihmë në formë floriri ose premtimesh për mbështetje iu është dhënë kryesisht të ashtuquajturve udhëheqës nacionalistë të cilët në të kaluarën kanë qenë krerë fisesh, politikanë dhe pushtetarë të vendit. Politika për të ndihmuar çdo grup që lufton gjermanët u zbatua gradualisht (ndoshta pa dëshirë në fillim) ndaj Ushtrisë Nacional Çlirimtare të FNÇ duke arritur kulmin me një marrveshje për koordinimin e veprimeve kundër gjermanëve dhe dhënjen e furnizimeve ushtarake që u nënëshkrua në Bari, Itali, në gusht 1944.

Poshtëshënim në original:

(Në fakt Radio Bari, jo para shtatorit – dhe vetëm pasi drejtuesi i sektorit shqiptar të Bordit për Luftën Psikologjike si dhe një karakter i keq i quajtur Gyokova që duket të ketë qenë i lidhur me fashizmin në të kaluarën u lëvizën nga detyra – filloi të përkrahte partizanët.)

Megjithatë, për të kundërvepruar ndaj rritjes së forcës politike të lëvizjes së FNÇ, prillin e kaluar Foreign Office vendosi të krijonte një bllok nacionalist rreth major Abas Kupit me të cilin britanikët ishin marrë që nga viti 1940 dhe i cili në atë kohë ishte i pastër nga ndonjë njollë bashkëpunimi me gjermanët. Një bllok i tillë, pasi të luftonte me sukses armikun dhe duke gëzuar përkrahjen britanike, do të tërhiqte të moderuarit nga FNÇ dhe do të dilte si qeveria e ardhshme e Shqipërisë.

Fatkeqësisht për politikën britanike, ata nënvleftësuan apelin dhe efektivitetin e organizatës së FNÇ dhe mbivlerësuan fuqinë e Kupit. Ata që shpresohej se do të mblidheshin rreth Kupit ose do të bashkoheshin në Lëvizjen e tij të Legalitetit nuk mund t’i rezistonin dot floririt gjerman dhe premtimeve për armë. Nuk doli as ndonjë nacionalist tjetër me ndonjë program konstruktiv që të tërhiqte fshatarsinë ose të linte mënjanë ambicjet individuale. Asgjë nuk mund t’i mbante ata bashkë veç mbështetjes britanike dhe për këtë kishte shumë pak evidencë reale.

Tendencat e grupeve nacionaliste për të bashkëpunuar me gjermanët, përçarja, mungesa e dëshirës së tyre për të luftuar megjithë premtimet britanike për mbështetje, shkatërruan çfarëdo lloj shprese të vogël që mund të egzistonte për formimin e një blloku dhe sulmi i Divizionit të Parë të Ushtrisë Nacional Çlirimtare kundër Kupit pikërisht kur ai po bëhej gati të sulmonte gjermanët, krijonte rrezikun e një lufte civile në qoftë se Kupit do t’i jepeshin në atë kohë furnizime ushtarake.

Pas shumë muajsh pavendosmërie gjatë të cilëve britanikët i mbajtën oficerët e tyre me Kupin duke ngjallur me këtë veprim një pakënaqësi të madhe tek FNÇ i cili ndërkohë po e akuzonte atë për bashkëpunëtor të hapur me gjermanët, Londra lëshoi direktivën për të tërhequr gjithë mbështetjen ndaj Kupit. Në vazhdim u tërhoq gjithë misioni si dhe oficerët që ishin me Gani Kryeziun, një nga krerët e Shqipërisë së Veriut për të cilin madje edhe FNÇ pranonte se kishte luftuar kundër gjermanëve. Kjo shkaktoi rrënimin e gjithë opozitës ose të opozitës së mundshme ndaj FNÇ përderisa një opozitë e tillë varej ose nga mbështetja e gjermanëve (që tani po tërhiqeshin) ose nga ajo e britanikëve. Kupi dhe Said Kryeziu janë tashmë refugjatë politikë në Itali. Po bëhen gjithashtu përpjekje për të evakuuar Ganiun.

Ballistët që si grup janë kolaboracionistë po ia mbathin me gjermanët; po t’i kapin, hanë plumbin. Shumë prej tyre kanë mundur të kthehen nga krahu i FNÇ.

E vetmja rezistencë që mbetet është në zonën katolike në Shqipërinë e Veriperëndimore rreth Shkodrës por që nuk mendohet se do të mundë të përballojë FNÇ pasi ai të ketë dominuar pjesën tjetër të Shqipërisë.

Në një bashkëbisedim që pata dje me Abas Kupin, ai pranoi vetë se tani nuk ka mundësi për të formuar ndonjë opozitë ndaj FNÇ si fuqi politike pa një ndërhyrje të aleatëve për të çarmatosur Ushtrinë Nacional Çlirimtare dhe për të vënë nën kontroll xhandarmërinë. Ai është plotësisht i bindur se FNÇ dominohet nga komunistët dhe i merr urdhërat nga Moska kurse frymëzimin e ka nga Titua. Ai pranon vlerën e parimit sipas të cilit armët t’ju jepen atyre që do të luftojnë gjermanët por beson se partizanët me marifet iu shmangeshin gjermanëve kur ishte me të vërtetë me rrezik dhe se kontributi i tyre kishte qenë i pakët. Për këtë arsye ai e konsideron shkurtpamësi t’ju japësh armë në dorë atyre njerëzve që tani do t’i përdorin ato në Shqipëri për të likuiduar të gjithë ata që shikojnë nga Perëndimi dhe jo nga Lindja. Ai do të parapëlqente të shikonte krijimin e një sfere influence në Ballkan sepse ndjen se vetëm atëhere Britania do të ishte në gjendje të sillte përsëri në pushtet atë dhe njerëzit si ai. Ai beson se pasuesit e tij të dikurshëm dhe fshatarët në zonën që ai kontrollonte në Shqipëri nuk do ta pranonin autoritetin e FNÇ ose siç u shpreh ai “të kujtdo që është i armatosur.”

Konkluzioni i rëndësishëm që del nga biseda me Kupin dhe me oficerët britanikë të ndërlidhjes që u përpoqën të krijonin bllokun nacionalist dhe dështuan është se tani gjendemi thjesht përballë një realitetit të tillë të pashmangshëm:

1. FNÇ dominon më shumë se gjysmën e Shqipërisë dhe së shpejti do të dominojë gjithë vendin.

2. Kjo do të arrihet me forcë të pamëshirshme, kërcënim për përdorim force dhe eliminimin e kundërshtarëve politikë, kryesisht sepse shumica e popullit tani e di që organizata ka mbështetjen e sovjetikëve dhe kohët e fundit edhe të britanikëve.

3. Qeveria do të kontrollohet nga komunistët dhe do të ndjekë vijën e Titos për Ballkanin Jugor.

4. Britanikëve nuk ju mbetet të bëjnë gjë tjetër veçse të njohin qeverinë dhe të pretendojnë sikur iu pëlqen.

Kirk

Përgatiti: Beqir Skreli

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

fourteen + 13 =