RINDERTIMI i fytyrës ... - Arbëria News

RINDERTIMI i fytyrës …

Odise Kote

Mos e dëgjo atë lajkatar ! më tha dikur një mik i vjetër – ai iu mer mendjen dhe zogjve që fluturojnë.
Atëherë nuk e dija se drita që lëshonte kjo këshillë do më ndiqte pas.
“Lajkatari” nuk u ndal asnjë çast nga udha e vet, rrebel pa kauzë, manipulues i palodhur, vijoi t’i ngjiste një nga një shkallët e “suksesit”.
Kur krejt papritur, befas, e rrëzuan…
Duartrokitësit, grackangritësit, ata që e ndiqnin pas, e braktisën.
I kishte detyruar ndjekësit të përshkonin rrugën e gabuar dhe kishte ardhur koha që ata e kuptuan se duhej të ktheheshin. Se jeta është si rruga, çdo ditë është një gur kilometrik.
Vetë “Lajkatari” kishte qëlluar të ishte prej racës që nuk nxirrte mësime, e duronte deri në fund zjarrin djegës.
Me një maskë të re, me buzëqeshjen e duhur ( si të më kujtonte se ishte prej mishi të dobët, i vdekur që s’e dinte se ishte i tillë) pas vitesh të gjata harrese, erdhi si thuhet tek famullitari, sepse e kishte një hall.
-Jam duke rindërtuar fytyrën – tha si pa të keq – domethënë … “operacion plastik” …po vë fytyrë të re dhe më duhet një histori.
Më kupton …një histori e re…!
E dinte që këshillat e mira janë konfidenciale, ndaj e kishte kapërcyer malin e paturpësisë (të shkuarën e kish mbështjellë si gjëagjëzë dhe e kish flakur tej) dhe erdhi ta merrte si pa të keq këshillën.
Më duhet një histori, një histori e re që njerëzit ta besojnë dhe t’u vijë keq, të më mëshirojnë, kupton …?.
Pastaj të më duan përsëri si më parë … – e shprazi shkoqur qëllimin pa iu dridhur qerpiku prej kërcënimit të rrezikshëm të pendimit.
Po me kujtesën? Si i bëhet me kujtesën…? – i thashë qetësisht. Njeriu i vërtetë nuk harron !
“Lajkatari” nuk ktheu përgjigje.
Ndihej bosh, i zhgënjyer, drithmë e ftohtë, i humbur.
Pa fytyrë, pa kockë njeriu, si tinzari pas mëkatit të rradhës. Qëndroi ashtu i ngrirë, gdhë, me aromën e dheut, të plehut, të kufomës. Gati për t’u shtyrë në gropën dymetroshe.
Dhe sepse më erdh’ ndërmend ajo strofa vrasëse :
“ …ti m’u lodhe, zemra ime, / të shkoi gjithë mundimi kot /
o moj botë e kokolepsur, / që s’të shkokolepsa dot …!

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

two × 2 =