Reformat e mëdha, që një qeveri politike nuk mund t’i bëjë dot - Arbëria News

Reformat e mëdha, që një qeveri politike nuk mund t’i bëjë dot

Ervis Iljazaj

Shqipëria kategorizohet tek ato vende që politologët i quajnë “frozen democracy” (demokraci të ngrira). Quhen të tilla, pasi janë vende të cilat paraqesin të njëjtat probleme prej shumë vitesh me radhë dhe që janë të pamundura për të bërë reforma thelbësore për të dalë nga gjendja politike ku gjenden. Dhe kjo gjendje vazhdon të jetë e tillë, e ngrirë pra, për shumë arsye. Duke filluar që nga tipologjia e elitës dhe sistemit politik, e deri te korrupsioni apo tradita kulturore dhe historike e një vendi të caktuar.

Edhe Shqipëria, prej shumë vitesh me radhë, ka të njëjtat probleme, të cilat nuk e lejojnë të mbyllë një tranzicion të tejzgjatur. Shqipëria prej shumë vitesh ka probleme me drejtësinë, probleme me votën e lirë dhe zgjedhjet e pakontestuara, me depolitizimin e shtetit, i cili është i uzurpuar tërësisht nga partitë politike, probleme me korrupsionin, apo me efikasitetin e administratës publike.

Nëse dëgjojmë një debat politik, apo çdo debat në mediat televizive dhe të shkruara përpara 15 vitesh dhe ta krahasojmë me këto të sotshmit, është e sigurt që në pjesën më të madhe të tyre nuk do të ketë asnjë ndryshim. Problematikat janë po ato, çështjet për të zgjidhur janë po të njëjtat.

Për 30 vite me radhë, asnjë qeveri e një pale politike nuk arriti dot të ndërtojë një drejtësi të pavarur, asnjë qeveri e një pale politike nuk arriti dot të eliminojë fenomenin e shitblerjes së votës dhe të zhvillojë zgjedhje të pakontestueshme, asnjë qeveri politike nuk arriti dot të depolitizojë shtetin shqiptar dhe t’i shpëtonte tentacionit për ta uzurpuar atë, asnjë qeveri politike nuk arriti dot të krijojë një administratë publike efikase duke mos e mbushur me militantë politikë dhe nepotizëm, asnjë qeveri e një pale politike nuk arriti dot të çelë negociatat me Bashkimin Europian. Dhe me të gjitha gjasat, asnjë qeveri politike nuk do të mund t’i bëjë dot edhe në të ardhmen. Për nga natyra e politikës shqiptare, për nga konfliktualiteti i vazhdueshëm dhe sistemit që është krijuar, shoqëror dhe politik, reformat e mëdha që Shqipëria duhet të bëjë për të dalë nga gjendja e “ngrirjes” dhe për t’i dhënë fund trazicionit, nuk mund të bëhen nga një qeveri e njërës palë.

Prandaj, qeveria tranzitore e propozuar nga opozita shqiptare, duhet të shihet si një mundësi dhe një moment historik, për të bërë njëherë e përgjithmonë të gjitha reformat e munguara deri më tani, për të krijuar një kohë të re politike dhe për ta futur politikën shqiptare në një dimension totalisht të kundërt nga ajo ku ndodhet sot.

Herët apo vonë, një qeveri tranzitore duhet të ndodhë, për të krijuar një klimë ndryshe të qeverisjes dhe ndërtimin e një sistemi totalisht të ri. Edhe për faktin se, Shqipëria në mënyrë paradoksale, duke qenë se shpeshherë gjendet në kriza të thella politike, asnjëherë nuk e ka eksperimentuar një mënyrë të tillë. Gjë e cila është normale në një demokraci dhe nuk përbën aspak një dramë apo një instrument jodemokratik.

I gjithë problemi i propozimit të opozitës për një qeveri tranzitore, është fakti se, ende nuk ka arritur të krijojë një frymë, apo një mesazh që qeveria tranzitore është në interes të Shqipërisë dhe jo në interes të partisë. Deri më tani nga lideri i opozitës Lulzim Basha, nuk kemi dëgjuar propozime konkrete se çfarë qëllimi ka dhe çfarë kërkon të arrijë qeveria tranzitore. Duke krijuar në këtë mënyrë një konfuzion betejash politike, që herë duket si një fushatë elektorale dhe herë betejë për rregulla loje dhe ndryshimin e sistemit politik.

Nëse vërtet kërkon të bindë shqiptarët dhe ndërkombëtarët, opozita ka vetëm një rrugë. Rrugën e kërkimit të një qeverie tranzitore për hir të interesit publik dhe jo për ndryshimin e radhës së pushtetit politik./ Gazeta Liberale

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

four × 5 =