Rama në kongresin e PBDNJ: Me Dulen jemi miq, prandaj nuk shkojmë gjithnjë mirë - Arbëria News

Rama në kongresin e PBDNJ: Me Dulen jemi miq, prandaj nuk shkojmë gjithnjë mirë

 

ramaaa2

Kryeministri i vendit Edi Rama i ftuar nga Partia për të Drejtat e Njeriut në Kongresin e saj, web ku është prezantuar programi politik i saj, është ndalur tek Reforma në Drejtësi, ku akuzoi Partia Demokratike se po shqetësohet për politikanët, duke mos menduar fare për drejtësinë që duan shqiptarët.

“Sa i përket Reformës në Drejtësi, Partia Demokratike po shqetësohet për politikanët. Të bëjmë zgjedhje që shkojnë përtej partive politike. Reforma është shembja e strukturës që kemi, kjo strukturë nuk funksionon. Është e kapur dhe e korruptuar. Ne mund të bëjmë në letër një strukturë të re, por a i transformojmë banorët e shtëpisë së vjetër në shtëpinë e re pa i kaluar më parë në një sitë, skaner etik e profesional? Duhet vullnet politik. Gjykatësit e prokurorët po bëjnë tregti me drejtësinë. Ka gjykatës në Shqipëri që kanë deklaruar 18 shtëpi. Nuk ka mëndje të arsyeshme që refuzon drejtësinë. Reforma në Drejtësi lidhet me fatin e vendit. Gjykatësit e prokurorët do kalojnë në sitë”, tha Rama.

Duke u ndalur tek neni i shumë debatuar dhe pika ku ndan palët, neni 88 i Reformës në Drejtësi, Rama ka thënë se gjithë ndërkombëtarët e lexojnë ndryshe ndërkohë që Partia Demokratike e shikon ndryshe. Ai ka shtuar se më 21 korrik nuk do të miratohet thjeshtë një ligj, por do të miratohet fati i gjeneratës tjetër, asaj me një drejtësi që mbikëqyret nga faktori ndërkombëtar.

Sa i përket pronave, Rama ka thënë se Reforma në Drejtësi është një domosdoshmëri, ndërkohë që në Shqipëri ‘pronarët” po kërkojnë pronat e tyre pa pasur edhe dokumentet. Ndërkohë që ka shtuar se, edhe Butrintit i ka dalë pronari, nga pronar më të vjetër se Butrinti.

“I ka dalë pronari Butrintit. Butrinti me pronar, sikur ti dilte pronari Akropolit. Historia e pronave në Shqipëri është historia më e pabesueshme. Shfaqen pronarë që s’kanë asnjë dokument mbi pronën” tha ai.

Por Rama nuk ka lënë pa komentuar edhe marrëdhëniet e “ftohta” që kohëve të fundit çuan në largimin nga koalicioni të PBDNJ-së, ku ka thënë se PS në këto 25 vite ka qenë më pranë PBDNJ-së.

“PBDNJ është një ombrellë për gjithë minoritarët në Shqipëri. Ne kemi qenë pranë, pasi për PS minoriteti ka qenë i afërt. PS ka të drejtën të krenohet për gjithë solidaritetin që ka treguar në 25 vite me popullin e minoritetit. Ka gjëra që duhen bërë mirë, sfida që duhen përballuar, ka problem, por e vërteta është që një fill i gjatë dhe i pandërprerë miqësie e vëllazërie e lidh PS me minoritetin. Me Dulen jemi miq, prandaj nuk shkojmë gjithmonë mirë’ tha ai.

Kryeministri i vendit Edi Rama mori pjesë në kongresin e Partisë Bashkimi i të Drejtave të Njeriut ku u prezantua programi politik, duke iu përgjigjur kështu ftesës së tij. Prej kohësh marrëdhëniet e Ramës dhe Dules kanë qenë të tensionuar dhe shkak për këtë u bë futja e PDIU-së në koalicionin qeverisës. Për këtë shkak Dule dha dhe dorëheqjen nga posti i nënkryetarit të Kuvendit të cilin aktualisht e mban Shpëtim Idrizi i PDIU-së.

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

one × four =