Qerimaj: Politikanët shfrytëzojnë sportistët për selfie - Arbëria News

Qerimaj: Politikanët shfrytëzojnë sportistët për selfie

Erkand Qerimaj of Albania competes in the men's 77 kg group B weightlifting event during the 2008 Beijing Olympic Games on August 13, 2008.   AFP PHOTO/JUNG YEON-JE (Photo credit should read JUNG YEON-JE/AFP/Getty Images)

Erkand Qerimaj ka qenë një ndër tifozët më të zjarrtë të Kombëtares, mbrëmjen e së enjtes. E si të gjithë, humbja e ka mërzitur sportistin, por jo zhgënjyer nga djemtë tanë. I kontaktuar nga “Bluetooth”, ai tregon edhe përjetimet e tij për këtë ndeshje, si dhe për tifozerinë shqiptare.

“Me emocione e kam ndjekur. Si të gjithë, kisha shumë dëshirë të fitonim. Zhgënjim nuk do të thosha, sepse jam sportist vetë dhe sporti ka fitore, por edhe humbje. Nuk duhet të rrëmbehemi as kur fitojmë, as kur humbim. Ky është sporti, i ka të gjitha rezultatet. Mendoj se kanë qenë shumë të ngarkuar nga ana psikologjike nga presioni i krijuar në media dhe nga i gjithë ambienti. Mendoj se kanë mundësi më shumë po të mos jenë të ngarkuar nga ana psikologjike. Mendoj se barazimin e meritonin të paktën. U mërzita që humbëm në minutat e fundit, ajo ishte edhe frika ime gjatë momenteve që isha duke ndjekur lojën”, shprehet peshëngritësi shkodran.

E si një sportist që ka provuar mbështetjen, por edhe zhgënjimin e sportdashësve, ai thotë se publiku nuk di sesi të reagojë dhe çdo tifoz ka për detyrë të mbështesë në humbje dhe fitore.

“Shumica e njerëzve në Shqipëri nuk dinë të reagojnë kur nuk fiton dhe më bën shumë përshtypje ky fakt. Jo çdo sfidë është bërë për t’u fituar. Sportistët duhen mbështetur edhe kur humbin, kjo është qytetaria”. Por një shije të keqe nga gjithë kjo histori i ka lënë politika shqiptare.

I zhgënjyer, por edhe i revoltuar nga klasa politike në vend, Qerimaj thotë: “Më bën përshtypje politika dhe politikanët shqiptarë. Nuk duhet t’i shfrytëzojnë sportistët për selfie në çdo moment. Mendoj se duhen bërë politika më të mira për sportin, ligjin për sportin dhe gjëra të tjera në dobinë tonë si dhe të popullit. Selfie­t t’i lënë pasi të kenë për ndonjë punë për sportin”, ka përfunduar Erkandi.

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

three + two =