Kryeministri Edi Rama: Ministrat e Berishës kanë fjetur mbi kanabis, operacioni antidrogë ka prekur interesa kolosale - Arbëria News

Kryeministri Edi Rama: Ministrat e Berishës kanë fjetur mbi kanabis, operacioni antidrogë ka prekur interesa kolosale

Në fjalën e tij përshëndetëse në konferencën e paralajmëruar një ditë më parë për provat e luftës kundra drogës, this kryeministri Edi Rama theksoi se Shqipëria sot ka qindra parcela hashashi më pak krahasuar me vitin 2013. Kështu i ka shpjeguar kreu i qeverisë sulmet e opozitës ndaj qeverisë dhe uniformave blu për luftën anti-kanabis, gjatë konferencës së Ministrisë së Brendshme ku u prezantuan rezultatet e deritanishme të aksioneve të Policisë.

Në fjalën e tij Rama theksoi se vetëm në 2 vite qeverisje është asgjësuar drogë e mbjellur në vendin tonë, sa nuk ishte asgjësuar në 8 vite të qeverisjes së djathtë. “Vetëm 7 % i gjithë sasisë së mbjellë është shkatërruar në 2013-ën, dhe pjesa më e madhe në 3 muajt kur ne morëm detyrën dhe e shpallëm këtë luftë, ndërkohë që janë 99.2 % (jo shifra të ministrit dhe qeverisë, se ne jemi kokë e këmbë të lidhur me krimin) këto janë shifrat e Guardia di Finanzias që këto fotografi ajrore i kishte edhe në 2011-2012-2013, jua vendoste përpara të gjithëve atyre që ministri përmendi, si ministra të Brendshëm ata para jush janë askush. Në gjuhën e tyre do të thuhej flinin mbi kanabisin“.

“I kemi shërbyer Shqipërisë dhe transformimit të imazhit të saj në një mënyrë shembullore, atdhetare dhe historike. Policia e Shtetit në këto dy vjet ka bërë padyshim një kthesë historike për rendin ligjor në Shqipëri, për pozicionet e reja mes shtetit dhe krimit për sigurinë dhe perspektivën e gjeneratave të tjera. Asnjë i korruptuar, i inkriminuar, i shpallur në kërkim nuk Mundet dot të hedh baltë mbi shumicën dërrmuese të kësaj trupe që sot janë bërë mëshirimi i ndryshimit që ne duam në çdo sektorë. E marr me mend çdo të thotë për secilin prej jush që qepet atyre zgëqeve për të çrrënjosur kanabisin në thellat e Shqipërisë kur dëgjon gjithëfarëlloj akuzash, monstruozitetesh dhe sulmesh verbale mbi ministrin e Brendshëm, drejtues të Policisë së Shtetit, mbi vetë qeverinë në raportet me krimin dhe me gjithë përmbajtjen e betejës për të cilën ju dilni çdo mëngjes nga shtëpia. Duhet të jetë shumë e rëndë, dekurajuese, shumë e vështirë për të mos u tunduar nga dyshimet se mos vallë unë punonjësi i policisë që bashkë me shokët e mi apo me plot vajza që janë përfshirë në policinë e Shtetit po shkojnë mish për top, po bëjnë një luftë me mullinjtë e erës, ndërkohë që qeveria jonë na qenka jo e lidhur por në krye të gjithë aktivitetit kriminal. Është vërtetë për tu ndjerë thellësisht keq si shqiptarë kur dëgjon shqiptarë, njerëz me pushtetin e të pasurit një mikrofon përpara, që marrin pjesë kolektivisht në këtë përbaltje të madhe ndërkohë që faktet që së paku duhet të heshtin”, deklaroi Rama.

Kryeministri Rama theksoi se ka plot rrugë të tjera për të bërë betejë politike, nuk ka asnjë qeveri në botë që një qeveri të jetë e përsosur, opozitës nuk i duhet të shpikë fabul cdo ditë. Nuk mund të akuzosh këdo, pasi kjo nuk është politike. “Në shifrtat e ekspozuara nga ky operacion flitet për rrënjë, për hektarë, për sasira droge, por ato përkthehen në euro, janë miliarda që deri dje shkonin diku, sot nuk shkojnë më. Dhe ky është një operacion që ka prekur interesa kolosale, Nëse do të ndiqnim logjikën e opozitës, dhe do të ndërtonim të njëjtën fabul, se është bërë modë këtu dhe i mirëkuptoj partnerët tanë që e kanë përqafuar këtë modë, se është komode, të gjithë janë njësoj – të dyja palët kanë faj, etj etj…kjo është një modë që unë e kam neveritur. Nëse ne do të ndiqnim të njëjtën vijë logjike çfarë duhej të thonim për ministrat e Brendshëm që sot predikojnë sikur të ishin engjëjt e antidrogës së rënë nga qielli i virtyteve. Pse kanë fjetur gjumë mbi gjithë këto harta. Pse në 2011-12-13 nuk kanë bërë asgjë, për të reaguar dhe për të shkulur këtë kancer nga trupi i Shqipërisë. Kanë qenë kokë e këmbë të lidhur me industrinë e këtij aktiviteti kriminal. Në logjikën e tyre kanë fituar miliarda dhe duhej të ishin të parët që të përgjigjeshin. Unë kam vetëm një besim që më mban në këtë betejë. Përtej pallateve të mbledhjeve dhe kongreseve, përtej mediave dhe ekraneve e gazetave, përtej gjuhëve dhe lapsave ka një popull që nuk ja ha qeni shkopin. Dhe unë i besoj shumë atij populli që është spektator i këtij teatri absurd ky policia lufton si kurrë më parë me krimin, me drogën, korrupsionin dhe është e akuzuar si asnjëherë më parë , jo vetëm nga opozita po nga një sërë segmentesh të lidhur me njëri-tjetrin”.

 

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

one × 5 =